PJESËMARRJA E KRYEGJYSHATËS BOTËRORE BEKTASHIANE NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE TË GRAVE PËR PAQE DHE ZHVILLIM 

Më datat 24–26 tetor 2025, në Tiranë u zhvillua Konferenca e 22-të Vjetore e Lidershipit të Grave, organizuar nga Global Women’s Peace Network dhe Federata e Grave për Paqe Botërore (WFWP), me temë:

“Pathways to Peace and Development through Women’s Initiatives” (Rrugët drejt Paqes dhe Zhvillimit përmes Iniciativave të Grave).

Në këtë aktivitet ndërkombëtar morën pjesë përfaqësuese të institucioneve shtetërore, fetare dhe organizatave ndërkombëtare nga vende të ndryshme të botës.
Konferenca u fokusua në rolin e grave si promotore të paqes, zhvillimit dhe dialogut ndërfetar, duke përfshirë sesione mbi lidershipin me vlera, teknologjinë dhe fuqizimin e grave, harmoninë ndërfetare, mbështetjen e ndërsjellë, si dhe veprimet për klimën dhe shëndetin holistik.
Në këtë kuadër, Kryegjyshata Botërore Bektashiane përcolli përshëndetjet e saj zyrtare në emër të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, të cilat u lexuan gjatë sesionit mbi “Rrënjët e Harmonisë përmes Dialogut Ndërfetar”.
Në fjalën e tij, Kryegjyshi vuri në dukje rolin e shenjtë të gruas në filozofinë bektashiane dhe rëndësinë e kontributit të saj në ndërtimin e paqes dhe mirëkuptimit midis njerëzve e komuniteteve.

PËRSHËNDETJE NË EMËR TË KRYEGJYSHIT BOTËROR TË BEKTASHINJVE
Me rastin e konferencës me temë: “Paqja dhe Zhvillimi përmes Iniciativave të Grave”
Të nderuar përfaqësues të institucioneve fetare e shtetërore,
Të respektuara zonja dhe zotërinj,
Të dashura motra e vëllezër në rrugën e dashurisë hyjnore,
Është kënaqësi dhe nder i veçantë që, në emër të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj , të përcjell përshëndetjet më të përzemërta për këtë veprimtari të frytshme, që ka në qendër rolin e gruas si urë e paqes, zhvillimit dhe bashkëjetesës ndërnjerëzore. Në traditën dhe filozofinë bektashiane, gruaja zë një vend të shenjtë, si bartëse e jetës, e urtësisë dhe e mëshirës. Qysh nga fillesat e këtij besimi, gruaja është nderuar jo vetëm si nënë e dashurisë, por edhe si bashkudhëtare në udhën e shpirtit, në kërkimin e së Vërtetës dhe të Zotit. Bektashizmi, si udhë mistik e fesë Islame, beson se pa përfshirjen aktive të grave, pa zërin dhe vizionin e tyre, nuk mund të ketë as paqe të qëndrueshme e as zhvillim të drejtë. Ajo që ndërton paqen në shpirtin e familjes, që edukon brezat me dashuri dhe mirësi, është po ajo grua që mund të ndërtojë ura midis komuniteteve e kombeve. Në këtë kohë sfidash globale, kur konfliktet, padrejtësitë dhe mungesa e dialogut shpesh errësojnë dritën e shpresës, nismat e grave bëhen rrugë të shenjta drejt pajtimit dhe bashkimit. Siç thotë mësimi bektashian: “Aty ku ka dashuri, ka Zot; aty ku ka drejtësi, lulëzon paqja.” Në këtë kontekst, marrëdhëniet ndërfetare përbëjnë një shtyllë themelore të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit global. Bektashizmi, ka kumtuar gjithmonë se Zoti është Një dhe rrugët që çojnë tek Ai janë të shumta. Në këtë frymë, gratë e angazhuara në dialogun ndërfetar kanë luajtur dhe luajnë një rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e urave të besimit dhe respektit mes komuniteteve të ndryshme. Ato janë ambasadore të dashurisë, që me fjalën dhe veprën e tyre mbjellin paqe aty ku dikur kishte ndarje. Kryegjyshata Botërore Bektashiane beson se paqja nuk është vetëm mungesë e luftës, por fryt i bashkëpunimit, i drejtësisë dhe i respektit reciprok. Në këtë drejtim, nismat e grave në fushën ndërfetare, kulturore dhe sociale janë rrugët më të ndritura që çojnë drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe paqes universale. Në emër të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, uroj që kjo konferencë të frymëzojë reflektim, dialog dhe bashkim të zemrave në shërbim të së mirës së përbashkët.
Uroj që puna dhe përkushtimi juaj të ndriçojnë rrugët e bashkëjetesës dhe të bëhen shembull frymëzimi për brezat që vijnë. Zoti ju bekoftë me dritë, dashuri dhe paqe!
Me respekt e bekim,
Në emër të Kryegjyshit Botëror
Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj