PËRKUKJTOHET 79-VJETORI I NDARJES NGA JETA, I ISH-KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, ABAZ HILMI DEDE

Dita e mërkurë e 18-marsit të vitit 2026, është një ditë e shënuar përkujtimore për bektashinjtë, pasi 79 vite më parë, u vra ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Abaz Hilmi Dede, i cili ka qenë në krye të Selisë së Shenjtë në periudhën, gusht 1945 – mars 1947.
“Duke përkujtuar sot ish-Kryegjyshin Botëror Bektashian, Abaz Hilmi Dede, ne evokojmë njëkohësisht jo vetëm kontributin e dhënë nga ky klerik, por dhe vështirësitë që ka kaluar besimi bektashian në një pjesë të udhës së tij të mbijetesës tetë shekullore. Përveç rolit të tij si klerik, ai është dhe protagonisti i ngritjes së shkollës së parë shqipe në 1920 në trevën e Dëshnicës në Përmet si dhe është pjesëmarrës në Luftën e Vlorës…”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
…Abaz Hilmi Dede, ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, lindi më 13 mars 1887 në fshatin Mërtinj të rrethit Përmet nga një familje bektashiane, me mbiemrin Elezaj. Fëmijërinë, deri në moshën 17 vjeç e kaloi në fshatin e lindjes. Që në moshë të re kish një dashuri të veçantë për Zotin. Shumë shpejt, nga familja dhe të afërmit, u njoh nëpër vizitat e ndryshme në teqenë e Këlcyrës, Hasan Dede, Sukës, Përmetit, Frashërit, Prishtës , Kiçokut, Gllavës etj. Iu shfaq dëshira për tu veshur me petkun bektashian. Rreth viteve 1907, u vesh dervish së bashku me dervish Ali Turabiu në teqenë e Prishtës, ku morën dorë te baba Shabani. Ka bërë studime fetare për pesë vjet në Egjipt së bashku me dervish Aliun dhe u kthye në Shqipëri në vitet 1918. Ai shërbeu si dervish në teqenë e Prishtës, Sukës, Frashërit. Në luftën e vitit 1914 së bashku me Kamber Bënjën ka luftuar kundër andartëve grekë. Ngriti shkollën e parë shqipe më 1920 në fshatin e tij, në zonën e Dëshnicës. Ka marrë pjesë në luftën e Vlorës në vitin 1920. Jeta e tij dhe vështirësitë, kudo që shërbeu e formuan si klerik i aftë dhe organizator, ku u dallua për çështjen e atdheut në ndihmë të luftës antifashiste. Në gusht të vitit 1945, për meritat dhe punën e vyer që kish bërë, Këshilli i Lartë Gjyshnor, e zgjodhi në postin e lartë të Hynqarit, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve, të cilën e drejtoi më së miri deri në mars të vitit 1947. Për çështje të mbrojtjes së doktrinës bektashiane, parime dhe normat e saj, mbas shumë debatesh dhe i ndodhur në rrethana të vështira të këtyre viteve u vetësakrifikua, më 18 mars, 1947.