Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, së bashku me Këshillin e teqesë së baba Isufit Bllacë, me në krye Baba Halilin dhe me pjesmarrjen e autoriteteve të pushtetit vendor, besimtarëve të shumtë dhe dashamirësve të bektashizmit, zhvilluan sot, më datë 10 qershor 2021, një pelegrinazh në: “Teqenë e Baba Isufit Bllacë”, me rastin e 221 vjetorit të themelimit të saj.
Data 10 e muajit Qershor, përbën një gëzim të veçantë për të gjithë besimtarët bektashianë, pasi lidhet me teqenë simbol, të bektashizmit, të urtësisë për krejt viset e Dibrës, Bulqizës, Krujës dhe deri në Kosovën martire. Kjo datë është bërë tashmë traditë kremtimi dhe pelegrinazhi në Bllacë dhe në kalendarin zyrtar të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane njihet si dita e “Teqesë së Baba Isufit Bllacë”.
Si gjithëkund në historinë e bektashizmit, teqeja e Bllacës, ka përcjellë kurdoherë, dashurinë për Zotin e Lartë dhe Ehli-Bejtin.
Gjatë fjalës së tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera u shpreh: “Më lejoni t’ju përshëndes në këtë ditë të shënuar dhe t’ju sjellë urimet më të mira, në emër të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Teqeja e Bllacës, mbart historinë e vet, histori e lavdishme të besimit të palëkundur në Zot, por edhe të dashurisë së pakufishme për këto troje. Sot kjo ditë të kujton kur shekuj më parë u ngjit këtu në Bllacë, besimi i kulluar i Haxhi Bektash Veliut, sepse do të rrënjoset thellë jo vetëm në kujtesën tuaj por të gjithë popullit shqiptar. Historia e themelimi për herë të parë të saj, lidhet me baba Sufa, i parë nga fisi Tasha i fshatit Bllacë, në vitin 1800. Ishte me virtyte të rralla kishte dhunti shenjtërie. Është veshur në Haxhi Bektash baba. Mbante lidhje me teqetë e Dibrës së Madhe, Tetovës me baba Fejzë Bulqizën. Ai hapi mejtepin e parë në Bllacë, në mesin e viteve 1830. Por masat e mara nga otomanët mbas viteve 1826, në persekutimin e bektashinjve, teqeja u shkatërrua. Për një periudhë të gjatë nuk funksionoi. U ringrit në themelet e para, në vitin1893 dhe tyrben e baba Sufës parë, nga baba Sufa i dytë. Baba Sufa i ri ka lozur një rol të madh në përhapjen e bektashizmin në trevën e Dibrës, mësimin e gjuhës shqipe, kontribut në rilindjen kombëtare. Edhe sot mbahen mend thëniet e tij: “Evladë, me shkollë do të shikoni edhe natën!“ Në teqe në vitin 1908 hapi shkollën e parë shqipe. U persekutua nga autoritet turke dhe serbe, ndërroi jetë në vitin 1915. Teqeja u dogj në vitin 1923, e ringriti baba Zenjeli nga Skrapari në vitin 1930. Ai ishte një organizator sa teqenë e pasuroi dhe afroi shumë besimtar dhe dashamirës për bektashizmin e vazhdoi me dervish Abdulla Gurra deri 1940. Shërbeu Dede Ahmeti 1938. Vazhduan të punojnë në këtë teqe disa baballarë dhe dervish si: baba Muharrem Metalla (1950-1954), baba Xhemal Rapush Dinollari (1954-1963) deri në vitin1967. Teqeja u shkatërrua nga shteti monist në vitin 1967 dhe u rihap në vitin 1995 dhe e drejtoi baba Ismail Jangullit me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe ringriti këtë teqe të mrekullueshme që ne kemi sot. I jemi mirënjohës dhe e nderojmë edhe sot, në këtë ditë të shënuar për veprën që la. E përkujtojmë me respekt e dashuri të pakufishme, klerikun e nderuar baba Ismail jangulli. Të nderuar besimtarë të Bllacës, Shupenxës, Dibrës, Bulqizës, Zerqanit, Martaneshit! Juve duhet të ndiheni krenar për teqenë e Bllacës. Prindërit tuaj e kanë mbajtur këtë teqe në këmbë edhe në vitet më të vështira ndersa juve kontribuoni sot me gjithë shpirt. Këtë besim dhe mbështetje do ta kemi sot e përgjithmonë. Me këtë rast dua të falenderoj baba Halil Curri dhe sekretar Bektash Jangulli, që po punojnë dhe vazhdojnë traditën e kësaj teqeje me histori të madhe dhe rrugën e baba Ismail Jangulli. Mbushemi me shpresë sepse Zoti i Madh do t’ua shpërblejë me gëzim në familjet tuaja! I respektoni këta mezarë dhe këta klerikë sepse respektoni një besim të mrekullueshëm.“