Prekazi, Qerbelaja shqiptare (Për nder të ngjarjes kombëtare “Epopeja e UÇK-së, 5-6-7 mars”)

Liria është e shenjtë. Përpjekja për liri është e shenjtë. Angazhimi për liri të popullit të shtypur është urdhër nga Zoti. “Pa Atdhe nuk ka Fe” – deklarohet në maksimën e shenjtë bektashiane – prandaj rënia në udhën e atdhedashurisë, garanton mirënjohje e përulje të përjetshme ndaj martirëve të lirisë e pavarësisë së Kosovës.
Të rënët në përpjekjet për liri janë martirë. Zoti i madhëruar thotë: “E për ata që u mbytën në rrugën e All-llahut mos thoni: ‘Janë të vdekur’, Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk kuptoni” – Kuran. Udhë e Zotit është lufta për liri të popullit e të vendit!
Rënia legjendare e familjes Jashari, bektashinjve iu përkujton sakrificën e Familjes Profetike. 59 varret e anëtarëve të familjes Jashari që dëshmojnë sakrificën në përpjekjen e pashembullt të shqiptarëve të Kosovës për liri e demokraci, përgjasojnë rënien e Imam Hyseninit me 72 dëshmorët e Qerbelasë për hir të së vërtetës dhe kundër të të shtrembërtës.
Shaban Jashari rriti djem për t’ia dhuruar kombit. Adem e Hamzë Jashari sakrifikuan familjet vetëm që kombi të jetojë i lirë. Dhanë shpirtin duke kënduar, në luftë kundër të pavërtetës, në angazhimin më sublim për lirinë e Kosovës martire.
Bektashinjtë shqiptarë përgjithësisht, veçanërisht bektashinjtë e Kosovës, ndjejnë mirënjohje të thellë ndaj sakrificës së familjes Jashari.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane përkujton me vlerësimet më të thella ngjarjet historike të Prekazit. Shenjtori bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi bekoi me vizitën e tij, këtë vend pelegrinazhi për gjithë shqiptarët.
Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dedebaba Edmond Brahimaj, shpreh mirënjohjen më të thellë kombetare e fetare ndaj të rënëve të familjes Jashari dhe gjithë martirëve të popullit shqiptar që ranë në angazhimin e jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Përgatiti:
Lorik BAKIJA