Pasditen e së martës, 10 shtator 2024, Mark Speich, Sekretar Shteti për Mediet dhe Çështjet Federale, Ndërkombëtare dhe të BE-së, në Landin e Westfalisë së Rinit Verior, ka bërë një vizitë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku është pritur nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëtria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj. Në këtë vizitë, miku shoqërohet dhe nga drejtues të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri.
Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, i uroi mirëseardhjen z. Mark Speic, duke vazhduar më pas me informim të ndërsjelltë, në bisedën zyrtare mes tyre. Miqtë u njohën me veprimtarinë e Selisë së Shenjtë Botëror, duke vizituar nga afër dhe muzeun bektashian, galerinë ‘Omer Kaleshi’, arkivin, bibliotekën, filmotekën, fototekën dhe objekte të tjera në godinën e Odeonit dhe mjediset e tjera të Selisë së Shenjtë Bektashiane. Sekretari Mark Speich, ngeli i impresionuar nga çfarë pa dhe nga pritja e ngrohtë, duke vlerësuar rolin e bektashinjve dhe Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj, në predikimin e paqes botërore, mirësisë, harmonisë fetare, dashurisë njerëzore, elementë me ndikim të rëndësishëm, veçanërisht për kohën e sotme, kur bota po përjeton një situatë problematike.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ
Fotot: N. ÇUMANI