Në kujtim të të gjithë atyre që sakrifikuan dhe dhanë jetën për liri, dhe me shpresën për një të ardhme të pajtimit dhe paqes, në Prishtinë u zhvillua koncerti për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën patronatin e veprimtarit të shquar nga Amerika, Jim Xhema dhe mikut të Kosovës dhe popullit shqiptar, ambasadorit Christopher Hyland.
I ftuari i veçant i kësaj ngjarjeje, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, u shoqërua nga Dervishi i Gjyshatës Bektashiane të Kosovës, Dervish Rrauf Radoniqi dhe drejtori i zyrës për marrëdhënie me jashtë të Kryegjyshatës, Prof. Dr. Arben Sulejmani.
Në këtë ngjarje, veprimtari që me dekada ndihmoi çështjen shqiptare në SHBA, Jim Xhema, takoi Kryegjyshin dhe i shprehu respektin që ndjen për personalitetin e tij. “Kam respekt të veçantë për ju. Ju ishit ata që i dolët në mbrojtje kombit kur të tjerët nuk mundeshin. Rroftë Kosova, Rroftë Shqipëria dhe rrofshi ju Baba” – tha patrioti i madh, Jim Xhema, që me origjinë është nga Medvegja në Luginën e Preshevës.
Ndërkaq ambasadori Christopher Hyland, që shquhet si mik i madh i shqiptarëve dhe i Kosovës, falënderoi Dedein që prezantoi në këtë ngjarje. “Faleminderit që e ndritët këtë event” – tha Hyland. “Ju faleminderoj që na u bashkuar në këtë ngjarje. Liderët fetarë si ju janë të rrallë. Ne edhe në Amerikë mburremi me personalitetin tuaj” – u shpreh bashkëpunëtori i afërt i ish-presidentitn amerikan Bill Clinton, Christopher Hyland.
Dede Edmond Brahimajt i shprehu mirënjohje dhe falënderim edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ambasadori amerikan shprehu falënderim ndaj Kryegjyshit edhe për mundësimin që shefi i zyrës për marrëdhënie me jashtë, Arben Sulejmani, të marrë pjesë në takimin dhe darkën e zhvilluar në Ambasadën në Prishtinë më 14 shkurt 2023.
Filantropi shqiptaro-amerikan, Nazar Mehmeti që është President i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, iu afrua Kryegjyshit duke thënë: “Kënaqësi kam ta përshëndes Babanë. Baba Mondi gjithnjë i palodhur. Ne ju shikojmë përmes ekranit dhe në zemër ju mbajmë përherë”.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, në këtë ngjarje të organizuar nga shqiptarët e Amerikës në Prishtinë, takoi veprimtarin Naim Dedushaj, i cili falënderoi Dedein për pjesëmarrje. Dedushaj i kujtoi takimet e para të ish-Kryegjyshin, Shenjtorin Haxhi Dede Baba Reshat Bardhi me përfaqësuesit e shtetit amerikan. Ndërkaq kryetari i Federatës Pan-shqiptare “Vatra” të Amerikës, Elmi Berisha, në bisedë me Dede Edmond Brahimajn kujtuan vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nder të 100 vjetorit të “Vatra”-s, dhe temat e trajtuara atje.
Në prezencë të liderëve institucionalë dhe personaliteteve nga Kosova, Shqipëria e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ngjarje mori fjalën ambasadori Christopher Hyland, që kujtoi nga kohërat kur punohej për Kosovën në Washington DC. “Të kremtojmë diçka që unë me pasion, por në mënyrë modeste, kam kontribuar, ndryshe nga ata që kanë sakrifikuar, kanë dhënë jetën apo gjymtyrët, apo edhe ata që kanë dhënë shumë të mëdha parashë. Të gjithë së bashku kemi kontribuar, në veçanti Xhim Xhema me senatorin Dollë, që çoi te vija e kuqe, që çoi te pavarësia, që çoi te shteti i pavarur përgjithmonë, Kosova që vazhdon në histori” – u shpreh Hyland.
Audienca e përbërë nga personalitete të njohura nga mesi i shqiptaro-amerikanëve, presidentja e Kosovës, presidenti i Shqipërisë, ambasadori amerikan në Kosovë, ambasadori shqiptar në Kosovë dhe personalitete të shquara, pati mundësinë të ndjekë veprën e titulluar “Mesha e Paqes e Hyland-it”, interpretuar nga Orkestra dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës.