PROMOVOHET NË TEPELENË, LIBRI ‘BEKTASHIZMI NË TEPELENË’

Ditën e enjte, 21 dhjetor 2023, në mjediset e Pallatit të Kulturës “Mustafa Matohiti”, u bë promovimi i librit “Bektashinjtë e Tepelenës”, i autorëve Nuri Çuni dhe Naim Dëraj. Aktiviteti u organizua nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Bashkia e Tepelenës dhe Bashkia Memaliaj.
Në këtë aktivitet, merrte pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj; z. Tërmet Peçi, Kryetar i Bashkisë së Tepelenës; z. Albert Malaj, Kryetar i Bashkisë Memaliaj, klerikë bektashian të gjyshatës së Gjirokastrës e gjyshatave të tjera, drejtues e pedagogë të Universitetit “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës, studjues e historian nga Tirana dhe, besimatarë të shumtë.
Pas Himnit Kombëtar dhe Himnit Bektashian, që çelën aktivitetin, të pranishmit i përshëndeti Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj, theksoi: “….Të nderuar Kryetar të Bashkisë Tepelenë e Memaliaj, z. Tërmet Peçi dhe Albert Malaj! Të nderuar profesorë, shkrimtarë dhe studiues! Të nderuar pjesëmarrës në këtë event të rëndësishëm, promovimin e një libri që pasqyron historinë e bektashizmit në trevën tuaj dhe më gjerë. Libri “Bektashizmi në Tepelenë”, që ne promovojmë sot, i autorëve, Nuri Çuni e Naim Dёra, është pjesë e një projekti në vijimësi i Selisë së Shenjtë Bektashiane, për të njohur, studjuar, pasuruar e dokumentuar historinë tetëshekullore të besimit tonë të paqtë, në Shqipëri e në mbarë botën, ku punojnë e jetojnë miliona besimtarë bektashianë. Është një projekt në përmbushje të misionit tonë, që nëpërmjet punës shkencore në këtë aspekt, të evidentojmë historinë tonë të lavdishme fetare e atdhetare në dobi të njerëzimit, me synimin për një botë sa më të paqtë, për më shumë dashuri e harmoni njerëzore, për më shumë solidaritet, me besimin e palëkundur, tek i Madhi Zot! Theksoj që në fillim, se nëpërmjet këtij libri, autorët kanë ditur të marrin përsipër të bëjnë historikun e bektashizmit në shekuj për Tepelenën, e mendoj që ja kanë arritur. Do veçoja trajtimin që bëhet në libër, në strukturë, ç‘është bektashizmi, në shtrirjen gjeografike, tek objektet e kultit bektashian, evidentimin e teqeve, tyrbeve, vendet e mira etj. Shkrime, studime dhe gjurmimet e bëra, të sjella në këtë libër, kanë dhënë një material interesant me vlerë historike dhe shkencore për bektashizmin në këtë trevë.
Këtu, për herë të parë dalin elemente se si u bë anëtar spiritual i tarikatit bektashian, Ali Pashë Tepelena, kontributi dhe mbështetja që i dha bektashizmit në Pashallëkun e Janinës dhe në Shqipëri. Fakti që autorët duke qëmtuar, hulumtuar nxjerrin në pah, teqetë, tyrbet, vendet e Mira dhe historia e tyre, e bënë librin me vlerë, se bektashizmi i ka rrënjët qysh herët, misionarët e ndryshëm lanë gjurmët e tyre në krahinën e Tepelenës.
Libri, kapitull pas kapitulli, na bën tё njohur këtë histori të bektashizmit, që e njohim në gjurmët e hershme që lanë misionarë të ndryshëm, objektet e kultit, kontributi i baballarëve dhe dervishëve në përhapjen e gjuhës shqipe në Rilindjen Kombëtare dhe çështjen kombëtare për liri dhe pavarësi. Nëpërmjet faqeve tё kёtij libri na rikthehen para syve shkolla e parё shqipe në Koshtan, klubet, figura madhore të bektashizmit nga Tepelena si: Baba Ali Tomorri nga Shalësi i Tepelenës, baba Sali Matohasanaj, baba Ahmet Koshtani, baba Ahmet Turani, baba Ismail Gllava, baba Medin Gllava, baba Murati, baba Hasan Memaliaj, baba Abazi i Rabijes dhe shumё figura tё klerikëve tё tjerë bektashinj. Nëpërmjet disa shkrimeve pasqyrohet masakra në teqenë e Rabies, e cila pёr nga heroizmi, dhimbja dhe përkushtimi i martirëve, ёshtё simotra binjake e Qerbelasё. Ajo përben një rast unikë në Evropë, në Luftën e Dytë Botërore; nё truallin e shenjte tё asaj teqeje, në korrik të vitit 1943 u vranë pesë klerikë dhe 27 myhibë nga fashistët italianë. Kjo masakër e pashembullt e pa njohur në Evropë në Luftën e Dytë Botërore është e rrallë. Ngjarja makabër u krye nga fashistët për të frikësuar një popull të tërë në luftën për liri, por besimi te Zoti dhe forca e shpirtit mbajti gjallë këtë liri. Imam Aliu thotë: “O njeri, ke lindur i lirë, mos u bëj rob i askujt.”
Ky libër hap një horizont të ri për shtrirjen gjeografike të teqeve, tyrbeve, mekameve dhe vendeve të Mira, në trevën e Tepelenës, si vendndodhja e tyre, informacion historik, figura madhore të bektashizmit shqiptar e më gjerë. Libri është për të gjithë lexuesit, një mesazh për të njohur bektashizmin. Për ne është detyrim ndaj dervishëve dhe baballarëve tanë, e frymëzuesve shpirtëror, të udhës bektashiane, mirënjohje për gjithë brezat e djeshëm dhe të sotëm. Nuk dua të zgjatem tek risitë që sjellë ky libër, pasi tashmë, ju do e keni në duar. Urime autorëve! Faleminderit të gjithëve! Zoti u bekoftë ju e familjet tuaja!”
Në vijimësi, të pranishmit ndoqën materialin e Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotajt, lidhur me disa vlerësime e risi të librit “Bektashinjtë e Tepelenës”. Ndër të tjera, në këtë material, u tha: “…Promovimi i librit “Bektashizmi në Tepelenë” me autorë Nuri Çuni dhe Naim Dëra është një vlerësim dhe nderin njëkohësisht, për vendin dhe rolin që zë zonën e Tepelenës atdhetarizmi. Ndërsa promovimi këtu në Tepelenë, merr vlera të vaçanta. Libri është i një dukurie të veçantë, që studion dhe analizon një tematikë të veçantë, komplekse dhe mjaft të shtrirë në kohë, nga fillimet bektashizmit Tepelenë. Mendoj se kjo nismë tepër e guximshme, për autorët, nuk ka qenë e lehtë. Unë mendoj se e ka realizuar misionin për të prurë dukuri dhe momente të rëndësishme të historisë së bektashizmit në përgjithësi, si dhe të shtrirjes së tij në zonën e Tepelenës Historia e Bektashizmi në Shqipëri është studiuar nga mjaft autorë të huaj, por erdhi koha të shkruajnë dhe autorë shqiptarë, që është një risi e veçantë. Shkruarja e historisë së Bektashizmit nga vet shqiptarët ka të bëjë me burime historik që i zotërojnë dhe njohur me themel traditën e popullit, si dhe po punohet që të përcjellet në breza edhe nëpërmjet kujtimeve të njerëzve të shumtë të këtij komuniteti, që në libër ka një zë të veçantë.
Libri është ndërtuar me katër kapitujve, duke u lënë autorëve të sjellin fakte, dokumenta dhe argumenta për përhapjen e Bektashizmit në botë dhe në Shqipëri, persekutimet e bektashinjve për shkak të besimit në të gjithë historinë e këtij institucioni të lartë të besimit fetar.
Autorët me shumë kujdes dhe përgjegjësi i kanë bërë një përshkrim të detajuar Bektashizmit, si një nga tarikatet mistike islame më të vjetër në Shqipëri. …Nëpër faqet e librit del se bektashinjtë kanë qenë prezentë në Shqipëri përpara Otomaneve qysh në shek. XIII, pretendim ky i mbështetur në legjendat e shek. XIII të Sari-Salltikut me qendër qytetin e rrethinat e Krujës që gjejnë një trajtim të gjërë në libërAutorët shpjegojnë se në vitet 1780-1822, bektashizmi ndikoi dhe formësoi revoltën shqiptare kundër Perandorisë Osmane, kryesisht mes lidhjeve të ngushta të Ali Pashë Tepelenës dhe këtij tarikati. Pasi i bëjnë një analizë të thellë dhe shteruese këtij problemi theksojnë se “një nga mënyrat që ndoqi, nuk ishte konvertimi i pasuesve sunitë në ato bektashinj, por islamizimi i të krishterëve. Tarikati Bektashi duket se ka qenë një nga faktorët kryesore në rritjen e popullsisë shqiptare të cilët besonin në Islam, duke ndryshuar kështu strukturën shoqërore të Shqipërisë pas tre shekujve të pushtimit osman. Autorët shpjegojnë se me rënien e Ali Pashë Tepelenës më 1822 dhe të prishjes së parë të bektashizmit më 1826, erdhën ngjarjet e trishtueshme të Qerbelasë, si dhe përkujtimin për çdo vit të muajit të Muharremit në teqetë bektashiane. Kështu nisi përkujtimi i ngjarjeve, kujtimi i ngjarjeve tragjike dhe mbajtjen gjallë të veprës së tyre me anë të poezisë epike, dramave dhe shërbimeve përkujtimore.
Dihet tashmë se toleranca e njohur e tarikatit ndaj feve e besimeve të tjera. Kur u diskutua ideja për një fe të shqiptarëve, intelektualët shqiptarë zgjodhën gjuhën si mjeti kryesor për të bashkuar të gjithë shqiptarët, pasi ishte i vetmi faktor që mund të kapërcente dallimet mes identiteteve të ndryshme fetare dhe rajonale. Një nga mbështetësit më të mëdhenj të kësaj ideje ishte poeti kombëtar i shqiptarëve Naim Frashëri.
Autorët i bëjnë një analizë përpjekjeve të komunitetit bektashi për t’u reformuar, ku pasqyrohen gjerësisht kongreset bektashiane, duke sjellë një dokumentacioni të pasur. Në libër theksohet se “tarikati bektashi është një nga kontribuesit më të mëdhenj në idenë kombëtare të shqiptarëve, kurse ati i shqiptarizëm, Naim Frashëri i ka kushtuar libra të veçantë tarikatit siç është ‘Fletorja Bektashiane’. …Me përkrahjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, nëpërmjet rrjetit të teqeve në të gjithë Shqipërine, osmanët ndërmorën masa drastike ndaj tyre. Bektashinjtë shqiptarë duket se arritën në moton e tyre shumë të njohur gjatë Rilindjes Kombëtare se ‘pa atdhe nuk ka fe’. Autorët me mjeshtëri lëvizin në përshkrimin dhe në pasqyrimin e madh të Bektashizmit në Shqipëri në trajtimin e përhapjes së bektashizmit, të teqeve dhe të vendeve të shenjta në zonën e Tepelenës. Zona e Tepelenës është një nga zonat me numrin më të madh të besimtarëve bektashinj dhe të teqeve në Shqipëri. Përmes përshkrimit historik, si dhe të gjeografisë në terren, autorët shpjegojnë përhapjen e teqeve, figurat kryesore të baballarëve e dervishëve, si dhe lidhjen e ngushtë të komunitetit me traditën bektashiane të rrëfimit. Libri vjen si një tabllo natyrale me njerëz dhe ngjarje që kanë dëshmuar për historinë e zonës. Vend nderi zënë dhe figurat e baballarëve të teqeve në zonën e Tepelenës. Autorët kanë përshkruar biografinë e 49 baballarëve, ku midis tyre 3 baballarë janë vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”, për shkak të detyrës një baba është plagosur, 3 baballarë janë pushkatura, një baba ka vdekur në burg dhe një baba është shpallur dëshmor i Atdheut. Për dervishët kanë përshkruar biografinë e 25 dervishëve, si dhe tre dervishëve që janë të shpallur dëshmorë të Atdheut. Nga bibliografia e tyre del se në bazë të ligjit 109/2018, plotësojnë kushtet për t’u shpallur dëshmorë dhe 4 baballarë dhe dervish.
Botimi i kësaj vepre na vjen në mënyrë shumë të arrirë nga autorët Nuri Çuni dhe Naim Dëra duke plotësuar një vend nderi në historinë e Bektashizmit në Shqipëri, më konkretisht në zonën e Tepelenës. Ky botim është një hap i rëndësishëm e bërë nga autorët, por ju vjen në ndihmë studiuesëve që merren me kulturën dhe historinë e bektashizmit. Ky është një libër që jep një njohje të plotë për njerin nga tarikatet më të rëndësishëm islam në Ballkan. Kjo vlerë e librit është se jep njohje të rëndësishme për Bektashizmin, largon paragjykimet dhe ndërton ura bashkëpunimi. Libri është një kontribut i çmuar në bibliografinë e studimeve të besimet fetare në Ballkan, si dhe një vlerë e pjekur e mendimin shqiptar, sepse bën ballafaqimin e denjë në shkrimet me autorë të huaj që kanë shkrura për Bektashizmin.
Dua të theksoj së fundi dhe meritën e veçantë që ka Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj dhe në aspektin e nismave dhe projekteve për njohjen e historisë tetëshekullore të bektashizmit e klerikëve bektashinj, nëpërmjet marrjes e mbështetjes së studimeve e botimeve me vlera në këtë kuadër, duke qenë jo vetëm drejtues i kësaj pune, por dhe autor apo bashkëautor në “to”.
Vlera të tjera të librit, u paraqitën ne vazhdim, nëpërmjet kumtesës së z. Bektash Mema, Rektor i Universitetit ‘Eqerem Çabej’, Gjirokastër.
Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, z. Tërmet Peçi dhe Kryetari i Bashkisë Memaliaj, z. Albert Malaj, në përshëndetjet e tyre, vlerësuan punën e autorëve të librit dhe projektet e Selisë së Shenjtë Bektashiane, drejtuar nga Dede Edmond Brahimal, për pasurimin e traditës dhe historisë tetëshekullore të bektashizmit.
Në funksion të aktivitetetit, u ndoq gjatë gjithë kohës nëpërmjet një video-projektimi, një material i pasur me foto e dokumente që paraqiten në këtë libër.
Në fund, autorët Nuri Çuni dhe Naim Dëraj, falënderuan referuesit dhe të pranishmit për aktivitetin e organizuar. Mediet e pranishme, pasqyruan gjërësisht këtë event.

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ

Fotot:
Adrian KOXHERRI