Sot, përkujtohet themelimi i teqesë së njohur bektashiane të Krushovës, në Skrapar.
Teqeja e Krushovës-Skrapar, ndodhet në fshatin Krushovë, njësia administrative Leshnjë, Bashkia e Skraparit. Teqeja është e hershme dhe lidhet me misionarët që kanë kaluar në rrugë-kalimin Dëvri- Gostënckë-Leshnjë-Vlushë-Potom. Siç tregojnë të moshuarit, teqeja është ngritur nga Qamil Zaçe Krushova (Zyka) para viteve 1900. Të njëjtat burime shtojnë se Zaçe Krushova (Zyka) ishte myhib i baba Fetahut të teqesë së Backës. Qamili, me kalimin e kohës ngriti teqenë. Ai shtoi prona si objekte, pyje, kullota, bagëti etj. Qamili është i njohur si patriot për çështjen kombëtare. Ai ishte bashkëpunëtor me Riza Cerovën, në Selanik dhe në Shqipëri. Qamili ka ndërruar jetë në vitin 1935. Teqeja frekuentohej nga i gjithë fshati e më gjerë. Në këtë teqe, ka shërbyer dhe dervish Velikua. Ai afronte besimtarët dhe organizonte ceremonitë fetare të Sulltan Nevruzit, matemin, Ashuren, Bajramin e Madh dhe Bajramin e Vogël. Në këtë periudhë punonin vullnetarisht për teqenë, 20 punëtorë. Nga viti 1890 deri në vitin 1919, në këtë teqe, ka shërbyer vullnetarisht Veli Rakip Zyko. Më pas, në vitin 1919, ai është veshur dervish nga baba Mestani i teqesë së Backës. Ai ka shërbyer si dervish në teqenë e Krushovës, deri sa kaloi nga jeta në vitin 1953.
Teqeja u shkatërrua në vitin 1967 dhe u ringrit me një tyrbe mbas viteve 1990.