Teqja e Madhe
U ndërtua në vitin 1803 nga dy shenjtorët Fakri dhe Xhefai Babai. Baballarët që drejtuan këtë teqe kanë qenë nga familje të famshme të Elbasanit, si: familjet Dedei, Ekmekciu, Balza etj. Teqja është drejtuar nga 5 pjesëtarë të familjes Dedei, të cilët e rindërtuan disa herë atë mes viteve 1874-1962. Teqja është e vendosur në një kodër të bukur në lindje të Elbasanit, në të majtë të rrugës nacionale Elbasan-Pogradec.
Deri në vitin 1967 ajo është drejtuar nga 12 baballarë. Si themelues i saj njihet Fakri Mustafa babai më 1803, i cili thirri për bashkëpunim Xhefrai babanë. Në vitin 1826 Teqja prishet nga autoritetet osmane. Në këtë kohë baba Fakri strehohet në Luz të Kavajës në shtëpinë e Ibrahim Xhanit. Ndërsa Xhefai babai shkoi në Frashër ku qëndroi deri në vitin 1829. Pastaj kthehet në Elbasan dhe varroset në Teqen e Madhe.
Pastaj në këtë Teqe kanë shërbyer Haxhi Daut babai 1862-1870. Në vitet 1870-1874 teqen e drejtoi Hazbi Hysen babai. Dijetari Ali baba Dedei e drejtoi këtë teqe për 23 vjet 1874-1897. Duke qenë njeri me kulturë të gjerë ai fitoi respektin e myslimanëve, ortotoksëve dhe të krishterëve në Elbasan. Njihte disa gjuhë dhe kishte kulturë të gjerë. Fitoi mjaft popullaritet dhe fuqizoi bektashizmin në Elbasan e më gjerë. Populli e quante “Hylki”, sepse kishte gjykim e arsyetim të thellë. Nga viti 1950 deri në vitin 1962 teqja u drejtua nga Musa Qazim baba Dedei. Vdes në vitin 1963. Pas kësaj periudhe Teqja e Madhe në Elbasan drejtohet nga baba Sherif Cami me origjinë nga Tepelena. Edhe pse në vitin 1967 u mbyllën të gjitha institucionet fetare, për shkak të vlerave të rralla historike dhe kulturore Teqja e Madhe në Elbasan u shpall Monument Kulture nga regjimi komunist. Me ndryshimet demokratike teqja u rihap më 14.6.1993. Ajo frekuentohet nga dhjetra besimtarë bektashinj të Elbasanit, madje edhe nga deputetë të këtij qyteti.