Portreti i Dede Edmond Brahimaj, në ekspozitën Fotografike, “Anatomia e Imazhit”, të autorit Edvin Çelo

Në orën 19:00 të ditës së martë, 21 shtator 2021, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u hap ekspozita fotografike me portrete, “Anatomia e Imazhit” (The Anatomy of the Image), e autorit Edvin Çelo. Në këtë ekspozitë merrnin pjesë artistë të fushave të ndryshme, përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të institucioneve fetare, kolegë të autorit dhe dashamirës të fotografisë etj. Kurator i ekspozitës ishte Vladimir Myrtezai-Grosha. Në këtë ekspozitë, ishin paraqitur portrete të personaliteteve të njohur në fusha të ndryshme, mes tyre, dhe ajo e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede  Edmond Brahimaj. Ceremoninë e hapi Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Për të pranishmit, një tablo prezantuese e ekspozitës, ishte përgatitur nga kuratori Vladimir Myrtezai-Grosha. Ja pjesë nga kjo paraqitje: Të fotografosh kohën është një mision që ka të bëjë me një proces të veçantë dhe me një rrugëtim të zgjatur për ta kthyer momentin e fiksuar nga një element temporal në një ndalesë evokuese, ku përmbajta fotografike vjen si nënshtresë e ri-tregimit përmes artit të vrojtimit. Si në të gjitha udhëtimet e mendjes, fotografi është një përcjellës i takimeve të para i cili transmeton vëzhgimin e tij përmes paralelesh kulturorë dhe rrugëtimit mbi shpatullat e një ecurie të traditës. Por jo gjithkush mbërrin në një destinacion për të transmetuar kohën e vet, pasi jo të gjithë kanë aftësinë ta paraqesin këtë akt të ndalimit të ekzistencës së materies përmes imazhit si një kohë e ndalur që kërkon të ndalojë cilësisht.
Edvin Çelo çan siparin në një shteg gati të puthitur tradicional si sistem referimi në gjuhën e fotografisë, duke udhëtuar përmes një procesi të zgjatur fotografimi për të risjellë në fokus më imtësor volumet përballë aparatit të tij. Ky është një manipulim teknik operacional mbi një grup portretesh; këta subjekte janë njerëz me ndikim dhe të klikuar në masë. Moduli i zgjedhur i Çelos është një dritare efikase ku nëpërmjet një selektimi subjektiv gjejnë shpërfaqjen një seri personazhesh eklektike.
Zgjedhja e tij ngjan shpesh me një lloj tërheqje që jo gjithherë ka të bëjë me përmbajtjen, por me pëlqimin dhe mospëlqimin bazuar mbi një ekuacion kompleks emocional. Kur personazhi zgjidhet, Edvin Çelo operon nëpërmjet një moduli thellësisht rigoroz ku personazhi kryen udhëtimin e vet për të na zbuluar gjithë ndryshimet karakteriale të subjektit.
Çelo, me një ambicie të lartë artistike dhe duke njohur shumë mirë mundësitë teknike të zhanrit, bën zgjerimin e kërkimit të tij ngjashëm me një udhëtim stratigrafik, duke e zhveshur secilin individ nga formulat rutinë të manipulimit publik si përmbajtje, e duke e kaluar atë në një tjetër rrafsh, në përballje të drejtpërdrejtë me objektivin e tij zhbirues. Rishikimi i dritës nga Çelo në dendësi molekulare përjetohet në mendjen e artistit ngjashëm me një proces të rindërtimit nga e para të gjithçkaje. Fotografia vjen në fazën finale si një dialog me subjektin, thuajse si një zbardhje fjalë-për-fjalë marrë gjatë një interviste të mirë menduar. Kjo qasje që ofron autori nxjerr në dritë me një fanatizëm artistik një mori procedurash rigoroze që nëpërmjet kërkimit dhe prekjes së tij bëhen të dukshme. Çelo kryen një udhëtim fotografik që nga pikëpamja e volumit të punës do i ngjante letërsisë konkrete si narrativë e rishikimit.
Cikli që përzgjedh Edvin Çelo gjendet në një perpetuum mobile, duke tentuar një skanim të imtësishëm të kohës që autori qëllimisht e le të hapur si një projekt pa fund. Duke marrë këtë qëndrim Çelo krijon mundësinë që kjo rrjedhë në formën e vet të zhvillimit të humbasë skicën e programuar të aktit fotografik, dhe të transformohet në një element plotësues të një hartografie të mendjes krijuese të artistit, duke mohuar një ekspozim thjesht të traditës në favor të formës më të lartë klasike të vjeljes së portretit.
Projekti i Çelos bazohet mbi një kornizë të hapur të imazhit ku transi psikologjik bën udhëtimin e vet. Çelo nuk tenton vetëm zbulimin e dritës por ndjek psikozën e secilit personazh duke qenë vetë ata që, pas njëfarë kohe përballë aparatit, shtendosen dhe vetë ofrohen për tu zbuluar përpara objektivit. Të gjithë subjektet zhvishen nën këtë optikë dhe shënjohen si volume grafike ku diferencën e bën antropologjia e formës direkt, pa lojën me efekte të ndriçimit të befasishëm e të ndryshueshëm.
Në portofolin e artistit gjejmë një volum krijimesh fotografike si mjeshtër i teknikave të vizatimit nëpërmjet dritës në të gjithë spektrin e saj dhe kapjes së gjendjeve tranzicionale të mbivendosura përforcuar edhe me referenca linguistike. Çelo njeh shumë mirë plan-vendosjen, dhe gravitacionin e elementeve kompozicionalë. Ai shpalos një shkathtësi që e tejkalon syrin e thjeshtë e të lirë të një fotografi duke mbërritur në një nivel artistik të një valence parësore.
Edvin Çelo ka një lidhje organike me fotografinë duke tejkaluar kërkesën formale që mediumi ofron, për shkak të vrojtimit të tij zhbirues që përkthehet në propozime alternative befasuese me një gjuhë vizuale të sprovuar dhe thellësi që braktisin realizmin në një kërkim pa fund për shpirtëroren.”.
Në fund, autori falënderoi prezantuesit dhe pjesëmarrësit e shumtë, të pranishëm në këtë aktivitet.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI

Fotot: Nuri ÇUMANI