Libri “Dede Edmond Brahimaj, 10 vite Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, i Kujtim Boriçit & Nuri Çunit një libër me vlera dokumentare e historike
Sot, në orën 18:00, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, promovohet libri “Dede Edmond Brahimaj, 10 vite Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, i autorëve Kujtim Boriçi & Nuri Çuni. Njëkohësisht, publikohet dhe albumi fotografik, kushtuar ish’Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi, përgatitur nga Selia e Shenjtë. Po japim më poshte fragmente nga ky libër.
Në vend të prezantimit
Materiali që prezantojmë, në formatin e një libri, titulluar “Haxhi Dede Edmond Brahimaj-10 vite Kryegjysh Botëror i Bektashizmit”, ndonëse merr shkas nga një datë historike në udhën 800-vjeçare të rrugëtimit të këtij besimi të paqtë, është konceptuar disi më ndryshe, me synim që nëpërmjet rolit të protagonistit, të evidentohen shkurtazi disa nga arritjet e shënuara gjatë kësaj periudhe.
Së pari, se arritjet e kësaj dekade, në vijimësi të traditës shekullore, në veçanti të periudhës pas vitit 1990, kur u ringrit bektashizmi e drejtoi Kryegjyshi Haxhi Dede Reshat Bardhi, kanë qenë e janë të shumta. Renditja e disave në këtë material, është shumë pak me ‘gjurmët’ në këtë dekadë, që në të ardhmen do të gjejnë hapësira të tjera publikimi.
Së dyti, se në këto arritje të 10 viteve të fundit, roli si klerik, atdhetar e intelektual,i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pasues i shenjtit Dede Reshat Bardhi, është tejet i rëndësishëm dhe i vlerësuar.
Së treti, shfrytëzimi i dokumenteve arkivore, dëshmive mediatike, dokumenteve filmike, regjistrimeve origjinale, fotografive, duke i sjellë në formën origjinale, arritjet e rolin e protag0nistit e sjellin si produkt i përbashkët i Dede Edmond Brahimajt, vëllezërve të tij baballarë e dervishë brenda e jashtë Shqipërisë, myhibëve e besimtarëve të thjeshtë kudo që ndodhen nëpër botë.
Së katërti, ndonëse libri profesionalisht është konceptuar e hartuar në bazë të kritereve të një monografie, ai nuk synon të jetë monografi e plotë e protagonistit, por, të themi më mirë, është një projekt që mbetet hapur.
Së pesti, ashtu si çdo libër (i çdo lloji), për shkak të kohës, protagonistit, ngjarjeve në kohë e hapësirë në përballje me sfidat e parashikuara apo jo, edhe ky libër, ka specifikat e veta.
Së gjashti, përjashtimi i vetë protagonistit nga ky projekt (gjë normale në raste të tilla), mendojmë se ka gjetur kompensim tek masa e madhe e dervishëve, baballarëve, myhibëve, besimtarëve, kolegëve të shumtë që treguan gatishmërinë e tyre konkrete për përfundimin e librit. Me këtë rast, ne si autorë, u shprehim mirënjohjen dhe i falënderojmë të gjithë.
Së shtati, mendojmë se si për çdo libër, sigurisht ka dhe mendime apo objeksione të ndryshme e ne i mirëkuptojmë. Koha që vjen, plotëson dhe atë që ndoshta nuk është evidentuar.
Së fundi, jeni ju besimtarë, lexues apo kushdo që do të jeni kritikët më të saktë për atë që ne po u servirim.
Me mirënjohje,
Autorët:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI
Libri “Dede Edmond Brahimaj, 10 vite Kryegjysh Botëror i Bektashinjve”do të jetë një libër referues për studiuesit e mëvonshëm të bektashizmit
(Parathënie e librit)
Dr. Dorian KOÇI
Ringjallja shpirtërore e njerëzve, është një monopat dhe shteg i ngushtë i njohjes së vetvetes dhe botës së mbarë. Në këtë udhë të vështirë të rigjetjes së vetvetes, kaloi pothuajse i gjithë populli shqiptar që nga ndërprerja e dhunshme e lidhjeve stërshekullore mes shqiptarëve dhe besimit në Zot, kur në vitin 1967 u mbyllën institucionet fetare në vend. Udha e Bektashizmës me udhën e shqiptarizmës, janë të lidhura që herët në memorien kolektive shqiptare. Ato kanë marrë udhë që në vitet e Rilindjes Kombëtare në fjalët e Poetit Kombëtar Naim Frashërit se Baballarët duhet të kryesojnë me fjalë të shenjta luftën e lirisë shqiptare, varfët t’u bëhen shokë në gëzim e në hidhërim kombëtarëve. Të dashurit (myhypët) të mos kursehen nga vdekja për atdhe.Kjo simbiozë kulturore, fetare dhe atdhedashurie, ka hedhur rrënjë në territoret shqiptare duke i dhënë një nga fizionomitë atdhetarizmit shqiptar.
Libri “Dede Edmond Brahimaj,10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashinjve”, i autorëve Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni, është një libër udhëtim në ringjalljen e Bektashizmit pas viteve 90’ në Shqipëri, në sfidat, vështirësitë por edhe nxjerrjen në pah të vlerave universale të Bektashizmit të mishëruara në personalitetet e Haxhi Dede Reshat Bardhit dhe Haxhi Dede Edmond Brahimaj, që udhëhoqën ringjalljen e Bektashizmit në Shqipëri. Në të njëjtën kohë në këtë libër përmes përpjekjeve të dokumentuara të baballarëve bektashinj pas viteve 90’, e gjejnë veten të gjithë ata që sado pak kanë kontribuar në këtë ngrehinë të madhe shpirtërore të ringjalljes së Bektashizmit, pasi libri është i mbushur me informacion për të gjitha aktivitetet e rëndësishme shpirtërore e kulturore që kanë ndodhur në këto 10 vjet në Shqipëri.
Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaj është kryegjyshi i 39-të i zgjedhur për të udhëhequr në udhën e bektashizmës duke mbartur mbi vete një periudhë 800 vjeçare. Udha shpirtërore e tij nuk ka qenë e lehtë dhe ajo reflekton të gjitha ndryshimet kohës që ndodhën në Shqipëri në mesin e shekullit të XX. Fill pas rënies së komunizmit në Shqipëri Haxhi Dede Edmond Brahimaj iu përgjigj vokacionit të tij shpirtëror për ti shërbyer udhës së shndritshme të bektashizmës që i kishin shërbyer dhe paraardhësit e tij. Më 2 janar të vitit 1992, ai merr dorë tek udhëheqësi i tij shpirtëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe Baba Barjam Mahmutaj, duke u inkuadruar kështu përfundimisht në rrugën e Pirit të ndritur Haxhi Bektash Veliut. Më 16 maj 1996 konsakrohet me urdhrin “Dervish” dhe, menjëherë ngarkohet me detyrë në Gjyshatën Bektashiane Korçë, në Teqenë e njohur të Turanit.
Puna e palodhur e tij për kontinutetin dhe ringritjen e besimit bektashian në Librazhd, Pogradec, Mokër, Korçë, Devoll dhe Kavajë, bëri që më 13 prill të vitit 1997, të dekretohet me titullin “Baba”. Pas kalimit nga kjo jetë i baba Bajram Mahmutajt, caktohet si zëvendës i parë i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Në këtë funksion të lartë, kontributi i tij ka qenë i çmuar, sidomos në ideimin, përgatitjen dhe realizimin e tri kongreseve të radhës të bektashizmit. Madje, në dy kongreset e fundit ( Tiranë 2000 dhe 2005) ka raportuar në cilësinë e përgjegjësit në emër të Këshillit të Lartë Gjyshëror.
Në marsin e vitit 2006, me kalimin nga jeta të Baba Tahir Eminit, gjithashtu emërohet në funksionin e gjyshit të gjyshatës bektashiane në Maqedoni. Kontributi i tij në këtë gjyshatë ka qenë sa në rrafsh të organizimit të komuniteteve të besimtarëve atje, dhe në aspektin e njohjes prej ndërkombëtarëve. Si në Korçë edhe në Tetovë, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ka manifestuar cilësitë e spikatura të klerikut bektashian në aspektin doktrinor, moral dhe qytetar, duke u shndërruar në faktorin e tolerancës fetare midis besimeve të tjera.Me vendim ekstra, datë 11.06.2011 (160, në protokoll, datë 04.07.2011) të Këshillit të Lartë Gjyshërorë të Kryegjyshatës Botërore, pas kalimit nga jeta e Haxhi Dede Reshat Bardhit më 11.06.2011, Dede Edmond Brahimaj është zgjedhur në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve.
Me zgjedhjen e tij në këtë detyrë të lartë shpirtërore Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka mishëruar vlerat më të larta të besimit bektashian duke rimarrë, nxjerrë në dritë e pasuaruar traditat më të mira bektashiane dhe frymën e kongreseve bektashiane të viteve 20’. Në faqet e këtij libri përmes dokumentimit të aktiviteteve të shumtë kulturorë për të ndriçuar udhën e Bektashizmës duken sikur kanë gjetur pasqyrim fjalët e Baba Ali Tomorrit në Kongresin Bektashian të Prishtës se Kongresi i Prishtës hodhi themelin e jetës së re për bektashinjtë. Ky themel forcohet me dituritë, jo me tjetër gjë, ligjet e tjera janë për të mbajtur situatën e pëlqyeshme të sotmen në grupin liberal të natyrshëm të bektashinjve.
Mbështetja e pakufi dhënë jetës në marshimin e madh për paqen në Paris pas ngjarjeve të dhimbshme të vrasjes së 12 gazetarëve të Çharlie Hebdo është një tjetër dëshmi e udhës shpirtërore dhe vizionit të Haxhi Dede Edmond Brahimaj për të promovuar paqen dhe harmoninë fetare që janë dhe gur themeli të besimit bektashian. Këtë vepër e shikojmë të mishëruar edhe sot , jo vetëm në rregullimet ligjore brenda komunitetit bektashi por edhe në tolerancën fetare të demonstruar sot në Shqipëri, ku komuniteti bektashi ka dhënë një kontribut të çmuar.
Ky libër padyshim do të jetë një libër referues për studiuesit e mëvonshëm të Bektashizmit. Qëmtimi me kujdes i materialeve dhe paraqitja e tyre ndaj publikut i shërben jo vetëm së sotmes por mbi të gjitha dhe të ardhmes. Cili do që zhytet mes faqeve të tij fillon e ndihet udhëtar në një monopat të gjerë dije si është udha bektashiane.