PËRKUJTOHET TË SHTUNËN, 95-VJETORI I ARDHJES SË QENDRËS BOTËRORE BEKTASHIANE, NË SHQIPËRI

E shtuna e 25 janarit 2025, është një ngjarje e shënuar për bektashizmin, veçanërisht për bektashianët shqiptarë. Në këtë ditë, mbushen plot 95 vjet, nga ardhja e Qendrës Botërore Bektashiane, nga Turqia në Shqipëri. Ky përvjetor i shënuar, përkon me një ndërmarrje tejet të rëndësishëm për një status më të plotë zyrtar të këtij besimi të plotë, me shtrirje numerike e gjeografik, pothuaj në gjithë botën. Në këtë ditë, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në Pallatin e Kulturës në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve bektashianë e besimeve të tjerë fetarë, krerëve të lartë shtetëror të vendit, besimtarë e dashamirës, organizohet një aktivitet i rëndësishëm. “…Kjo që ne përkujtojmë sot, 95-vjetori i ardhjes nga Turqia në Shqipëri i Qendrës Botërore Bektashiane, nga ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Sali Niazi Dede, ‘Dëshmor i Atdheut’ e ‘Nderi i Kombit’, është një ngjarje e rëndësishme për bektashizmin e më gjerë. Sali Sali Njazi Dedei, i cili erdhi në Shqipëri me një vizion të qartë dhe plotë shpresa se Qendra Botërore e Bektashinjve, duke u vendosur në jugperëndim të Evropës të krishterë, në paqe dhe bashkëjetesë me besimet e tjera fetare, por dhe do të kontribuonte në harmoni midis feve, siguron e forcon mbijetesë, forcon më tej paqen e bashkëjetesën. Me gjithë vështirësitë që koha solli, brezat e klerikëve bektashian, dhanë e po japin kontributin, në misionin tonë ‘Pa atdhe, nuk ka fe’. Me ndihmë ne qeverisë e faktorëve të tjerë, ne besojmë që ky mision do te gjej hapësira më të mëdha në përmbushje të tij ”-Pohon Dede Edmond Brahimaj.
Ceremonia, në orën 11:00 të ditës së shtunë, 25 janar 2025, në sallën e Teatrit të Operës e Baletit, Pallati i Kulturës, Tiranë
…Kleriku shqiptar, Sali Dedei, Kryegjyshi Botëror Bektashian i fundit rezident në Turqi, ka meritën e veçantë që për shkak të situatës së rënduar, solli e vendosi në Shqipëri, Qendrën BotëroRre të Bektashizmit. Në një farë mënyre, ky klerik ka meritën e këtij akti të guximshëm, që mbajti gjallë në vendin tonë e gjithë botën, ekzistencën dhe mbijetesë e besimit të paqtë bektashian. Sot (e shtunë, 25 janar 2024), përkujtohet kjo ngjarje e shënuar.
…Sali Nizai Dede në historinë e tij të besimit dhe atdhetarizmit në Shqipëri, është një figurë emblematike e mendimit besimit. Ai lindi më 5 mars 1876, në Starje të Kolonjës. Në mjedisin familjar, shoqëror dhe të trevës së Kolonjës ku gjallonin teqetë e Starjes, por edhe ato të Leskovikut, të Qesarakës, Kreshovës, që lanë gjurmë të thella në fëmijërinë e tij. Emigroi që i ri me familjen në Stamboll. Këtu vazhdoi shkollat e kohës. Ai u formua në Qendrën Botërore Haxhi Bektash-Turqi. Në shkollën e teqesë përqafon menjëherë jo vetëm mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamed por edhe çelësat e diturisë mistike. Me këtë vizion u pajis me kulturë të plotë fetare. Në këtë moshë, ai ishte nën kujdesin dhe vëmendjen e ish-Kryegjyshit të kohës, Haxhi Fejzi Dedeit me origjinë nga Maricaj i Tepelenës. Gjatë kësaj kohe kreu detyra të caktuara, dha prova e aftësi kudo që punoi. Veprimtaria e tij e gjerë bektashiane tërhoqi vëmendjen e mjaft klerikëve të shquar nga Anadolli, Azia, Iraku e Irani, në përvetësimin e mësimeve të Kuranit, hadithet e profetit Muhamet, e mësimet e Haxhi Bektash Veliut, duke u pajisur me një vizion të thellë të botës mistike. Me porosi të Haxhi Fejzi Dedesë, 1908 udhëtoi në vendlindje dhe vise të tjera shqiptare, ku u njoh nga afër me veprimtarinë bektashiane në Jug të Shqipërisë, Konicë, Tetovë, Selanik e gjetkë, si dhe nxitjen e çeljes së shkollave shqipe dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Me këtë rast, ai mblodhi edhe mjaft ndihma për Kryegjyshatën Botërore në Turqi, në Haxhi Bektash. Personaliteti i tij si organizator dhe bektashi, bëri që të zgjidhej edhe në Këshillin e Lartë Klerikal Botëror të Bektashizmit.
Me largimin nga kjo jetë e ish Kryegjyshit Botëror Bektashinjve Haxhi Fejzi Dedei, këshilli i lartë gjyshnor, cakton Sali Niazi në postin e lartë të udhëheqjes të këtij besimi, Kryegjysh Botëror, në vitin 1914. Ky ishte nder jo vetëm për Sali Niazi, por për krejt shqiptarët dhe besimtarët e gjithë botës.
Sali Njazi Dedei kishte mbështetje dhe njohje më personalitetet më të fuqishme të kohës, veçmas me Mustafa Qemal Ataturkun, i cili në vitin 1919 vizitoi teqenë e Haxhi Bektashit, i cili kishte një mbështetje të lartë morale pikërisht nga kleriku i lartë dhe i besueshëm Sali Njazi Dedei dhe Xhemaladin Çelebiu, figura të njohura të kohës në botën bektashiane. Po ashtu, reputacioni dhe ndikimi i madh i klerikut të lartë bektashi Sali Njazi Dedei, lanë gjurmë edhe në shpalljen e pavarësisë së kombit turk. Kur parlamenti turk, më 25 dhjetor të vitit 1925 me vendim të veçantë, urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve në Turqi. Sali Niazi Dedei i hodhi sytë nga atdheu i tij, Shqipëria. Janë disa letërkëmbime midis tij dhe Mbretërisë shqiptare në vitin 1929, të cilat nxjerrin në pah jo vetëm dëshirën e këtij kleriku për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri, por edhe garancitë pa asnjë interes të Mbretit Zog, për ndihmën e nevojshme. Kjo padyshim bëri që Sali Niazi Dede, duke u këshilluar edhe këshillat gjyshërore nëpër vende të ndryshme, të merrte vendimin për të zhvendosur qendrën botërore bektashiane prej Turqisë në Tiranë. Mbas kësaj, bie në sy letërkëmbimi i Kryegjyshit Botëror Sali Niazi Dede dërguar më 10 mars 1929, Sabri Qytezës, ku kërkohet të merren masa për vendosjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri, pasi ajo u mbyll në Turqi. Pas disa konsultimesh me konsullatën shqiptare në Stamboll dhe klerikët shqiptar në Shqipëri dhe Mbretin Zog, për transferimin e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri, e cila ishte një ogur i mirë. Sali Niazi Dede, duke u këshilluar edhe me këshillat gjyshërore nëpër vende të ndryshme, mori vendimin e duhur për të zhvendosur Qendrën Botërore Bektashiane prej Turqisë në Shqipëri.
…Falë vendimeve historike të Kongresit të Lushnjës në janar të vitit 1920 që mori në mbrojte besimet fetare dhe që ishte parlamentarizmi i parë shqiptar, bektashizmi shqiptar filloi organizmin e tij me statut dhe Këshill Klerikal duke u forcuar atë vit pas viti. Për kongreset bektashiane është njohur edhe Kryegjyshi Sali Niazi Dede. Një tjetër ngjarje me rendësi për bektashinjtë e Shqipërisë ka qenë Kongresi i tretë bektashianë mbajtur më 26 shtator të vitit 1929, në teqenë e Turanit – Korçë ku midis të tjerave u vendos në statutin e tij që, “Deri sa të dali dekreti Mbretëror, qendra e përkohshme e Komunitetit Fetar Bektashian është Teqeja e Shenjtë e Turanit (Korçë)”. Për këtë ishte në dijeni Sali Niazi Dede dhe pasi mbaroi dorëzimin e Qendrës në Haxhi Bektashit (sot është kthyer në një muze), u përgatit për të ardhur në Shqipëri. Në janar të vitit 1930 u nis me vaporin “Ekspres” nga Stambolli në Pire-Greqi. Më pas për në Sarandë. Këtu u prit nga një komision i posaçëm prej 17 bektashinj të shquar klerik dhe laik. Si delegatë të Korçës ishin baba Ramadan Qatromi, baba Zylfo Melçani, zoti Et`hem Osmani e Ali Koprëncka, që të dy deputet në atë kohë. Kamber Babai i teqesë së Prishtës, Sulejman Babai i teqesë Shtufit, dervish Rexhebi, dervish i Selim Babait, të Gjirokastrës, Hysni Baba i teqesë Turanit-Tepelenë, Hasan Baba i teqesë Memaliaj, Xhafer Baba i teqesë Përmetit, Seit Baba i teqesë Leskovik, Ali Baba i teqesë Kulmakut-Skrapar, dervishi i Mustafa Babajt të teqesë së Frashërit si dhe shumë myhib dhe ashikë të tjerë. Prej Sarandës në Gjirokastër, pasi pinë një kafe në teqenë e Selim Babit, së bashku duke ardhur në teqenë e Sulejmanit të Shtufit, qëndruan një natë mysafirë. Me mall dhe respekt të pritjes në këto teqe, Sali Niazi Dede i shoqëruar nga klerikët e nderuar të kohës vazhduan udhëtimin interesant në teqenë e Turanit Tepelenë, Sukë, Këlcyrë, baba Xhaferit Përmet. Kurse në Leskovik e pritën Sabri Qyteza, Teufik Lamçe e Teufik Orgocka dhe delegatët e Kolonjës baba Hajdari, varf Myhtar, Sali Butka dhe të tjerë. Në hyrje të Ersekës pritën Shenjtërinë e Tij Nënprefekti, Kryetari i Bashkisë, Zv. Mitropoliti, nëpunësi i Finacave, Gjyqtari Paqëtues, Komandati i Gjindarmërisë, doktori i Bashkisë, avokatët dhe parësia e vendit, bektashinj dhe orthodhoksë. Në emër të popullit të Kolonjës vendin e lindjes të Kryegjyshit, Shënjtëri e Tij u përshëndet me një fjalim etusiast prej avokatit z. Selami Libohova. Pastaj në emër të Kryegjyshit, u përgjigj duke falenderuar Atë Ali Tomorri. Në Qafën e Qarrit kishin dalë për të pritur Kryegjyshin 200 persona. Grupi që e shoqëronte pasi hypi në makina të vendosura në autokolonë u drejtuan për në qytetin e Korçës, në mbasditen arritën në teqenë e Turanit. Gazeta e Korçës më 1 shkurt 1930, pardje ditën e mërkurë (28 janar) në atë datë historike për bektashinjtë e Shqipërisë do të shkruante: …“Kryegjyshi deklaroi se është tepër i mallëngjyer nga pritja e jashtëzakonshme e përzemërt e popullit dhe autorizoi t`i tranmetojnë bekimet e tij jo vetëm besnikëve bektashinj por gjithë popullit të Shqipërisë së lirë.”
Sali Niazi Dede, sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, provoi përveç frymës tradicionale të besimit bektashian edhe atë të besimtarëve të thjeshtë. Vendosja e tij në teqenë e Turanit Korçë, ishte e një rëndësie të veçantë, sepse u bë Institucioni i parë bektashianë botëror në Shqipëri. Kjo u shoqërua me takime të Mbretit Zog në muajin shkurt dhe dekretimi i tij si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve në mars po të atij viti. Qeveria e Zogut duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashian me dekret të veçantë, në mars e emëroi 1930, Sali Niazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashian. Kjo duket edhe në një dokument arkivor në të cilën shkruhet: “.. Ju, njoftohet se, si mbas shkresës Nr.323 datë 20. 3. 1930, të Ministrisë së Oborrit Mbretëror, Nalt-Madhënia e Tij Mbreti pati mirësinë me urdhënue dekretimin e emrimit të Hirësisë së Tij, Salih Niazi Dedes, Kryegjysh Bektashian”. Më 4 prill të vitit 1930 organizon mbledhjen e Këshillit Gjyshnor. …Gjithashtu u përgatit edhe një Deklaratë e Këshillit Gjyshnor Bektashian për gjithë besimtarët bektashinj të popullit të Shqipërisë, ku theksohet se: “Ky besim kurdoherë ka ecur mbi udhën e drejt të Perëndisë dhe ka predikuar: drejtësi, dashuri, urtësi, liri, disiplinë. …Besimi bektashian ka me u përpjek për me shërue çdofarë plage morale ose shpirtërore që ka sjellë dhimbje të mëdha në trupin e kombit prej të cilit sot po nderohet.”
Synimi ishte për forcimin dhe organizimin e Komunitetit Bektashian në Shqipëri dhe në botë. Më 23 gusht u vendos Kryegjysh Sali Niazi Dede në teqenë e Melçanit Korçë dhe në dhjetor të vitit 1930 shkoi në Tiranë dhe kështu Kryegjyshata Botërore Bektashiane u vendos përfundimisht në Tiranë në vitin 1931. …Për kontributin fetar e atdhetar, Sali Niazi Dedei mban titujt, “Dëshmor i Atdheut”, dhe “Nderi i Kombit”. Po ashtu, figura emblematike e Sali Njazi Dedeit është nderuar dhe në emetimin e pullës shqiptare.
…Përkujtimi sot i 95-vjetorit të ardhjes së Qendrës Botërore Bektashiane, në Shqipëri dhe kontributin e vyer të Sali Niazi Dede, përkon dhe me risi e projekte me interes për hapësira të reja, në mbështetje të misionit të bektashinjve. Falë përpjekjeve në vijimësi për më shumë tolerancë, bashkëjetesë fetare e njerëzore, për më shumë urtësi, harmoni solidaritet, për dashuri në Zot, Qendra Botërore Bektashiane në Tiranë, ka marr vlerësime shtetërore e shoqërore në Shqipëri e jashtë saj, të cilat janë një garanci tjetër në misionin ‘Pa atdhe nuk ka fe’, për paqen pa dallim feje, besimi, etnie, race e ngjyre.