Shtohen radhët e klerikëve bektashianë


Ceremonia e përkujtimit të 130-vjetorit dhe 75-vjetorit të kalimit nga jeta të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Abaz Hilmi Dede, zhvilluar më datë 18 mars 2022 në Selinë e Shenjtë Bektashiane, pati dhe një risi të veçantë, pasi Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi dede Edmond Brahimaj, mbështetur në Statutin Bektashian dhe rregullat kanunore të bektashizmit, dekretoi me gradën ‘Dervish’, dy kandidatët për dervish, Hasan Carkanji dhe Ermal Hoxhën. Dervish Hasani, i sapo dekretuar, është pranë Selisë së Shenjtë Bektashiane, ndërsa dervish Ermali, në teqenë e Turanit, në Tepelenë.
Pas riteve tradicionale, Kryegjyshi Botëror i bekoi vëllezërit e sapo dekretuar për misionin e tyre në Udhën e Hakut, të Haxhi Bektash Veliut.
Në këtë ceremoni, morën pjesë dhe klerikë të tjerë bektashianë, të cilët i uruan vëllezërit e tyre të sapo dekretuar. Vëlli i tyre, dervish Mikel Onjea, i uroi nëpërmjet poezisë që po sjellim më poshtë:

Gëzohuni o besimtarë,
Dhe uroni këta djem të mbarë,
Dy gurë margaritarë,
Që veshën rrobën e bardhë.

Kryegjysh Edmond Brahimi,
Në këtë portë besimi,
Natë e mirë ishte kjo natë
Këta djem patën shumë fat.

Fat i madh për Bektashinë,
Këtu morën mirësinë,
Kush do Muhamed Alinë,
E ka ndihmesë Perëndinë.

Ehli Bejti u bekoftë,
Sa shumë që u deshi fati,
Jeta në paqe u shkoftë,
Uratë nga Dede Reshati.

Diturinë ta përvetësoni,
Porositë Dede Ahmeti,
Njëri-tjetrin fort ta doni,
Zemrën ta keni sa deti.

Prindërit shumë ti respektoni,
Ju dhan’ kurban Bektashisë,
Në lutje jetën ta shkoni,
Bëni mirë gjithë njerëzisë.

Për natë të mirë petkun hodhët,
Veshët hirken e durimit,
Me dëshirë këtë rrugë morët,
Qofshi shembull i përkushtimit.

Dy kandilë sonte u ndezën,
Nga Tepelena e Skrapari,
Shenjtorët ju përkëdhelën,
Ju lule që prutë beharin.

Përgatiti:
Xhorxhin Cullhai
Fotot: Nuri Çumani