Sot përkujtohet 141 vjetori i themelimit të teqesë së Rabijes, një teqe e lashtë dhe me histori në Jugun e Shqipërisë e shumë më gjerë, për misionin e saj fisnik, arsimin shqip dhe atdhetari.
Historia e ngritjes së këtij objekti bektashian, zë fill me ardhjen këtu (në fillim të dekadës së pestë të shekullit 18) të dervishëve të Haxhi Bektash Veliut, të cilët parashihnin në misionin e tyre jo thjeshtë përhapjen e diturive të Islamit, por edhe mbrujtjen e shpirtit të lirisë, të ideve të lume të paqes universale. Kjo teqe do të rritej nëpër vite, jo thjeshtë në pikëpamjen e shtimit të myhibëve dhe dashamirësve, jo thjeshtë në pikëpamje të shtimit të sipërfaqes së tokës, pyjeve, kullotave por në mënyrë të veçantë në misionin atdhetar të të saj, veçanërisht në fundin e shekullit të 19 dhe fillimin e shekullit të 20, në momentet kur postmbajtësi i saj, ishte baba Selman Gricaj nga Martaneshi. Me veprën e tij, ky klerik i dha emër të mirë, jo thjeshtë teqesë së Rabijes, por vetë bektashizmit shqiptar. Është kjo arsyeja që sot e kësaj dite, në kuvendet tepelenase këndohen vargjet: ”Baballarë të mirë qenë,/ Që të gjithë në Tepelenë,/ Por mbi krye, përmbi krye/ Ish Selmani në Rabije….”
Lidhja e klerikëve të teqesë së Rabijes, me formacionet luftarake nacionalçlirimtare të vendit, bënë që teqeja të shndërrohej në vatër të shenjtë atdhetarizmi, që dashamirësit e saj të shumtë të rrëmbenin armët kundër bishës fashiste. Ka qenë ky shkaku që në 23 korrikun e vitit 1943, forca të shumta italiane, me mjete të motorizuara dhe të armatosura deri në dhëmbë, iu drejtuan teqesë së Rabijes, me mllef, urrejtje e ndëshkim. Këtë mllef ata e realizuan me pushkatimin e baba Abaz Rabijes, të dervishëve: Bajram Lamaj nga Levani, Hasanit nga Rabija, Feimit nga Gllava dhe Bajramit nga Mallakastra. Këta emra të ndritur klerikësh, së bashku me 27 besimtarë dhe myhibanë të tjerë që u vranë dhe masakruan po atë ditë, tanimë kanë hyrë pa dyshim në panteonin e lirisë së kombit tonë. Për misionin e saj fetar e atdhetar, kjo teqe dhe klerikët e saj, janë vlerësuar me mirënjohje të larta zyrtare.
Sot, në teqenë e Rabijes, zhvillohet pelegrinazhi tradicional vjetor, ku mes besimtarëve të shumtë, ndodhet dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Përgatiti:
Kujtim BORIÇI