Ka pikturuar dhe ekspozuar në galeritë më të rëndësishme të botës, por tani në këtë moment të jetës, po i dhuron pikturat e tij.
Pas Shkupit, Prishtinës, radha i ka ardhur Tiranës. Pikturat do të qëndrojnë në galerinë e përhershme që mban emrin e tij pranë Muzeut të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit.
Ditën e sotme, në një ceremoni të veçantë, në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, nën kujdesin e drejtpërdrejt të Kryegjyshit Botëror, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në një pavion të veçantë, u çel galeria e piktorit të shquar, mjeshtrit të madh, Z. Omer Kaleshi. Në këtë ditë të solemne nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe personalitete të shquara nga fusha të ndryshme si znj. Suzana Jahollari - Prefekti i Qarkut Tiranë, z. Besnik Mustafaraj, z. Moikom Zeqo, z. Luan Rama etj.
Omer Kaleshi njihet kudo në botë si “piktori i kokave”, dhe Dervishët, barinjtë dhe njerëzit e thjeshtë përbëjnë pjesën më të madhe e të rëndësishme të veprave të tij. Njëri pas tjetrit ata shfaqen në pëlhurat e tij me botën e tyre mistike, tablotë janë të thjeshta si jeta e dervishëve dhe paraqesin një pasuri madhështore brenda kësaj thjeshtësie.
Mesazhi i veprave të tij është se duhet të ndërpriten paragjykimet dhe dallimi i njerëzve në bazë fetare, etnike apo kombëtare. Ftesë u bën gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm ta vizitojnë ekspozitën e tij .
Nuk mungoi as vleresimi nga Kryegjyshi, i cili e cilësoi këtë ditë historike për bektashizmin "...është kënaqësi e veçantë të jemi sot së bashku në promovimin e galerisë që mbanë emrin e një prej piktorëve më të mëdhenj shqiptarë në këta dy shekuj të fundit. Është kënaqësi gjithashtu që ai iu përgjigj ftesë sonë dhe erdhi posaçërisht nga Parisi për të ndarë së bashku emocionet e kësaj dite. Ju faleminderit nga zemra profesor Omer Kaleshi dhe ju siguroj se do të keni kurdoherë urimet më të mira të gjithë bektashianëve, kudo ku ata jetojnë e punojnë nëpër botë! Galeria e sotme, ka ardhur në momentin e duhur dhe përpara se të jetë vullneti ynë, i njerëzve, është padyshim vullneti i Zotit. Tanimë, identitetit tonë të materializuar në muze, historisë, etnografisë, trashëgimisë kulturore kaq të pasur, do t’i shtohet edhe galeria me emrin e vëllait tonë Omer Kaleshi, arti i të cilit prej dekadash është bërë i njohur në gjithë Europën dhe vështrohet nga miliona dashamirës të pikturës. Nuk kam as më të voglin dyshim, se kjo galeri e mrekullueshme, nuk është thjeshtë një shtesë në objektin tonë shumëdimensional, por një vlerë më shumë, një dritë më shumë në mozaikun e trashëgimisë sonë të kulturës bektashiane universale. Sinqerisht, do të kisha dëshirë sot, të dëgjoja miqtë më të ngushtë, ambasadorët apo piktorët, të flisnin për veprën e Omer Kaleshit. Por më jepet e drejta sigurisht të them, se jeta njerëzore dhe ajo artistike bashkudhëtojnë në karakterin e Omer Kaleshit në një harmoni të habitshme. Personalisht ruaj mbresa të jashtëzakonshme të takimeve me ‘të si në Paris, në ditët bektashiane për nder të Naim Frashërit, ashtu dhe në Tiranë, si miku i Selisë tonë të Shenjtë. Thjeshtësia dhe urtësia që rrethojnë këtë personaliteti, më kujton shpesh dervishët dhe baballarët tanë, të cilët në teqetë më të largëta, në vetminë e tyre kanë shpërndarë dashuri hyjnore edhe përmes heshtjes së tyre. Është pak të them se dita e sotme është historike për bektashinjtë në mbarë botën. Portretet e dala prej shpirtit të Omer Kaleshit, që në të shumtën e rasteve janë vegime dervishësh bektashianë, i shtojnë një dimension të ri, jo thjeshtë këtij muzeu, por vetë historisë sonë, të sotme dhe të nesërme. Ato do të mbeten këtu përjetësisht, falë gjestit bujar të vëllait tonë Omer Kaleshit, i cili e ka taksur këtë dhuratë gati një vit më parë, kur bisedonim në shtëpinë e tij, në Paris. Ajo bisedë e vjetshme sot është shndërruar në një realitet kaq mbresëlënës. Edhe një herë faleminderit vëllai ynë Omer Kaleshi! Zoti të ruajt dhe të paçim sa malet!.