Paraditen e së premtes, 25 tetor 2024, në Ninësh të Mallakastrës, u përurua vendosja e shtatores së klerikut të njohur bektashian, baba Haxhi Saliaj. Në këtë ditë të veçantë, përveç besimtarëve të shumtë, pjesëtarë të fisit Salija, nipit Medin Bakaj, morën pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kryetari i Bashkisë së Ballshit, Qerim Ismailaj etj… Shtatorja është punuar me mjeshtëri e shije artistike nga skulptori i njohur Dylber Neziri.
Baba Haxhi Saliaj, ka lindur në fshatin Ninësh të Mallakastrës, më 10 dhjetor të vitit 1936. Ai u rrit dhe edukua në një familje e mjedis me traditat e vyera të tarikatit bektashian. Për shkak të luftës së klasave, për pjesëmarrje në formacionet nacionaliste, në vitin 1945 i ati i Haxhi Saliajt, pushkatohet. Një vit më pas, kalon nga kjo jetë edhe nëna e tij dhe të katër fëmijët, do të mbeteshin jetimë, duke u rritur tek të afërmit e tyre.
Kur ishte 17 vjeç, në vitin 1953, falë lidhjeve të thella shpirtërore me bektashizmin, Haxhi Saliaj pranohet si myhib në teqenë e Harakopit. Më pas dërgohet në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ku pas dy vitesh shkollë, vishet dervish. Vitet 1967-1990, me ndalimin e fesë, Dervish Haxhi Saliaj, nuk u nënshtrua mekanizmave të propagandës së regjimit, por në thellësi të shpirtit mbajti të gjallë besimin e palëkundur në Zot. Pavarësisht kufizimeve zyrtare të kohës, ai bëri një shërbim të shquar shpirtëror për krejt popullin e Mallakastrës. Në fillimet e demokracisë në vitin 1990, iu bashkua vëllezërve të tij shpirtëror, klerikëve bektashianë, duke dhënë ndihmesë të çmuar në ri ngritjen e besimit dhe veprave të kultit. Në vitin 1994, pas dy vite pune e sakrificash, Haxhi Saliaj, vishet “baba” dhe deri sa kaloi nga kjo botë në vitin 2003 dha një kontribut të vyer në teqenë e Zallit në Gjirokastër. Me emrin e baba Haxhi Saliaj, lidhen organizimet strukturorë, këshillat e teqeve, ndërtimi i tyrbeve të reja dhe ri ngritja e atyre të vjetra në krejt gjyshatën e Gjirokastrës, duke i dhënë një hov të madh gjithë lëvizjes bektashiane në jugun e Shqipërisë.
Përgatiti : Naim DERAJ
Pamjet video: Studio Duka