Administratura Apostolike e Shqipërisë së Jugut (Kisha Katolike) mbajti ditën e hënë, 2 maj 2022, Asamblenë e Parë “Himni Paqes”, në Teatrin “Çajupi”, Korçë, si i përzgjedhuri për këtë vit.
Ky është një ndër aktivitetet e saj më të rëndësishme, i cili për herë të parë në histori vjen në Korçë.
Në këtë takim ndërfetar morën pjesë përfaqësues të Komuniteteve të ndryshme fetare: Katolike, Ortodokse, Bektashiane, Myslimane dhe Ungjillore, të cilët dhanë mesazhe mbi paqen, duke bashkuar zërat kundër luftës dhe duke theksuar rëndesinë e kësaj, në traditën e harmonisë fetare në vendin tonë.
“Himni Paqes”, është një ngjarje ndërfetare e organizuar për promovimin e paqes botërore, angazhim ky që u bë edhe më urgjent pas luftës në Ukrainë.
Aktiviteti u çel në orën 19.00, me fjalën e mirëseardhjes nga Drejtoresha e Teatrit, znj. Zamira Kita, për të vazhduar me pas me këngë (“Kanoni i paqes”), mesazh nga Imzoti Joan Pelushi (Kom. ortodoks), dëshmi/lexim, mesazh nga Myftiu Ledian Cikalleshi (Kom. mysliman), këngë (“Da pacem cordium”), mesazh nga Imzoti Giovanni Peragine (Kom. katolik), dëshmi/lexim, mesazh nga Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Kom. bektashian), këngë (“Dona nobis pacem”), mesazh nga Pastori Mentor Rama (Kom. ungjillor), përshëndetje nga Nënkryetari i Bashkisë dhe Ipeshkvi i Agrigento-s (Itali), këngë (“Kënga e Krijesave”).
Në fjalën përshëndetëse, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në mesazhin e Tij, ndër të tjera tha: “Bismilahi Rrahmani Rrahim! Në emrin e Zotit Fuqimadh e Mëshirëshumë. Të nderuar vëllezër të mij, përfaqësues të Komuniteteve fetare të Korçës,
Të nderuar besimtarë, motra vëllezër paqedashës,
Të nderuar autoritete shtetërore vendore dhe miq të pranishëm dhe të bashkuar nën Himnin e Paqes,
E prita me kënaqësi ftesën nga vëllai ynë katolik për t’ju bashkuar njëzëri Himnit të paqes, himnit të vëllazërisë së besimeve dhe mardhënieve Ndërfetare.
Të qënit të bashkuar na bën më të fortë e më të afërt shpirtërisht. Ngjarjet e fundit të dhunës, makabritete, vrasjeve, plagosjeve e marrje jetë foshnjesh , të rinjsh e njerëzish të pafajshëm në Ukrainë , po trondisin mbarë njerëzimin , na bëjnë të reflektojmë e të ndërgjegjësohemi , të ngremë njëzëri lutjet e përbashkëta për paqe, armëpushim, liri, pavarësi, ditë të bardha e të begata për Ukrainën e çdo shtet që gjendet sot në luftë.
Lusim Zotin e madhërishëm që lutjet tona në këtë ditë të Shenjtë Bajrami por edhe në këtë marshim paqeje të shkojnë për të gjithë ata shpirtra të pastër që dhanë jetën për lirinë e kombit të tyre, që të prehen në paqen e amëshuar e të gjitha ata që u detyruan forcërisht të lenë vendin e tyre, qytetarë afganë, ukrainas , të kthehen sa më shpejtë në vatrat e sofrat e kombit të tyre.
Ky Himn e këto lutje të përbashkëta paqeje shkojnë për të gjithë ata që me jetë po luftojnë për të mbrojtur vatanin e tyre, dhe ashtu sikundër dhe diviza bektashiane thotë “Pa atdhe nuk ka fe”, lutemi që vatani e kombi i tyre të jetë i lirë e i pavarur, ta gëzojnë jetën në liri , paqe e begati ashtu sikundër Zoti i Lartë urdhëron.
Lutemi njëzëri që zemrat të zbuten e të përqafojnë paqen , sepse vëllazëria ndërfetare hap shtigje të tolerancës, të harmonisë por edhe të bashkëjetesës e dialogut paqësor, ndaj sot bëjmë thirrje për më shumë dashuri, eleminim ndasish , e jetesë të paqtë e harmonike, sepse ” Zemra kthjellohet me besimin…” Imam Ali.
Sot, Ukraina po lufton për të shpëtuar demokracinë e saj të re kundër një pushtimi të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus. Komb luftëtar por me gjuhë dhe fe të pavarur, ukrainasit janë bashkuar në mbrojtje të sovranitetit të tyre kombëtar dhe, me ndihmën dhe mbështetjen ndërkombëtare, po luftojnë t’i bëjnë ballë përparimeve ushtarake ruse. Ndaj sot të bashkuar lutemi që ky armëpushim aq shumë i dëshiruar nga ne, Liderët e besimeve të ndryshme të ndodh e paqja të triumfojë! Imam Ali paqja qoftë mbi të shprehet “Nëse i verbri nuk e sheh diellin nuk do të thotë që dielli nuk ekziston” dhe “Durimi sjell fitim.. “. Gjithmonë ka një rreze shprese e një rreze drite që driçon dhe zbut edhe zemrat më të egra e më të ashpra. ” Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit”- Nënë Tereza
Errësira nuk mund ta largojë errësirën, vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund të largojë urrejen, vetëm dashuria e besimi mund ta bëjnë këtë.
Fëmijët e Ukrainës dhe zonave të luftës kanë nevojë për paqe.Në mënyrë të dëshpëruar.Tani!
Le të lutemi së bashku për paqe mbarëbotërore!
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!