Sot, në ditën tradicionale të pelegrinazhit vjetor, përkujtohet 194-vjetori i teqesë së Turanit Korçë, ditë e cila shënon një ngjarje të rëndësishme për gjithë bektashizmin shqiptar dhe në botë, pasi baballarët dhe dervishët e kësaj teqeje, lanë gjurmë në veprimtarinë e tyre jo vetëm për Korçën, por për gjithë Shqipërinë dhe më gjerë.
Në vitet `30, në këtë teqe filloi veprimtarinë Kryegjyshata Botërore Bektashiane, me Kryegjysh Sali Niazi Dede. Kjo teqe ka një histori të shkëlqyer. Ajo është themeluar nga Salih Baba Elbasani. Në këtë objekt bektashian, kanë shërbyer dhe shumë baballarë të tjerë si baba Seferi, baba Ademi, baba Hajdari, dervish Filja, baba Seit Leskoviku, baba Pajua, dervish Hyseni. Teqeja ka luajtur një rol aktiv në rilindjen kombëtare e deri në çlirimin e vendit. Këtu u mbajt kongresi i III i bektashinjve në vitin 1929, kongres i cili mori vendime të rëndësishme. Këtu, më 28 janar 1930, erdhi Kryegjyshi Botërori Bektashinjve Sali Niazi Dede dhe drejtoi nga teqeja e Turanit deri 7 gusht 1930. Më pas më shkoi në teqenë e Melçanit. Por do vettojme se në zbatim të vendimeve të Kongresit III Bektashian në vitin 1929 në teqenë e Turanit –Korçë, Sali Niazi Dede, erdhi në Shqipëri me ide të qartë për rritjen e besimit bektashian. Kjo sfidë do të kalonte vetëm e vetëm përmes mësimeve të Haxhi Bektash Veliut. Sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, kleriku i shquar bektashian, provoi përveç frymës tradicionale të besimit bektashian edhe atë të besimtarëve të thjeshtë. Në letrën që i dërgon myrshidit të tij, baba Ali Naxhi Bajkalit, në ato ditë të fundit të janarit 1930, pasi përshkruan udhëtimin e ardhjes në Shqipëri nga Saranda në Korçë midis të tjerave shkruan: … “Shkuarja në Turan me njëzetë e pesë makina do të mbetet një kujtim i paharruar dhe shumë i vyer për mua. Do të qëndrojmë disa ditë këtu dhe do të shkojmë në Tiranë për të marrë fermanin e Kryegjyshit”. Me vendosjen në teqenë e Turanit-Korçë, filloi veprimtarinë intensive për forcimin e bektashizmit në Shqipëri. Kjo u shoqërua me takime me Mbretin Zog në muajin shkurt dhe dekretimi dhe dekretimi nga ai, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve në mars po të atij viti. Qeveria e Zogut, duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashian, me dekret të veçantë e emëroi në mars 1930 Sali Niazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Kjo duket edhe në një dokument arkivor në të cilën shkruhet: …”Ju, njoftohet se, si mbas shkresës Nr.323 datë 20.3.1930, të Ministrisë së Oborrit Mbretëror, Nalt-Madhënia e Tij Mbreti pati mirësinë me urdhënue dekretimin e emrimit të Hirësisë së Tij, Salih Niazi Dedes, Kryegjysh Bektashian”.
Më 4 prill të vitit 1930, ai organizon mbledhjen e Këshillit Gjyshnor duke marr parasysh nevojat e mëdha të organizimit dhe dërgon një Qarkore qendrave Gjyshërore dhe Prindërore bektashianëve të Shqipërisë. Në shtatë pika shkruhet mbi paraqitjen në Kryegjyshatë të titullarwve të gjyshatave dhe emrat e dervishëve dhe baballarëve në teqetë e tyre me hollësi, të zbatojnë urdhrat e Kryegjyshit, në emërimin e këshillit lokal të çdo gjyshate, për administrimin sa më mirë të pasurisë të teqesë, disiplinë shembullore sipas mësimeve të Haxhi Bektash Veliut etj. Gjithashtu u përgatit edhe një Deklaratë e Këshillit Gjyshnor Bektashian për gjithë besimtarët bektashinj të popullit të Shqipërisë. Ndër të tjera, në ‘të theksohet: “…Ky besim kurdoherë ka ecur mbi udhën e drejt të Perëndisë dhe ka predikuar: drejtësi, dashuri, urtësi, liri, disiplinë. …Besimi bektashian ka me u përpjek për me shërue çdo farë plage morale ose shpirtërore që ka sjellë dhimbje të mëdha në trupin e kombit prej të cilit sot po nderohet.” . Historia e teqesë Turanit është e lavdishme. Në këtë teqe, nga regjimi i kohës, në vitin 1943, u vra baba Zylfo. Teqeja ka qenë qendër e gjyshatës së Korçës (Korçë, Kolonjës, Bilisht, Pogradec).
Klerikët që drejtuan teqenë janë: Baba Sali baba Hajdar Qencka, baba Zylfo Vërleni 1940 vrarë në vitin 1943 dhe dervish Nevrus Hoçisht, dervish Hajder Melcan, dervish Bektash Ishtip. Në vitet 1950-1955 drejtuan, gjysh Sabri Kalaja, dervish Tahir Gërxhani, dervish Bektash Nashkollari, dervish Samit Zboqi, dervish Shaqir Gërxhani, baba Abdulla Çela 1963, gjysh Ramadan Metaj 1963-1965.
Në vitin 1967, kjo teqe, u mbyll nga shteti monist. U rihap në vitin 1992. Është rindërtuar plotësisht në vitin 2000 nga Kryegjyshi Botëror Bektashian i sotëm, Shenjtëria e Tij, Dede Edmond Brahimaj. Pas vitit 1990, në këtë teqe 1990 drejtuan klerikët: dervish Barjam Çerçiz Ahmataj dervish Xhelal Resuli, dervish Sali Peti, baba Mondi. Nuri Muçollari, është sekretar i gjyshatës.
Përgatitën: Nuri Çuni
Kujtim Boriçi