E kanë pritur si çdo vit, të emocionuar pelegrinazhin e baba Sakos besimtarët bektashianë të Durrësit, Kavajës e Elbasanit. Si përher ata i’u drejtuan tyrbes së këtij shenjtori bektashian, në shenjë nderi e respekti, për atë dhe gjithë plejadën e shquar të klerikëve, ndjekës të Haxhi Bektash Veliut. Një urim i veçantë, vjen edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili në urimin dhe bekimin e Tij, në këtë datë të shënuar, ndër të tjera është shprehur:“Të nderuar besimtarë bektashianë të Luzit! Të nderuar vëllezër të mij, baba Faiku dhe dervish Admiri! Jam me fat që jam sot këtu dhe që ndajmë së bashku këtë ditë të bekuar pelegrinazhi në tyrben e baba Sakos. Më lejoni t`ju uroj e bekoj të gjithëve: Paçi fat e mbarësi në çdo familje tuajën. Vemendja dhe kujdesi i dervishëve dhe baballarëve bektashianë, le t`ju ndjekin kurdoherë pas, le t`ju udhëzojnë e t`ju bëjnë dritë në udhën e Hakut!Ndryshe nga herë të tjera, vitin e kaluar dhe këtë vit, nuk kemi festuar këtë ditë sipas traditave tona. Epidemia botërore bëri të sajën, duke na larguar disi fizikisht. Por ne kemi qëndruar kurdoherë bashkë shpirtërisht, duke dëshmuar se ajo vëllazëri që gjizën baballarët bektashianë, ajo urtësi që shpërndan gjatë gjithë jetës së tij baba Sakua, është transmetuar tek ne, tek brezat e sotëm, besnikë të traditave më të mira të Haxhi Bektash Veliut. Në Zotin e Lartësuar përpara, ne ja dolëm të hedhim pas krahëve dhimbjet që na la kjo pandemi dhe ja ku jemi sot, pranë njeri-tjetrit, duke parë në sy sho-shoqnë dhe duke dhjetëfishuar gëzimet. Ne do të rritemi dita-ditës në numër, për të shkuar sa më shumë pranë mezarit të baba Sakos, si edhe të qindar baballarëve dhe dervishëve të tjerë, sepse pranë tyre gjithmonë do na mërgohen hallet dhe do na shumfishohen shpresat. Sepse jetët e tyre, të shërbyera vetëm në udhë të Hakut dhe të kombit, kanë qënë dhe mbeten ylli polar që na drejton në udhëtimin tonë të përjetshëm. Me këtë rast, jam i lumtur të falenderoj grupin e myhibëve të Luzit, të cilët në vlerësim të kujtimit të baba Sakos, por edhe të myrshidit të tyre dhe tonit, dede Reshat Bardhit, mbajnë gjallë frymën e vëllazërisë së tarikatit tonë edhe në këto kohra të vështira. Ata përcjellin traditat tona, duke u shndërruar në monumente besimi dhe urtësie. Ju paça kurdoherë shëndoshë e mirë, dervish, baballarë, myhibanë dhe besimtarë të Luzit!”
Teqeja ndodhet në fshatin Luzi i Madh, Njësia Administrative Lekaj, Bashkia Rogozhinë. Mendohet të jetë ngritur rreth vitit 1826 dhe i kushtohet Baba Sakos, një luftëtari, i cili ka shpërndarë ujë dhe nga mori emrin Sako. Baba Sakua, është një misionar i hershëm, me origjinë nga Horasani i Persisë. Mbiemrin Sako, e ka marë nga fjala Saki-u nga persishtja por edhe si huazim në turqisht: që do të thotë ujë përndarës, ai që servir me gota, verëgostitës, që mbart e shet ujin. Në muhabete të ndryshme, kur shtrohet sofra, në fejesa dhe dasma caktohet një njeri që shërben për të mbushur gotat e rakisë dhe quhet saki. Prandaj, Baba Sako, këtë mbiemër, e ka marrë se ka shërbyer në dhënien e ujit dhe ndihmuar në popull, bamirës. Ai shërbeu në shumë vende të Ballkanit dhe më pas erdhi dhe u vendos në Luzin e Madh të Kavajës, ku punoi me përkushtim në përhapjen e bektashizmit, duke predikuar dashurinë ndaj Zotit të Madh dhe dashurinë ndaj atdheut. Ngriti teqen në këtë fshat dhe afroi shumë besimtarë dhe dashamirës duke u bërë i njohur në gjithë zonën e Kavajës. Kur kaloi nga jeta, banorët i ngritën tyrben, në nderim të tij.
Në këtë teqe, ka shërbyer gjithashtu, edhe dervish Abdullai (Xhani) nga viti 1829 e deri sa kaloi nga jeta, ku i cili ka historinë e tij me Xhefai Baban, i teqesë së Madhe Elbasan, kur e shoqëroi në Frashër, në vitin 1826. Dervishi punoi me përkushtim në fiset e tij, Hysaj, Aliaj, Dullaj dhe Kalac. Për punën e mirë, sjelljet dhe kontributin në Luzin e Madh, atë e priti me nderime edhe kundërshtari i tij, Sheh Hamidi i Kavajës ku më pas, filluan mardhëniet e mira, edhe me tarikatin Halveti. Kështu vazhdoi tradita bektashiane në Kavajë.
Në vitin 1950, këtë teqe e drejtoi baba Mustafa Panariti.
Përgjatë gjithë historisë së saj, kjo teqe, ishte një vatër e bektashizmit dhe atdhedashurisë, deri kur u mbyll në vitin 1967 nga shteti monist i kohës, për tu rihapur në vitin 1998, me një tyrbe të bukur. Ka luajtur një rol të rëndësishëm shpirtëror, te të gjithë besimtarët e zonës së Kavajës dhe më gjerë. Për të vazhduar traditën e vyer dhe të çmuar të këtij vendi të shenjtë, çdo fund maji, të çdo viti, organizohet një pelegrinazh i përvitshëm.