Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj me këtë rast jep mesazhin: “Ky përvjetor i lavdishëm, në këtë ditë të shënuar, mbetet i paharruar, historia e kësaj teqeje, si dhe Sali Niazi Dede, mbetet krenaria e gjithë shqiptarëve, që solli Qendrën Botërore të Bektashinjve në Shqipëri. Ai ka qenë dhe mbetet modeli i klerikut me dije të mëdha, me urtësi dhe tolerancë. Ai ka qenë dhe mbetet reformatori i parë i këtij besimi në vendin tonë, duke e ngritur bektashizmin në nivele të lartë përfaqësimi në Ballkan dhe në botë.”
Në vështrimin historik, sot, është 195-vjetori i themelimit të teqesë së Turanit-Korçë, teqe e njohur në gjyshatën e Korçës, me një histori të madhe dhe që mbetet gur themeli i Kongresit më të rëndësishëm Bektashian në Shqipëri, Ballkan dhe në Botë. Kjo teqe është themeluar nga Salih Baba Elbasani. Këtu, kanë shërbyer shumë baballarë të tjerë si: baba Seferi, baba Ademi, baba Hajdari, dervish Filja, baba Seit Leskoviku, baba Pajua, dervish Hyseni. Teqeja ka luajtur një rol aktiv në Rilindjen Kombëtare e deri në çlirim. Këtu, në vitin 1929, u mbajt Kongresi i III-të i bektashinjve. Ky kongres mori vendime të rëndësishme siç ishte edhe sjellja e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri. Më 28 janar 1930, erdhi Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Sali Niazi Dede, i cili e drejtoi Kryegjyshatën, nga teqeja e Turanit, deri më 7 gusht 1930. Më pas ai shkoi në teqenë e Melçanit. Në këtë teqe, në vitin 1943, u vra baba Zylfo, nga komunistët. Teqeja, ka qenë qendër e Gjyshatës së Korçës (Korçë, Kolonjë, Bilisht, Pogradec). Klerikët që drejtuan teqenë: baba Sali Elbasani, baba Hajdar Qencka.
Në vitin 1940 drejtuan teqenë klerikët: baba Zylfo Vërleni, vrarë në vitin 1943; dervish Nevrus Hoçisht; dervish Hajdër Melçan; dervish Bektash Ishtip. Në vitet 1950-1955, gjysh Sabri Kalaja, dervish Tahir Gërxhani, dervish Bektash Nashkollari, dervish Samit Zboqi, dervish Shaqir Gërxhani. Në vitin 1963, baba Abdulla Çela. Baba Qani Karaj vdiq më 10 janar 1963, Gjysh Ramadan Metaj (1963-12.8.1965).
Teqeja e Turanit është një teqe e madhe me mur guri, me rreshta të rregullt. Ndërtesë dy katëshe, në formë drejtkëndëshi, me të gjitha dhomat e nevojshme, me një oborr të madh, të rrethuar me mure të lartë. Në afërsi të saj janë tyrbet, njëra në formë drejtkëndëshi me hyrje portiku, mbuluar me çati me tjegulla, kurse tyrbja tjetër simetrik dynjake, me portik hyrës tip kupolë, i japin një pamje të bukur në mjedisin përreth. U mbyll nga shteti monist në vitin 1967. U rihap në vitin 1992. Rindërtuar plotësisht në vitin 2000, nga baba Edmond Brahimaj.
Mbas viteve 1990 drejtuan klerikët: dervish Barjam Çerçiz Ahmataj (1992-), dervish Xhelal Resuli, dervish Sali Peti, baba Edmond Brahimaj (1999-2004), drejton gjyshatën nga viti 2004, sekretari, Nuri Muçollari.
E veçanta e kësaj teqeje është se në vitet `30-të, filloi veprimtarinë Kryegjyshata Botërore Bektashiane, me Kryegjysh Sali Niazi Dede.
Këtu, më 28 janar 1930, erdhi Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Sali Niazi Dede me ide të qartë për rritjen e besimit bektashian. Këtë sfidë do të kalonte vetëm e vetëm përmes mësimeve të Haxhi Bektash Veliut. Sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, kleriku i shquar bektashian, provoi përveç frymës tradicionale të besimit bektashian edhe atë të besimtarëve të thjeshtë. Në letrën që i dërgon myrshidit të tij, baba Ali Naxhi Bajkalit, në ato ditë të fundit të janarit 1930, pasi përshkruan udhëtimin e ardhjes në Shqipëri nga Saranda në Korçë, midis të tjerave shkruan: …“Shkuarja në Turan me njëzetë e pesë makina do të mbetet një kujtim i paharruar dhe shumë i vyer për mua. Do të qëndrojmë disa ditë këtu dhe do të shkojmë në Tiranë për të marrë fermanin e Kryegjyshit”. Me vendosjen në teqenë e Turanit-Korçë, filloi veprimtarinë intensive për forcimin e bektashizmit në Shqipëri. Kjo u shoqërua me takime me Mbretin Zog në muajin shkurt dhe dekretimi dhe dekretimi nga ai, si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve në mars po të atij viti. Qeveria e Zogut, duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashian, me dekret të veçantë e emëroi në mars 1930 Sali Niazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Kjo duket edhe në një dokument arkivor në të cilën shkruhet: …” Ju, njoftohet se, si mbas shkresës Nr.323 datë 20.3.1930, të Ministrisë së Oborrit Mbretëror, Nalt-Madhënia e Tij Mbreti pati mirësinë me urdhënue dekretimin e emrimit të Hirësisë së Tij, Salih Niazi Dedes, Kryegjysh Bektashian”.
Më 4 prill të vitit 1930, ai organizon mbledhjen e Këshillit Gjyshnor duke marr parasysh nevojat e mëdha të organizimit dhe dërgon një Qarkore qendrave Gjyshërore dhe Prindërore bektashianëve të Shqipërisë. Në shtatë pika shkruhet mbi paraqitjen në Kryegjyshatë të titullarëve të gjyshatave dhe emrat e dervishëve dhe baballarëve në teqetë e tyre me hollësi, të zbatojnë urdhrat e Kryegjyshit, në emërimin e këshillit lokal të çdo gjyshate, për administrimin sa më mirë të pasurisë të teqesë, disiplinë shembullore sipas mësimeve të Haxhi Bektash Veliut etj. Gjithashtu, u përgatit edhe një Deklaratë e Këshillit Gjyshnor Bektashian për gjithë besimtarët bektashinj të popullit të Shqipërisë. Ndër të tjera, në ‘të theksohet: “…Ky besim kurdoherë ka ecur mbi udhën e drejt të Perëndisë dhe ka predikuar: drejtësi, dashuri, urtësi, liri, disiplinë. …Besimi bektashian ka me u përpjek për me shërue çdo farë plage morale ose shpirtërore që ka sjellë dhimbje të mëdha në trupin e kombit prej të cilit sot po nderohet.”
Sali Niazi Dede drejtoi Kryegjyshatën nga teqeja e Turanit deri më 7 gusht 1930. Më pas ai shkoi në teqenë e Melçanit.
Drejtoi Kryegjyshatën në Tiranë deri më 28 nëntor 1941. Salih Niazi Dede ka qënë dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit në vendin tonë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Salih Niazi Dede. Ka marrë titullin “Dëshmor i Atdheut” nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë dhe urdhrin “Nderi i Kombit”.