‘URTËSIA’, REVISTË PRESTIGJIOZE E BEKTASHIZMIT
Akademik, Xhevahir SPAHIU
Revista “Urtësia” e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, e njohur si numri i parë në vitin 1993, është bërë tashmë një revistë e njohur kombëtare dhe ndërkombëtare, për besimtarët dhe dashamirësit bektashianë, e cila në vite, ka sjellë shkrime të ndryshme për këtë besim të mrekullueshëm. Ajo jep mesazhe të qarta universale, të harmonisë, tolerancës, bashkëjetesës, dialogut ndërfetar e, dashurisë të njeriut për Njeriun. Në vetë Universin Hyjnor, edhe Kurani
Famëlartë e thotë “Kush njeh veten, njeh Perëndinë”.
Revista ka ecur në udhëtimin e saj të gjatë duke u përmirësuar, veçanërisht kohët e fundit, ku vihet re profesionalizmi i stafit, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili në dijeninë time, tregon një kujdes të veçantë për këtë revistë.
Por ajo që bie në sy dhe e bën këtë revistë dinjitoze, është përzgjedhja e materialit, mënyra e të shkruarit dhe një faqosje me mjeshtëri. Përmbajtja e saj e larmishme, me përfshirjen e aktiviteteve të kalendarit bektashian, pasuruar me materiale interesante të fondit tetë shekullor brilant të këtij besimi të mrekullueshëm, të disa rubrikave interesante, përfshi ato letrare, mendoj se është një angazhim i suksesshëm dhe shton lexuesit e këtij organi interesant, në Shqipëri e jashtë saj. Në këtë kuadër, unë do të vlerësoja, pjesët në vijimësi nga Kurani Qerim; nga libri “Divani Ali”; “Misiticizma Islame dhe Bektashizma” e baba Rexhebit të teqesë Detroit SHBA etj; poezi e nefese bektashiane; fotolajme, ngjarje historike të bektashizmit, jetëshkrime të klerikëve të shquar bektashinj dhe kontributi i bektashinjve gjatë gjithë historisë kombëtare të Shqipërisë. Tempujt bektashianë të kthyer dikur në shkolla të shqipes, të abetares së përndjekur, të kthyer në strehë të çetave kryengritëse, me parimin e bektashinjve, “Pa Atdhe s`ka fe”, sillen sistematikisht në këtë revistë, në forma të ndryshme të publicistikës.
Dua të përmend që në këtë revistë, sikundër aktivitetet e shumta të Kryegjyshatës Botërore në vijimësi, kanë sjellë vazhdimisht krijimtarinë e rolin e bektashiut të madh Naim Frashëri, duke ua sjellë brezave të lexuesve.
Sugjeroj që Revista “Urtësia” ka nevojë të përmirësohet më tej, si në tituj të shkrimeve, harmonia e fotografive dhe raportit me personazhet që lidhet me shkrimin, trajtime më në thellësi për misticizmin, muzikën dhe pikturën bektashiane.
Revista është një leksion i hapur për të gjithë. Urime Revistës “Urtësia”, përgatitësit e saj, (po përmend miqtë e mi, Kujtimin e Nuriun), Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Dede Edmond Brahimaj dhe gjithë lexuesve e dashamirësve të saj.