Ditën e sotme, më datë 10 shkurt 2022, ora 11.00, në Hotel Tirana International, Salla “Classic”, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, organizoi Konferencën Ndërfetare “Vëllazëria në Humanizëm” me pjesëmarrjen e drejtuesve të komuniteteve fetare, grave ndërfetare dhe Rinia në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë. Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me “Religions for Peace, Europe”, ku i ftuar special ishte presidenti i ENIB-Religions for Peace, Europe Dr. Luigi De Salvia.
Fokus i kësaj konference ishte dokumenti mbi “Vëllazërinë Njerëzore” nënshkruar nga Imami i Madh i Al-Az’har-it, Ahmad Al-Tayyeb, dhe Papa Françesku në vitin 2019.
Në këtë konferencë merrnin pjesë Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve; Pastor Ylli Doçi, Kryetar i IRCA & President i Vëllazërisë Ungjillore; H. Bujar Spahiu Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Fortlumturia Anastas, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale; Mons. Angelo Massafra, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore; Shkëlqesia e Saj Yuri Kim, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë; Imzot Luigi Bonazzi, Nunci Apostolik në Tiranë; Dr. Luigi de Salvia, President dhe Religjionet për Paqen, Evropë (Folës kryesor); Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i IRCA & Zëvendës President i ENIB, Fetë për Paqe, Evropë.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
"Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar vëllezër të mij Lider të Komuniteteve fetare!
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë!
E nderuar Zonja Ambasadore e SHBA Shkëlqesia Juaj znj. Yuri Kim!
I nderuar Nnci Apostolik Luixhi Bonazi!
E nderuar znj. Dervishi, Drejtore e CVE, klerikë fetarë studius, dhe anëtarë të Bordit ekzekutiv , të gruas dhe rinisë në KNFSH!
I nderuar miku ynë i ftuar dhe bashkëpunëtor, President i RFP Europë, z. Luixhi De Silva, është nder dhe kënaqësi e veçantë të marr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare rreth dialogut ndërfetar , Vëllazërisë në Humanizëm, dhe t’ju përshëndes në emër të miliona besimtarëve bektashinj të kudondodhur në botë: Zoti e pastë në vëmendje devocionin Tuaj , humanizmin dhe vëllazërinë që na ka mbajtur bashkë të pandarë në vite , dhe sjelltë paqe e begati për gjithë njerëzimin!
Vendi im, Shqipëria, ndonëse ka jetuar ngjarje të frikshme në vitet e komunizmit e mw pas me vwshtirwsitw e ringitjes në postkomunizëm, sigurisht ka diçka të bukur brenda vetes. Ka margaritarin e çmuar të modelit të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. A është ky vullnet i Zotit? Sigurisht që po.
Por, nëse Zoti i madhëruar na ka falur këtë mrekulli, ne sigurisht i falemi Atij për çdo mirësi në këtë botë dhe në tjetrën, duke mos harruar se jemi vëllezër me një të shkuar, të sotme dhe të ardhme të përbashkët. Ashtu sikundër në një familje biologjike, ku mbizotëron harmonia dhe respekti i ndërsjelltë, trashëgohen vlerat e përkryera morale edhe në familjen e madhe të një kombi, këto vlera sigurisht që na nxjerrin në dritë.
Besimi bektashian të cilin unë përfaqësoj, i përmbahet qysh në themel të tij e deri më sot, njërit prej mësimeve të vyer të themeluesit tonë, Haxhi Bektash Veliut, i cili 800 vite më parë ka shkruar: “Kurani i Madhëruar është besimi ynë dhe Muhamed Mustafai ndërmjetësi. Ademi dhe Havaja janë babai dhe nëna jonë. Ne të gjithë jemi vëllezër të njeri-tjetrit. Të gjitha mrekullitë janë krijuar për ne, nga lartësitë e epërme të qiellit deri tek fundi i dheut.”
Nisur nga kjo, teqetë bektashiane, në esencë të filozofisë së tyre kanë përcjellë pikërisht idenë e të qenit vëllezër, pavarësisht etnisë, racës, gjuhës, apo kujt feje i jemi përkushtuar. Nuk është e rastit që shumë studiues europianë, duke e parë bektashizmin si urë lidhëse midis feve dhe etnive, kanë shkruar qindra faqe ngazëllyese për këtë tarikat të shquar të Islamit, i cili ka ndikuar fuqishëm në kontekstin fetar ballkanik.
Ndërsa shembulli i harmonisë dhe paqes fetare në Shqipëri, padyshim është emblematik. Myslimanët shqiptarë syni dhe bektashi, janë bashkuar me vëllezërit e tyre të krishterë në çdo lëvizje antiosmane, për pavarësinë dhe prosperitetin e trojeve tanë. E njëjta situatë na ka bashkuar me të krishterët shqiptarë, kur jugu i vendit pushtohej prej grekëve apo veriu prej serbëve, për t’u finalizuar në lëvizjen e madhe kombëtare të Luftës së Dytë Botërore.
Ne lider fetarë dhe besimtarë të zakonshëm, duke adhuruar me devocion Krijuesin, duke ruajtur dhe respektuar traditat fetare dhe atdhetare, sidomos në vitet e inkuizicionit antifetar komunist 1967-1990, i rrëfyem Europës së qytetëruar, se pavarësisht stuhive të çfarëdollojshme, dashuria për Zotin, për njeri-tjetrin, mirëkuptimi dhe solidariteti fetar, mbeten si një xhevahir i mrekullueshëm në gjerdan të identitetit tonë.
Është kjo arsyeja, të nderuar të pranishëm, që Papa Françesku, në vizitën e tij në Shqipëri në vitin 2014, shkoi shumë larg në lidhje me konceptin e harmonisë fetare, duke thënë se, “tek ju ekziston vëllazëria fetare”. Ky vlerësim i madh për një komb të vogël, mbetet padyshim një nder i veçantë, po ashtu dhe detyrim për të ruajtur e zhvilluar më tej vëllazërinë fetare, për ta ruajtur atë nga çdo ekstremizëm i kohës.
Sepse pa dyshim, ky rrap degëgjerë dhe madhështorë i vëllazërisë sonë fetare, duhet parë me kujdesin më të madh, duke shmangur çdo lloj prirjeje ekstremiste fetare, pavarësisht nga cila epokë, apo cili vend vjen. Ruajtja e identitetit tonë fetar, na jep të drejtën të trokasim kreylartë në dyer e familjes europiane. Duke ju uruar më të mirat e duke ju falenderuar që u bashkuat me ne sot në familjen tonë të përbashkët Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë , në këtë Vëllazëri në humanizëm! Zoti ju bekoftë! Amin!"
Seanca e përshëndetjeve vijoi më tej me referimin e të 5-të krerëve të komuniteteve fetare të vendit, Ambasadores znj. Yuri Kim, Nuncit Apostolik në Tiranë, z. Luigi Bonazzi dhe sesioni i parë u mbyll me referimin e të ftuarit të nderit të kësaj konference, Dr. Luigi de Silva.
Pas një pushimi, konferenca vijoi me kumtesat e antarëre të bordit të rinisë, gruas nën moderimin e znj. Sheldiana Jano Agaraj, Anëtare e Bordit Ekzekutiv.