Presidenti Meta takon krerët e komuniteteve fetare

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, për të diskutuar mbi situatën e pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pasojat jo vetëm materiale, por dhe shpirtërore të qytetarëve në zonat e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.
Presidenti Meta i falënderoi Krerët e Bashkësive fetare për reagimin e tyre të menjëhershëm, duke u gjendur pranë njerëzve në këto momente të vështira dhe vlerësoi mbështetjen e tyre të pazëvendësueshme materiale, shpirtërore, morale dhe psikologjike.
“Roli juaj për rimëkëmbjen shpirtërore, rikthimin e shpresës, forcimin e solidaritetit e kurajës në kapërcimin e momenteve më të vështira që ka kaluar dhe kalon populli ynë është shumë i vyer”, – nënvizoi Presidenti Meta.
“Situata tragjike dhe kjo krizë e rëndë humanitare për të gjithë shoqërinë tonë duhet të shërbejë si një moment jo vetëm reflektimi por edhe pajtimi për të qëndruar së bashku në ndërtimin e një të ardhme me paqe, shpresë e dashuri, si një fillim i ri që vendi të ringrihet, jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht dhe psikologjikisht”, – ishte mesazhi i përbashkët i Kryetarëve të Bashkësive fetare në takimin me Presidentin e Republikës.
Kreu i Shtetit kërkoi që të verifikohen dhe të evidentohen të gjitha objektet e kultit të dëmtuara nga tërmeti, në mënyrë që në një kohë sa më të shpejtë të mundësohet rikthimi i tyre në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë.