Shkolla 9-vjeçare “Ismail Jangulli” Godvi


Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar autoritete të pushtetit vendor, miq dhe të ftuar!
Kam kënaqësi të veçantë të marr pjesë në këtë event tuajin dhe ju sjell këtu përshëndetjet e armatës disa milionëshe të besimtarëve bektashinj në të gjithë botën: Paçi fat dhe mbarësi në familjet tuaja!
Zoti i Lartë ju nderoftë dhe respektoftë ju që nderoni dhe respektoni klerikët bektashianë, këta misionarë të paqes, diturisë dhe urtësisë!
E kam pritur me kënaqësi të veçantë dhe çmoj së tepërmi nismën e bashkisë tuaj, për t’i vendosur njërës prej shkollave, emrin e nderuar të baba Ismail Jangullit. Vlerësoj gjithashtu këtë fakt, i bindur se respekti për baba Ismailin, përcillet sot ndër breza të tërë klerikësh dhe besimtarësh të kësaj treve, të c ilet janë shquar kurdoherë në devocionin dhe përkushtimin e thellë ndaj Krijuesit.
Baba Ismaili, biri juaj dhe vëllai ynë, i përket atij brezi të klerikëve bektashianë, të cilët u futën plot shpresa dhe plot ëndrra në udhën e Haxhi Bektash Veliut, duke menduar gjithmonë t’i falin gjithçka këtij tarikati. Ata hodhën krahëve harkanë e dervishit, me idenë për t’u shërbyer motrave dhe vëllezërve të tyre, për t’u zvogëluar brengat dhe për t’u shumëfishuar gëzimet. Ata i shndërruan teqetë e tyre, jo thjeshtë vende të mirëkuptimit dhe mikpritjes bektashiane, por edhe në kuvende të dashurisë për Zotin, për atdheun, për familjen, për këto troje të shenjtë për të gjithë.
Por viti i mbrapshtë 1967, do të shkatërronte e do të dhunonte ëndrrat e krejt besimtarëve shqiptarë, të krishterë e myslimanë. Partia-shtet kishte llogaritur se me shembjen e tempujve fetarë, të krishterë e myslimanë, do të largonte besimtarët nga rruga e Zotit dhe në atë fron të lartë, do uleshin me radhë udhëheqësit e saj. Për të realizuar këtë obskurantizëm mesjetar, u morën lloj-lloj masash represive, deri në lançimin e klerikëve e besimtarëve, të cilët, të vetëdijshëm për misionin fetar nuk u trembën dhe nuk u tërhoqën.
Padyshim, në radhët e këtyre klerikëve bënte pjesë edhe vëllai ynë, i të gjithëve, baba Ismail Jangulli, i cili, as nuk qau dhe as nuk psherëtiu, por ngriti lart zërin, në mbrojtje të udhës bektashiane, të Ehli-Bejtit, të gjithë atyre që mbanin Zotin në zemra. Ai nuk u tremb as kur e arrestuan, as kur i krijuan lloj-lloj dramash familjare, as kur e dënuan gjoja në emër të pushtetit popullor.  Klerikë si baba Ismail Jangulli, i dolën ballë për ballë diktaturës staliniste dhe ‘ja numëruan’ të gjitha në sy, pavarësisht dënimit të egër që e priste. Sot, është pak të thuash, se me përballjen e tij stoike ndaj regjimit, baba Ismail Jangulli ngrohu shpresat e vrara të krejt klerikëve dhe besimtarëve bektashianë, nga Dibra në Vlorë, nga Tropoja në Gjirokastër.
Historitë makabre të burgjeve komuniste, kanë treguar e tregojnë me qindra raste të torturave çnjerëzore, përpara të cilave ka pasur plot që janë frikësuar. Por ka pasur burra dhe si Ismail Jangulli, që jo vetëm i përballuan këto tortura, por mbajtën të gjallë shpresën e bashkëvuajtësve të tyre, me fjalën e urtë të Zotit, me përuljen e thellë që na ka falur tarikati ynë 800-vjeçar. Kush e ka njohur vëllanë tonë në burgjet komuniste, mbanë mend fjalën e tij të ngrohtë e të lartë, qëndrimin kurdoherë të çiltër ndaj çdo besimtari, pavarësisht çfarë feje i përkiste.
Motra dhe vëllezër!
Kontributi i baba Ismail Jangullit, vijon të shfaqet sidomos, në vitet 1990, atëherë filluan  të fryjnë erërat e demokracisë edhe në Shqipërinë tonë të drobitur nga fukarallëku shpirtëror dhe ai material. Ai erdhi në vitin 1992 në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, për t’iu bashkuar grupit të klerikëve e besimtarëve, të cilët rizgjuar besimin  e fjetur dhe nisën plot vetëmohim punën dhe përpjekjet për gjallërimin e bektashizmit.  I urtë dhe fjalëpakë, baba Ismail Jangulli, asnjëherë nuk foli për ‘bëmat’ e tij në regjimin komunist, përkundrazi, u vuri supet halleve dhe punëve të rënda, që kishin të bënin në mënyrë të veçantë me ngritjen e tyrbeve dhe teqeve të rrënuara. Për ‘të, shikimi nga e ardhmja ishte busull e pagabueshme në të gjitha kohërat.
Konsakrimi me titullin e lartë “Baba” nga myrshidi ynë, Dede Reshat Bardhi, në fund të fundit ishte shpërblimi i një jete plot sakrifica vetjake dhe familjare, në dobi të udhës sonë, Udhës së Hakut. Ai e ka merituar kurdoherë atë titull fetar, duke u shndërruar në një baba aq të dashur jo vetëm për besimtarët e Shupenzës, por edhe ata ët Dibrës, Gostivarit, të Strugës, të Laçit dhe të Krujës. Këta qindra e mijëra besimtarë, njohën tek personaliteti i baba Ismail Jangullit, karakterin e pathyeshëm të çdo vështirësie, optimizmin përhershëm në çdo situatë, besimin e pa fikur tek filozofia dhe urtësia emblematike e Haxhi Bektash Veliut.
Teqeja e ngritur me kontributin e tij në Bllacë, është një tempull i shenjtë besimi, ku venë bektashinj nga e gjithë Shqipëria ku gjejnë ende kujtimet e mrekullueshme të bisedave me ‘të. Baba Ismail Jangulli do të kujtohet me jetë e mot, jo thjeshtë për atë objekt të ngritur në prehër të malit, po për rizgjimin e traditës së vyer bektashiane, duke frymëzuar breza të tërë me dashurinë për Krijuesin, për jetën njerëzore, për vlerat e përjetshme të familjes shpirtërore dhe asaj biologjike. Ai ka mbetur, pa dyshimin më të vogël, në memorien historike të bektashizmit shqiptar dhe atij botëror.
Prandaj të dashur motra dhe vëllezër, dua t’iu falënderoj për nismën tuaj. Le ta gëzoj kjo shkollë emrin e baba Ismail Jangullit dhe të ruaj në breza kujtimin e tij!
Uroj që gjithë mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle, të bëhen po aq të denjë me jetën e tyre, sa ishte e denjë vetë jeta e baba Ismail Jangullit!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj