Nga Kujtim BORIÇI
Dita e sotme, e mërkurë, 21 maj 2025, përmbledh një sërë aktivitetesh të rëndësishme, që zhvillohen në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, bën promovimin e librit të tij të radhës, “Nefes-Jeta ime!”. Sipas Nuri Çunit, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, prezantimi i këtij libri, që përkon me ditëlindjen e Dede Edmond Brahimajt (19 maj), është pjesë e aktiviteteve të shumta që janë planifikuar të organizohen në këtë ditë. Mësohet se në këtë aktivitet, do të ketë pjesëmarrës të shumtë, botues, klerikë bektashian e të besimeve të tjerë fetarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova e vende të tjera, studiues, historianë, teologë, besimtarë, miq e dashamirës.
AKTIVITETI
Mësohet se që në orën 10:00 të ditës së mërkurë e deri në orët e mbrëmjes, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, do të presë urimet e besimtarëve e personaliteteve që do të vijnë ti urojnë ditëlindjen e të jenë pjesëmarrës në prezantimin e librit dhe aktivitetet e tjera. Prezantimi i librit do të bëhet në mjediset e Odeonit, në Selinë e Shenjtë Bektashiane, do të nisë në orën 11:00, me moderimin e aktorit të njohur, Bujar Asqeriu. Për librin do të flasin Pro. Dr. Bardhosh Gaçe, Prof. Et’hem Ruka etj, ndërsa Bujar Asqeriu, do të interpretoj pjesë nga libri. Njëkohësisht, të pranishmit do të ndjekin një dokumentar të shkurtër, kushtuar rrugëtimit shpirtëror, të Kryegjyshit, Dede Edmond Brahimaj dhe në vijimësi, do të ndjekin dhe një ekspozitë fotografike. Pjesëmarrësit, në fund, do të bashkëbisedojnë në një kokteil.
Krahas aktivitetit fetar e atdhetar, Dede Edmond Brahimaj, gjatë viteve të karrierës së tij, ka publikuar gjithashtu studime të rëndësishme në fushën e teologjisë, për mistikën bektashiane, ka kumtuar punime të kësaj fushe në konferenca shkencore e simpoziumi brenda dhe jashtë vendit.
Po ashtu, ka botuar disa libra dhe të tjerë janë në proces botimi. Ndër ‘ta mund të përmendim: Libri “Hazreti Ali” (Ceremonia e Sulltan Nevruzit); libri “Imam Hyseni (Ceremonia përkujtimore e Imam Hysenit); libri, “Nefes-Jeta ime”; libri “Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri” (Guidë-enciklopedi), në dy volume (në botim); libri, “Për mistikën Bektashiane” etj…
“NEFES…”, RRUGËTIMI I NJË
KLERIKU TË LARTË BEKTASHI*
Prof. dr. Bardhosh GAÇE
Në historinë universale të mendimit, të historisë, të kulturës dhe të mësuarit, të drejtës, humanizmit dhe shembullit mbarë-njerëzor, të ndikimit nëpër kohë mbi njerëzimin dhe për veprat e mira, librat më të çmuar i kanë shkruar njerëzit që kanë qenë të lidhur me besimin dhe veprën e tyre, njerëzit që jetën e tyre e kanë mishëruar në këtë veprimtari të lidhur me njerëzit e thjeshtë dhe humanizmin, sakrificën dhe arsyen për ta ndritur mendjen njerëzore, e cila nëpër shtegtimet kohore është përballur me vakume, me hendeqe, me errësirë, me nervozizëm motesh, me sëmundje, me mendje të sëmura sundimtarësh, me padrejtësi, me sëmundjen e përjetshme të përfitimeve të pandershme, me luftëra, të cilat kanë shkarkuar mbi jetët njerëzore tragjedi dhe dhimbje etj.
…Libri “Nefes”, që Baba Mondi i afron lexuesit bashkëkohor, lidhet pikërisht me natyrën që kanë disa libra që lexohen në çdo kohë, në çdo shtresë të shoqërisë e që nuk vjetrohen kurrë, duke dhënë ndërkohë dhe një përgjigje, kur pyetet se pse këto lloje librash nuk plaken kurrë. Libri “Nefes”, përveçse është një rrëfim i sinqertë dhe konciz për veten nga Baba Mondi, më pëlqen për shkakun e marrëdhënies së gjërësishme dhe shumë njerëzore që fjala “baba” krijon tek njerëzit, si një lloj kujdestarie e shenjtë, më jep të drejtë ta thërrisja gjithmonë “Baba Mondi”. Libri në fjalë është edhe një libër që reflekton një histori të rëndësishme për bektashizmin në Shqipëri nga njëra anë, por edhe një libër dijeje për këtë besim në një aspekt të gjerësishëm, fondamentet hyjnore dhe shpirtërore mbi të cilët ai është ngritur, dhe parimet me të cilat ai u është afruar njerëzve.
…Duke i afruar lexuesit nefesin (frymën), pra, jetën e tij në këtë frymë të shenjtë dhe hyjnore, që në fillim, Baba Mondi ka bashkuar në këtë rrëfim të sinqertë dhe jetësor kohët, njerëzit, sakrificat në të cilat ai u formua si bektashi dhe klerik njëherësh, historinë e hershme dhe të vonë të bektashizmit, ka sjellë copëza jetësore dhe modele të rëndësishme të kësaj fryme, ka rizbuluar fuqinë dhe mbijetesën që këtij besimi iu desh për të mbetur aktiv ndër njerëz dhe vendet e shenjta, ku prekin fuqinë e tij, ndërsa rrugëtimi i tij jetësor është njëri nga modelet më të mira të kësaj fryme të shenjtë profetike.
…Baba Mondi është një lloj pelegrinazhi i shenjtë dhe profeci, ku sakrifica dhe vuajtja janë dritë, ku dashuria dhe begatia janë humanizëm, ku thjeshtësia dhe varfëria janë lartësim hyjnor, ku besimi e bën njeriun më të mirë dhe më vëlla me të tjerët. Dhe si e tillë, jeta e Baba Mondit, e shënjuar për të qenë epike, e parashkruar, nis nga familja dhe nga Bratajt në Vlorë. Në të gjithë librin dhe rrëfimin e jetës së tij, Baba Mondi ruan një refleksion të thellë me familjen, vendlindjen, edukimin familjar, si një tregues bazik i formimit të tij…
…Në trashëgiminë e tij familjare dhe formimin e tij, Baba Mondi nyjëton në rrëfimin e “Nefes”-it dy nga figurat e njohura dhe të ndritura, klerikët e lartë bektashi: dede Ahmetin dhe dede Reshatin.
…Baba Mondi ka prekur madhështinë e dede Ahmetit, tek i cili ishin mishëruar shenjat e shenjtërisë së tij që në lindje të tij, thuhet se dede Ahmeti ra në gjunjë nga barku i nënës, ndërsa herë pas here ai parathotë mrekulli dhe fate njerëzorë dhe kohësh. Dede Ahmeti ka jetuar disa vite në shtëpinë e gjyshit të Baba Mondit, kështu që rrëfimi i tij për të është epik, ndoshta njëri nga rishkrimet jetësore më të plota, aq më tepër prej një njeriu afër tij, një kleriku të lartë dhe një intelektuali të kulturuar siç është Baba Mondi.
… Pjesa më formuese e Baba Mondit është koha kur ai ka njohur dhe dëgjuar dede Ahmetin (ai thotë se në shtëpi kishim katër arka me libra fetarë) dhe i ka shërbyer dede Reshatit. Dede Ahmeti dhe dede Reshati, të cilët kanë udhërrëfyer, ndikuar dhe ndihmuar në formimin e një personaliteti të plotë në figurën e Baba Mondit, njëherësh dhe Kryegjyshi i 39-të i Bektashizmit Botëror, plotësojnë pazëllin e formimit të tij bektashi. Duke qëndruar pranë dy figurave emblematike të bektashizmit (dede Ahmeti ka vuajtur dhe internimin), ashtu siç ka përballuar sakrificat dede Reshati, në librin “Nefes” spikat një tipar thelbësor i paqes dhe durimit. Duke përsëritur në të gjithë rrëfimin dhe situatat jetësore të të tjerëve, familjes dhe të tijat se bektashizmi është paqe, Baba Mondi përgjigjet qartë: “Bektashizmi është udhë mistike e fesë islame. Është alevi e shiisë, dega e dymbëdhjetë imamëve.”.
…Udhëtimi jetësor i Baba Mondit është një udhëtim prej bektashiu, pasi dhe lindja e bektashizmit nga jeniçerët, të cilët ishin elita e Perandorisë Osmane e që u krijuan nga Bektash Veliu si një ushtri për të mbrojtur e jo për të vrarë, ishin shembulli i sakrificës dhe paqes. Ai tregon gjithashtu se që në fëmijëri, në ditët e shënuara të bektashinjve, ata mblidheshin në shtëpinë e tyre në Brataj apo në ndonjë shtëpi tjetër, zakonisht ditën e ashures, të cilën e përgatiste dede Ahmeti dhe e shënonin atë ditë si bektashi. Në rrëfimin e tij të spikatur, Baba Mondi thotë se në shtëpinë e tyre ata agjëronin fshehurazi dhe gjithmonë kremtonin Imam Aliun (në 22 mars), se me atë rast këndonin këngë bektashiane, siç ishin ato të Isuf Myzyrit. Po ashtu, Baba Mondi tregon se vonë kishte mësuar se babai i tij, i cili ishte një njeri autoritar, që mbase e urtësonte veç bashkëshortja e tij (nëna e Baba Mondit), duke qenë vëlla me dede Reshatin, ishte bërë myhib që në moshën 18-vjeçare, kur ishte student, në të njëjtën ditë me dede Reshatin. Dhe këtë të vërtetë Baba Mondi e ka mësuar në vitin 1990. Në librin e jetës “Nefesi” Baba Mondi flet me një përkushtim të thellë për familjen, gjë që lë të kuptosh se ajo ka qenë djepi dhe edukata e parë dhe më e rëndësishme e edukimit të tij si një bektashi i devotshëm, në ndikimin edhe të nënë Merushes, si edhe babait, Hysen Brahimaj, me përmasat e tyre fisnike.
… Libri “Nefesi” është shkruar me një lloj ndjesie të dukshme përulësie dhe dashurie njerëzore. Është një libër ku nuk ka asnjë shenjë urrejtjeje, edhe pse koha derdhi vuajtje dhe sakrifica dhe mbi bektashinjtë. Por kjo është psikologjia e mbijetesës dhe dashurisë për njerëzit dhe, në njëfarë kuptimi, autori u qëndron filozofisë dhe mësimeve universale të shenjta se fuqia e dashurisë njerëzore provohet në vuajtje dhe sakrifica.
… Në libër ka një përshkrim dhe meditim të rëndësishëm për udhërrëfyesin e Baba Mondit drejt detyrës së Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, për dede Reshatin, të cilin Baba Mondi, përveç një kleriku të lartë dhe të ditur, e sheh si një dritë të madhe hyjnore-njerëzore, të përkushtuar dhe human, komunikues dhe të sakrificës. Në të gjithë këtë rrëfim të sinqertë dhe shpirtëror të familjes vetes dhe të tjerëve, cilido çlirohet nga “enigma” se si Baba Mondi erdhi në krye të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku përveç profecisë së dede Ahmetit, mëson rrugën e gjatë me sakrifica, durim, dashuri, vëllazëri, pranim vuajtjesh, ruajtje të dritës hyjnore brenda shpirtit të një njeriu drejt lartësisë së tarikatit të ndritur bektashi. Baba Mondi është bërë Kryegjysh Botëror pas një rrugëtimi 20 e ca-vjeçar si dervish, myhib, në shërbime në disa teqe të Shqipërisë e jashtë Shqipërisë, por edhe si një besimtar i thjeshtë në kopshtin e Kryegjyshatës pranë dede Reshatit, për të arritur në vitin 2011, si Kryegjysh Botëror Bektashi. Duke parë rrugëtimin jetësor dhe atë të besimit bektashi të Baba Mondit, kupton dhe mëson njëherësh, se si janë krijuar kolonat e personalitetit të tij, si besimtar, si njeri i iluminuar dhe intelektual, si një njeri-institucion i vendosur përballë kohëve moderne.
…Besimin dhe besimet Baba Mondi i sheh si urë marrëdhëniesh të shoqërisë e të vendeve, pasi siç thotë ai, besimet i kapërcejnë armiqësitë e luftërave, sepse besimi merret me njeriun. Në kontributin e tij janë kontaktet dhe takimet me liderin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lamën, i cili shihet si rimishërimi i 13 Dalai Lamave të mëparshëm, po ashtu atë e lartëson takimi me Papa Françeskun, një figurë emblematike e paqes në botë, në Vatikan më 11 maj 2022, duke u dhënë një vlerë të çmuar besimeve dhe paqes mes popujve.
… Libri “Nefes” është një libër i çmuar dhe i bukur, ku tregohet dhe mësohet, dhe ai është ndoshta një nga kontributet shkrimore më të rëndësishme të bektashizmit shqiptar në shoqërinë e sotme bashkëkohore.
*Pjesë nga parathënia e librit.
NJOFTIM
Ditën e mërkurë, 21 maj 2025, në mjediset e Odeonit të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, bëhet prezantimi i librit, “Nefes-Jeta ime”, i autorit, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Në mbarim të aktivitetit, do të ketë një kokteil. Jeni të ftuar të merrni pjesë!
LIBRA TË DEDE EDMOND BRAHIMAJ
-“Hazreti Ali” (Ceremonia e Sulltan Nevruzit);
-“Imam Hyseni (Ceremonia përkujtimore e Imam Hysenit);
-“Nefes-Jeta ime”.
-“Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri” (Guidë-enciklopedi), volumi i parë.
-“Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri” (Guidë-enciklopedi), volumi i dytë.
-“Për mistikën Bektashiane”(në proces botimi) etj…