Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka përshëndetur autorët dhe të pranishmit në aktivitetin e zhvilluar të shtunën, 19 prill 2025, në mesditë në mjediset e Hotel-Piaza-Tiranë, në promovimin e librit monografi, “Komandant Rustem Peçi”, i autorëve Kujtim Boriçi, Bernard Zotaj e Zaho Golemi. Për shkak të angazhimeve ndërkombëtare, përshëndetja u përcoll nga dervish Hasan Carkanji.
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJ
Të nderuar organizatorë! Të nderuar pjesëmarrës! Të nderuar autorë të librit, “Komandat Rustem Petti!”! E kisha planifikuar dhe mezi prisja që të merrja pjesë në këtë ditë në këtë aktivitet të rëndësishëm, ditëlindjes së Rustem Peçit dhe promovimit të librit, kushtuar komandantit e mikut tim të paharruar, përgatitjen e të cilit unë e kam ndjekur dhe hap pas hapi, me mjaft interes. Por një angazhim i para planifikuar ndërkombëtar, më ka privuar të jemë fizikisht atu, duke u dërguar këtë mesazh. Familjarë të komandant Rustemit dhe ju pjesëmarrës në aktivitet, ju bekoj e uroj të gjithëve shëndet të plotë, begati në familjet tuaja, më shumë paqe e dashuri njerëzore, për ti bërë ditët që vijnë më të mira, për të rritur besimin në Zot e dashurinë e pakufishme për mëmëdheun, duke përmbushur kështu dhe përpjekjet e mesazhin e komandant Rustemit gjatë gjithë jetës së tij të ndritur.
Ju siguroj se në këto momente, kështu siç jemi, Rustemi na sheh e na dëgjon nga atje lart e lumturohet, na falënderon dhe ndjehet krenar. Ndjehet krenar, por dhe na qorton për ndonjë gjë që nuk e bëjmë ashtu siç e donte ai. Si ish-student i Rustemit së pari e, më pas, si mik e bashkëpunëtor, sidomos kur ai drejtonte Komitetin Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kam shumë mbresa e kujtime, një pjesë të të cilave ju do ti gjeni dhe në këtë libër serioz. Kemi shumë bashkëpunime dhe e kam mbështetur vazhdimisht në aktivitetet që organizonte. Rustemi ishte njeri i fjalës, i besës, punëtor si rrallë kush, i gjendur në çdo hall e situatë, i vendimeve të përgjegjshme, pavarësisht kostove. Do të ndaloj vetëm në një fakt, ku unë kam qenë dëshmitar, atë të fatkeqësisë natyrore të Fekenit, ku nga shkarja e një orteku, humbëm disa shokë tanët. E vuajti ato momente atë dhimbje, e vuajti dhe dekada më pas, por si dëshmitar theksoj me bindjen e pa lëkundur se operativiteti i tij, vendimet që mori, ishin ndër shkaqet kryesore që evituan përmasat e kësaj katastrofe natyrore. Familjarë të komandant Rustemit, të jeni krenar për Rustem Peçin, kryefamiljarin e njeriun tuaj të zemrës, që ruajti e pasuroi traditën e njohur të familjes Peçi, duke u lënë ju pasardhësve e të gjithë ne, një shembull të vyer që duhet ta ndjekim e çojmë përpara! Përgëzime për ju autorët për këtë libër! Zoti u bekoftë të gjithëve!