
Një ngjarje e veçantë historiko-fetare ka ndodhur këto ditë në Kute, ku eshtrat e baballarëve të nderuar të teqesë së fshatit janë nxjerrë nga varrezat publike dhe janë rivarrosur në tyrben e tyre, pranë teqesë së Kutes.
Teqeja e Kutes, e themeluar në fillim të shekullit XX nga Baba Fejziu, ka qenë për dekada një qendër shpirtërore dhe kulturore e rëndësishme për komunitetin bektashi të zonës. Pas Baba Fejziut, drejtimin e morën figura të shquara si Baba Refat Kuka, Baba Estrefi, Baba Fejzo dhe Dervish Shaqir Gerxhani. Në mesin e tyre spikasin edhe emrat e Dervish Qamil Shytajt, Dervish Haxhi Saliajt dhe Dervish Hajredin Pakajt, ky i fundit u nda nga jeta më 12 gusht 1965.
Në vitet 1956-1967, teqeja drejtohej nga Baba Estref Rexhepaj, një figurë e nderuar dhe e dashur nga banorët. Por, në vitin 1967, me vendimin shtetëror për ndalimin e fesë, teqeja u mbyll dhe veprimtaria fetare u ndërpre.
Pas dekadash heshtjeje, kujtesa e kësaj tradite u ringjall. Nipi i Baba Estrefit ndërmori një punë të madhe për rindërtimin e teqesë dhe tyrbes, duke e rikthyer këtë vend si qendër pelegrinazhi dhe respekti. Me rivendosjen e eshtrave të baballarëve në tyrben e tyre, komuniteti i Kutes jo vetëm u ka bërë nder figurave të së kaluarës, por ka rilidhur edhe fijet shpirtërore me historinë dhe trashëgiminë bektashiane të fshatit.
“Ky është një akt mirënjohjeje dhe nderimi për ata që kanë mbajtur gjallë besimin dhe kulturën tonë,” – shprehen banorët, të emocionuar nga ceremonia.
Teqeja e Kutes, e rilindur nga rrënojat, sot qëndron si simbol i qëndresës shpirtërore dhe i lidhjes së brezave me rrënjët e tyre.
Përgatiti: Xh . CULLHAJ










