Festa bektashiane e Sulltan Novruzit kremtohet në ditën e ekuinoksit të pranverës. Siç shpjegon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi), i cili uron edhe festën në programin “Rudina” në Tv Klan, kjo përkon me ditëlindjen e Imam Aliut. Rituali më kryesor i kësaj feste të shenjtë është lutja e besimtarëve drejt Zotit, sidomos në kohët e vështira që po kalon bota.
Rudina Magjistari: Si ka shkuar dita deri më tani?
Baba Mondi: Deri tani shkëlqyer, falenderojmë Zotin me kohën e gjithçka. Mediat, njerëzit që kanë ardhur pa pushim për të marrë mirësinë, dashurinë, paqen për këtë ditë të shenjtë të Sulltan Novruzit.
Rudina Magjistari: Pse është pikërisht kjo datë dhe pse një pjesë e mirë e botës e feston më 21 Mars dhe ne më 22?
Baba Mondi: Që me ardhjen e kryegjyshit botëror që solli Kryegjyshatën Botërore në Tiranë, është vendosur që data 22 është një datë e shenjtë sepse të gjitha qeniet njerëzore jo frymore i falen Zotit në një fragment të sekondës. Në këtë ditë të ekuinoksit pranveror, në këtë ditë të shenjtë ka lindur Imam Aliu, zëvendësi i profetit Muhamed që ka luftuar për demokraci, paqe, mirësi, dha jetën për të vërtetën. Në këtë ditë të shenjtë ne festojmë lindjen e tij dhe këto që thashë më përpara.
Rudina Magjistari: Cilat janë ritualet që kryhen gjatë kësaj dite dhe ditëve në vijim sepse është një festë që zgjat 3 ditë të plota?
Baba Mondi: 4 ditë. Që në mëngjes u çuan bektashinjtë, erdhën në foltore, iu falën Zotit, i kërkuan në këtë ditë të shenjtë të na japë dashurinë, paqen, mirësinë duke larguar të gjitha të këqijat dhe për të sjellë pranverën, dashurinë, të gjitha ato të mira që i duhen njerëzimit për të ecur përpara.
Rudina Magjistari: Kjo festë sivjet e gjen njerëzimin në momente të vështira. Sapo kaluam pandeminë, jemi sërish në një situatë të vështirë për njerëzimin. Bota është e shqetësuar për atë që po ndodh në Ukrainë. Cili është mesazhi që do të jepnit sot?
Baba Mondi: Mesazhi im është që njeriu është më i shenjti në botë dhe Kurani e profeti thonë “e bëra njeriun me shëmbëlltyrën time”, pra ne jemi ata që duhet të respektohemi, të kemi dashuri për njëri-tjetrin, mos ta vrasim, mos ta masakrojmë, por të jetojmë të lirë. Imam Aliu ka një thënie e cila thotë “mos e vër zgjedhën vetë kur Zoti të ka lënë të lirë”. Njeriu është i lirë para ligjit, para Zotit dhe para gjithçkaje. Me këto masakra që bëhen ndaj fëmijëve, është e kundraligjshme, antinjerëzore prandaj ne i lutemi Zotit që të ndalojë sa më shpejt, njerëzit të jenë të lirë të jetojnë jetën që ai iu ka dhënë.