Ditën e premte, 30 gusht 2024, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj mori pjesë në ceremoninë e përurimit të tyrbes së dervish Islamit në fshatin Shelq, Përmet.
Të pranishën në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues të pushtetit vendor, personalitete të larta shtetërore, shoqërore, klerikë dhe besimtarë të shumtë.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, bekimi i tij, u pritën me adhurim dhe krijoi një atmosferë miqësore, shoqërore e besimi, e cila vazhdoi gjatë gjithë aktivitetit. “ Është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu, në fshatin e vogël Shelq të Përmetit, por banorë me zemër të madhe. Më lejoni t’ju uroj e bekoj: Paçi fat e mbarësi kurdoherë në familjet tuaja!
Vij këtu për herë të parë në Shelq të Përmetit, në vendin e shenjtë, te Bregu i Shelqit, ku ju, me mund dhe sakrifica, gjithë banorët e fshatit kini ndërtuar këtë tyrbe të mrekullueshme, në nderim dhe përkujtim të dervish Islamit. Ju lumtë e paçi bekim dhe dashuri e vëllazëri përgjithmonë!
Sot bëhet përurimi i tyrbes dhe pelegrinazhi që do përkujtohet çdo vit. Bektashizmi në Përmet është i hershëm me misionarët që kanë ardhur qysh në shek. XV. Si në Petran, Përmet, Alipostivan, Këlcyrë, Bubës e në gjithë Përmetin. Janë të njohur teqeja e Frashërit, Përmetit, Alipostivanit, Këlcyrës, Bualit, Kiçokut etj . Rolin e veçantë që ka luajtur në rilindjen Kombëtare teqeja e Frashërit me baba Alushin e famshëm që rrezatoi jo vetëm në Përmet e zonën e Dëshnicës por në gjithë Shqipërinë e jugut dhe më gjërë. Gjithë Dëshnica ka teqe, tyrbe dhe Vende të Mira. Ja nga ky vend piktoresk duket tyrbja e dervish Ahmetit në Rodenj dhe atë të dervish Orhanit në Zhepovë. Pranë me Kajcën kini gjurmën e Abaz Aliut, heroi i Qerbelasë. Në fshatin tuaj, Shelq lindi më 10 janar 1889, Islam Meçani (Bregu). Nga rrënjët është në trungun familjar Ademi i Parë të fisit Meçani, një fisë i madh. Ai ka një biografi të pasur sipas dokumenteve arkivore që ne disponojmë. Prindërit qenë; babai, Adem dhe nëna, Taibe, të cilët i kanë vdekur herët, rreth viteve 1900. Atë e rriti xhaxhai, Jemini dhe gruaja e tij, Sherina, të cilët e edukuan me frymën e dashurisë pë Zotin, për punën dhe atdheun. Ai shkonte me Jeminin, në ceremonitë e ndryshme fetare, në teqenë e Sukës dhe të Prishtës. Me dashurinë e madhe që kishte për bektashizmin, iu përkushtua dashurisë për Zotin. Pasi kaloi provat si kandidat për dervish sipas rregullave bektashiane, ai mori gradën dervish nga baba Kamberi, në vitin 1926. Shërbeu për një kohë të gjatë në teqenë e Prishtës. Ai ka shërbyer edhe në teqenë e Sukës, Tomorr, dhe në vitin 1967 ishte dervish në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Pas ndalimit të fesë me ligj, në moshë të madhe jetoi në Shelq te vëllai i tij, Maliqi deri në vitin 1974, kur kaloi nga jeta.
Dervish Islami gjatë gjithë jetë së tij u karakterizua nga ndenja e ndershmërisë, korrektesën dhe përkushtim si klerikë për bektashizmin. Me zemërbardhësinë e tij falte dashuri dhe këshillat e tij i dëgjonin gjithë besimtarët dhe dashamirësit. Gojë ëmbël, i respektonte të gjithë njerëzit. Jo vetëm i respektonte por ai kish edhe dhunti, bënte qermet, shëruese për këtë flasin shumë besimtarë që e kanë njohur nga afër dhe i ka ndihmuar. Më vjen mirë se Tyrbja e dervish Islamit është rrethuar me 36 pemë selvi, të cilat mbajnë emrat e kryefamiljarëve që kanë patur shtëpi (oxhaqe). Rikthim te tradita e vjetër e bashkimit dhe vëllazërimit me besimin bektashian, banorët e Shelqit kudo që janë brenda dhe jashtë vendit duan familjen, Shelqin, duan Shqipërinë, duan besimin bektashian.
Motra dhe vëllezër!
Besimi bektashian na ka dhënë forcë dhe na ka mbajtur gjallë, në vitet më të vështirë të diktaturës që kaluam. Ky besim na shumëfishon forcat për t’u paraprirë zhvillimeve të sotme të jetës njerëzore, duke iu afruar sa më shumë vëmendjes së Krijuesit. Vetë doktrina bektashiane, në thelbin e saj përveç dashurisë për Zotin, përmban në vetvete një varg tiparesh të mrekullueshëm, siç janë dashuria për vatanin, për vëllanë që ke në krah, për diturinë, për familjen e shëndoshë dhe me moral të lartë. Bektashinjtë mbajnë moton “Pa atdhe nuk ka fe”. Ceremonitë fetare të Bajramit Madh të Vogël, Sulltan Nevruzit, mbajtja e matemit dhe dita e Ashures kanë mbetur të gjalla në memorien e besimtarëve dhe dashamirësve të fshatit Shelq.
Sot duke bërë këtë ceremoni ne kujtojmë dhe ruajmë gjallë, gjurmët e mësimet e dervish Islamit dhe gjithë klerikëve, që mbollën dashuri, mirësi, vëllazëri e harmoni në gjithë trevën e Përmetit. Me këtë rast dua të falënderoj përkushtimin dhe dashurinë për besimin bektashian që ka punuar organizatori i nderuar, z. Ramiz Kamani dhe falënderoj të 36familjet e fshatit Shelq që kontribuan në ndërtimin e tyrbes të dervish Islamit.
Gjithashtu klerikun e palodhur baba Hekuran Nikollari, në ringjalljen e bektashizmit në Përmet dhe në përhapjen e frymës të vëllazërisë dhe shpresës.
Me këtë rast ju urojmë të gjithëve, shëndet dhe dashuri të duam njeri-tjetrin ta gëzoni tyrben e re të dervish Islamit!
Gëzuar këtë ditë të shënuar!
Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin! ”
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ