Ditën e dielë, në pallatin e Kulturës ‘Labëria’ të qytetit të Vlorës, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, iu dorëzua titulli, “Nderi i Qarkut Vlorë”, dhënë nga Këshilli i Qarkut Vlorë. Në këtë ceremoni, organizuar në formën e një spektakli, merrnin pjesë klerikë e besimtarë bektashian të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosova, përfaqësues të lartë të besimeve fetarë nga këto shtete dhe vende të tjera, miq nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera, funksionarë të lartë nga Tirana, ministra, deputetë etj. Merrte pjesë Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, z. Ervis Moçka; Prefekti i Vlorës, Flamur Majaj; deputetët e Kuvendit të Shqiopërisë Bledndi Klosi, Bujar Leskaj e Pranvera Resulaj; Ali Kiliç, Kryetar i Bashkisë së Maltepesë-Stamboll; kryetari i Bashkisë së Memaliajt; Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës; Prof. Ago Nezha, Kryetar i Shoqatës “Labëria”, akademikë, profesorë e të ftuar të tjerë. Interpretimet me vlerë të pjesëtarëve të artistëve të ardhur nga Tirana, atyre të asambleve ‘Labëria’ e ‘Myzeqeja; këngëtarit të njohur Kastriot Tusha; aktorëve të teatrit, Bujar Asqeriu e Dritan Boriçi, e bënë më interesant këtë eveniment të rëndësishëm. Vlerësimet rreth kontributit të Dede Edmond Brahimajt nga Prof. Kaliopi Naska e Prof. Bardhosh Gaçe, u paraprinë me ndjekjen nga ekrani të një dokumentarit interesant “Vazhdë në rrugën e urtësisë. Baba Mondi, mëkëmbës i legjendës Baba Reshat Bardhi”, përgatitur nga gazetari i njohur Ferdinand Samarxhi, ‘Nderi i Kombit’. Para dhe pas përfundimit të kësaj ceremonie, me interes të veçantë u ndoq ekspozita me 41 stenda e eksponate lidhur me historinë e bektashizmit, përgatitur nga Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Pas celljes së ceremonisë me Ishte z. Ervis Moçka, Kryetar i Këshillit të Qarkut Vlorë, që i dorëzoi Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, titullin “Nderi i Qarkut Vlorë”, me Motivacionin: “Për kontributin e çmuar si Lider Botëror i Bektashizmit, bir i trevave të Labërisë që në vazhdën e klerikëve atdhetarë, patriotë bektashianë, mëkon besimin e Zotit dhe rrugën e tij, duke mitizuar atë me idealin e kombit. Promotor i konsolidimit të mëtejshëm të harmonisë, tolerancës, bashkëjetesës fetare, si dhe kontributin e tij të gjithanshëm për ruajtjen, konsolidimin, zhvillimin e vlerave atdhetare kombëtare fetare, për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë së sotme njerëzore”.
DEDE EDMOND BRAHIMAJ: “…Ndihem i privilegjuar dhe shumë i respektuar sot, mes jush në marrjen e titullit “Qytetar Nderi” i qarkut Vlorë. Një titull me rëndësi të lartë për mua edhe për shkak të prejardhjes sime nga ky vatan, por njëkohësisht me peshë e përgjegjësi për veprat e detyrat që na presin në të ardhmen. Falëndeoj, kryetarin e gjithë anëtarët e Këshillit të Qarkut Vlorë që më vlerësuan me këtë titull tepër domethënës e nderues për veprimtaritë klerikale të misionit të shenjtë që kam ndërmarrë në ngritjen me nder e përgjegjësi të flamurit të shenjtë të bektashizmit e përfaqësimit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane gjithnjë me dinjitet e privilegj. Meritë e mirënjohje për Myrshidin tim, Kryegjyshin Dede Reshat Bardhi, e të gjithë paraardhësit e mi, që edhe pse kanë kaluar nga kjo jetë, vepra e tyre jeton e lulëzon, e pashembullt në historinë e bektashizmit, dhe ky titull është dedikim për gjurmët e Shenjta që ata kanë lënë në historinë e bektashizmit, nga vuajtjet e diktaturës e deri te ringritja në demokraci një jetë e tërë kushtuar bektashizmit. Falënderoj vëllezërit e mi klerikë bektashinj, që çdo ditë e në çdo vështirësi që hasim më kanë mbështetur e vazhdojnë ta bëjnë atë, me qëllim për t’i ardhur në ndihmë bektashizmit, besimtarëve bektashinj e jo vetëm. Falënderime për vëllezërit e mi, kryetarë e përfaqësues të komuniteteve fetare të krishterë e myslimanë, që sot kanë ardhur për të më nderuar e respektuar në titullin e nderit që po më akordohet, e vlerësoj dhe ju jam mirënjohës për bashkëpunimin e vazhdueshëm që të parët tanë na i kanë lënë amanet, edhe ne jemi bashkë në këtë rrugë e mision të shenjtë, pavarësisht pengesave dhe ndikimeve të globalizimit. Mirënjohje e bekime për të gjithë personalitet e pranishëm ditën e sotme, akademikë, e kërkues shkencorë, letrarë, zyrtarë të lartë të shtetit, e diplomatë pa ndihmën e të cilëve mbarëvajtja dhe veprimtaritë e Kryegjyshatës Botërore dhe gjyshatave bektashiane në të gjithë Shqipërinë e përtej saj, do të ishte paksa e vështirë. Mirënjohje për të gjithë kontribuuesit besimtarë bektashinj e jo vetëm që në këtë ditë kaq të veçantë për historinë e bektashizmit, e veçanërisht të Kryegjyshit Botëror, shprehën përgëzimet e tyre, mendimet e vlerësimet, e këto personalisht i çmoj më shumë se çdo gjë tjetër. Mirënjohje, sepse zgjat përgjithmonë e ndërsa veprimi e ka një fund! Falënderoj Zotin që na bëri bashkë në këtë ditë të paharruar jo vetëm për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, por besoj për të gjithë të pranishmit!E në fund, do të doja të përfundoja me një shprehje të Imam Aliut “Jeta përbëhet nga dy ditë, një për ty e një kundër teje. Pra, kur është për ju, mos u bëni krenar dhe të pamatur, dhe kur është kundër jush, jini të durueshëm, sepse të dyja ditët janë provë për ju”. Puno për një jetë më të mirë sikur të do të jetoje përgjithmonë, dhe punoni për një fund më të mirë sikur do të vdisni nesër”. Të gjithë bashkë mund t’i japim këtij vendi shumë nëse secili nga ne bën vepra të denja e me dinjitet që do të ndërtojnë të nesërmen! Zoti na bekoftë të gjithëve ! Amin!”
PROFESOR, KALIOPI NASKA: “Ju falënderoj që më dhatë mundësinë që të shpreh disa mendime dhe vlerësime për veprimtarinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si pasardhës i denjë i Haxhi Dede Reshat Bardhit, i cili ringriti bektashizmin pas vitit 1990 dhe bëri ringjalljen shpirtërore të bektashianëve në Shqipëri dhe nëpër botë. Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaj është kryegjyshi i 39-të dhe i 9-i kryegjysh shqiptar, që i përket elitës udhëheqëse…. Sot Këshilli i Qarkut të Vlorës në vlerësim të veprimeve mbështetëse sociale dhe fetare të popullsisë së qarkut nga Kryegjyshi Botëror në rritjen e ndjeshmërisë paqësore, në vlerësim të kontributit të gjithanshëm në ruajtjen dhe promovimin e frymës së harmonisë, mirëkuptimit e bashkëjetesës midis feve në Shqipëri, për mesazhet e qarta drejtuar besimtarëve e politikës shqiptare që të synojnë paqen, bashkimin, përparimin e orientimin drejt vlerave atdhetare për një jetë të përbashkët e optimiste; si dhe për rolin e rëndësishëm në lartësimin e modelit shqiptar të dialogut ndërfetar në arenën ndërkombëtare ku si të gjithë shqiptarët, i mbushur dhe me krenarinë e ligjshme të shpalljes së Pavarësisë për shtetin tonë të parë në historinë e lavdishme shekullore, ku bektashinjtë, qenë predikues e zbatues të thënies profetike ‘Pa atdhe, nuk ka fe’ ja përkushton këtë ditë Kryegjyshit Botëror duke i akorduar titullin ’Nderi i Qarkut Vlorë’. …Duke përmbyllur fjalën time vlerësuese kushtuar veprës dhe kontributit të Kryegjyshit Botëror të Bektashizmit përshëndes dhe Këshillin e Qarkut të Vlorës për dhënien e titullit ‘Nderi i Qarkut Vlorë’, Shenjtërisë së tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj…!”
Në vijim, Prof. Bardhosh Gaçe, duke u ndal në kontributin fetar e atdhetar të Dede Edmond Brahimajn, vlerësoi veçanërisht, punën në vijimësi për predikimin e paqes, dashurisë njerëzore, urtësisë dhe harmonisë mes njerëzve, pa dallim besimi fetar, gjinie, race apo kombësie, shtoi se “Baba Mondi ka jetën e vet, por sot ai është babai shpirtëror i bektashizmit i cili rrënjët i ka në Brataj të Vlorës…”,
ALI KILIÇ, KRYETARI I BASHKISË MALLTEPE, STAMBOLL:“Falënderoj dhe jam i gëzuar për pjesëmarrjen në këtë event kaq të rëndësishëm për Kryegjyshin Botëror Bektashian. Falënderoj për ftesën dhe nderin që të marrë pjesë në këtë event. Përshëndes Prefektin, Kryetarin e Qarkut Vlorë dhe Kryegjyshin, Dede Mondin.
Duke parë këtë dokumentar, shikova që vërteton kontributin për veprën e madhe të bektashinjve, të cilët luajnë rol të rëndësishëm si një urë lidhëse mes lindej dhe perëndimit. Vepra e Kryegjyshit Botëror Bektashian, jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë, shfaq mesazhin e paqes, tolerancës dhe bashkimit të njerëzve. Kjo na tregon edhe idenë e bashkimit europian i cili është nisur me filozofinë, të kemi një botë pa kufi, ide e cila themeloi Bashkimin Europian dhe që është një dritë për të ardhmen e njerëzimit. Në anën tjetër, kur shohim që besimi jonë i nisur qe nga Turqistani me Ahmed Jeseviun dhe ardhjen e Haxhi Bektash Veliut në Anadoll, ku ai i nisi dervishët e tij në Ballkan e më gjerë, me idenë që të krijojnë një botë pa kufi. Dhe misioni i tyre u shfaq 1000 vite më parë. Tani kur shohim se misioni i tyre që është në përputhje me idenë filozofike të Bashkimit Europian, jemi të qartë që duhet të punojmë në rrugën e të parëve tanë për një botë pa kufi, pa ndarje dhe diskriminim. Prandaj uroj edhe një herë Kryegjyshi Botëror Bektashian, për marrjen e këtij titulli shumë të rëndësishëm këtu në Vlorë dhe i uroj edhe tituj të tjerë të lartë. Ju falënderoj”
URDHËRA E MEDALJE, DHËNË
DEDE EDMOND BRAHIMAJT
– “Ambasador i Paqes”, 2004.
– “Nderi i Qarkut të Korçës”, 2004.
– “Qytetar Nderi” i Komunës Zerqan-Bulqizë, 10 qershor 2014.
– “Qytetar Nderi” i Komunës Martanesh-Bulqizë., 29 qershor 2014.
– “Qytetar Nderi” i Komunës Bogovë-Skrapar, 22 gusht 2014.
– “Qytetar Nderi” i Komunës Frashër-Përmet, 25 maj 2014.
– “Personalitet i shquar i Labërisë”, Shoqata “Labëria”, shkurt 2015.
– “Qytetar Nderi” i Qarkut të Fierit, mars 2015.
– “Qytetar Nderi i Qarkut të Beratit, maj 2015.
– Urdhri “ Kalorësi i Skënderbeut”, 7 shtator 2015, nga Presidenti i Republikës.
– “Dr. Honorus Causa”, Misioni i OKB, shator 2016.
– “Nderi i Bashkisë Bulqizë”, tetor 2016.
– “Mirënjohje” nga Presidenti Barak Obama, SHBA, janar 2017.
– Çmimin e Arit, ” Ikona e Paqes” ,Shoqata e Kombeve të Bashkuara, “G. O. D Awards”,
tetor 2017.
– “Qytetar Nderi” i Skraparit, Bashkia Skrapar, janar 2018.
– “Qytetar Nderi” i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare, ”Vëllezërit Frashëri”-Përmet, maj 2018.
– Flamuri Amerikan, për “Për kontributin e shquar në përhapjen e fjalës së Zotit dhe vlerave më të larta mes njerëzve”, nga Kongresi Amerikan, qershor 2018.
– “Çmimi “Profili i Kurajës”, qershor 2018, nga Kongresi Hebraik Amerikan.
– “Qytetar Nderi i Memaliajt”, Këshilli Bashkiak i Memaliajt, në vitin 2019.
– Medalje “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, nga Qeveria e Kosovës, 17 korrik 2019.
– Në janar 2021, drejtoi Kryesinë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe më datë 22 mars 2021, Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë iu dha medalja e lartë, “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
– Nëntor 2021, Akademia e Shkencës dhe e Artit të Europës, në Universitetin Teknik të Këlnit, Gjermani, iu dha çmimi “Unaza e Tolerancës”, me motivacionin “Për përpjekjet dhe mundimet e vlefshme në angazhimet për paqen dhe nxitjen e dialogut ndërfetar, si shembull i veçantë dhe i denjë për tu ndjekur në ndërtimin, promovimin dhe mbrojtjen e tolerancës”.
– 17 dhjetor 2022, Këshilli Universal i Paqes dhe Misioni Diplomatik për Paqe e Prosperitet-Tiranë, vlerësuan me çmime mirënjohjeje Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për kontributin e dhënë në shërbim të paqes dhe të prosperitetit disa tituj: “Çmimi i Artë i Ekselencës Njerëzore”, shoqëruar me medaljen, “Njeriu i Artë”, si dhe me titullin: “Ambasador i Paqes Universale”.
– Titulli “Nderi i Qarkut Vlorë”, më 22 janar 2023, në Vlorë.