Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Arshi Bazaj, emblemë dlirësie në udhën tonë!
Përkujtohet sot, më 28 dhjetor 2022, 7-vjetori i kalimit nga jeta, i klerikut baba Arshi Bazaj, kleriku të cilin, të gjithë bektashinjtë në mbarë botën, e kujtojnë me respekt për kontributin që ka dhënë.
Jetëshkrimin:
Arshi Bazaj ka lindur në fshatin Shkozë të Vlorës më 1910. Ka kryer katër klasë fillore në fshatin e lindjes dhe më pas, është marrë me blegtori. Që nga mosha 7-vjeçare, prindërit e çojnë shpesh në teqe, tek baba Bektash Aliaj, ku ra në kontakt dhe u rrit kështu me frymën bektashiane. Kur mbush gjashtëmbëdhjetë vjeç, ai merr dorë si myhib dhe vijon të punojë e jetojë në teqenë e Golimbasit.
Në vitin 1926 konsakrohet dervish prej baba Bektash Aliajt dhe, falë traditave bektashiane, ndërmerr për disa muaj rresht pelegrinazh për në Haxhi Bektash të Turqisë, duke vizituar njëkohësisht edhe teqe të tjera bektashiane. Kthehet sërish në Golimbas dhe në mënyrë të veçantë, në muajit e ashures, vizitonte teqe të famshme si ajo e Bllacës në Dibër, e Shememi-Babait në Krujë, Teqenë e Madhe të Elbasanit, atë të Melçanit në Korçë dhe të baba Selimit në Gjirokastër. Shkëmbimet e vizitave dhe muhabetet me baballarë dhe dervishë bektashianë të asaj kohe, kanë qenë njëherazi shkolla të udhëtimit shpirtëror në këtë tarikat.
Në gushtin e vitit 1939, dervish Arshiu, me bekimin e baba Bektash Aliajt, u bashkëngjitet forcave nacionaliste të udhëhequra nga Hysni Lepenica, në betejat kundër okupatorit italian, në Qarkun Vlorës.
Ndërkaq, rritja e fuqisë politike dhe ushtarake të Nacional-Çlirimtarëve, po shoqërohej me qëndrime të ashpra ndaj nacionalistëve, qofshin këta dhe klerikë, siç ishte dervish Arshi Bazaj. Me pretekstin se “duhej të jepte llogari në komandën partizane të Vlorës”, dy-tri komunistë ilegalë trokasin një mbrëmje në teqenë e Golimbasit. Por baba Bektash Aliaj refuzon ta dërgoj dervishin atje, duke iu thënë se çdo njeri, nga komanda partizane e Vlorës, ishte i mirëpritur në teqe. Dy muaj më pas, duke parë ç’po ndodhte me shumë luftëtarë nacionalistë, baba Bektashi i jep dervishit të tij bekimin dhe e dërgon në teqenë e Koshtanit, në Tepelenë.
Por edhe në Koshtan, në verën e vitit 1945, dervishin e kërkojnë sërish dhe kjo ka qenë arsyeja që së bashku me disa nacionalistë të tjerë, ky arratiset në Greqi. Qëndron për gati dy vjet në kampin e refugjatëve në Llavrios e, më tej, dërgohet në Itali. Në vitin 1953, me kërkesë të teqesë bektashiane të Mukatamit në Egjipt, shkon atje dhe, një vit më pas, janë nacionalistët shqiptarë të vendosur në SHBA që e morën atje.
Prej vitit 1954 dhe deri sa mbylli sytë në dhjetorin e vitit 2015, baba Arshi Bazaj, ishte dhe mbeti jo vetëm besnik i baba Rexhebit (themelues i teqesë së parë bektashiane në Detroid-Miçigan), por edhe kleriku i urtë, djalë i Vlorës, që shpërndan paqe dhe dashuri tek të gjithë brezat e shqiptarëve të Amerikës.