Simpozium: “Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit”

20 Mars 2018.
Në prag të Festës së Sulltan Novruzit, Kryegjyshata Botërore Bektashiane organizoi ditën e sotme një simpozium, me temë “Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit”.
Në këtë simpozium ishin të pranishëm Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Hirësia e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, President i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Ilir Meta, Kryetari i Komunitetit Myslyman Shqiptar, Skënder Bruçaj, Ambasadori i OSBE-së, Bernard Borchardt, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve, Loreta Aliko, Koordinatori i Selisë së Shënjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve për veprimtaritë ndërkombëtare, Aziz Vardar nga Parisi, klerikë dhe studiues të bektashizmit, etj...Reth tematikës së simpoziumit folën edhe studiuesit: Dr Ali Grozni-Gjermani, Prof. Dr Damir Mukhetdinov-Rusi, Prof Dr. Ali Shamil-Azerbajxhan, baba Mumin Lamaj-Kosovë, Prof. Dr. Muhmoud Khalilzade-Gjermani, Dr. Lale Algun- Gjermani, Prof. Dr. Masud Idriz- Bosnje, Dervish Abdyl Mutalib Beqiri-Maqedoni, Dr. Blerina Hazizaj- Shqipëri etj...
Nga simpoziumi për veprën e Imam Aliut Kryegjyshi Botëror, Hirësia e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vlerësoi lart figurën e Imam Aliut si udhëheqës i betejave të mëdha: "Imami ynë jo vetëm që diti të udhëheqë plot urtësi dhe durim të gjithë besimtarët në këto luftra të gjata me vite. Me jetën dhe veprën e tij, zbuloi të vërtetën e madhe se një jetë e tillë ja vlen të jetohet edhe nëse koha fizike e saj shkon nëpër dallgë humbjesh dhe fitoresh."
Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta në fjalën e rastit evidentoj harmoninë fetare që ka Shqipëria dhe rolin e bektashinjve në kultivimin e këtij atributi: "Harmonia midis feve në Shqipëri është tashmë proverbiale ndaj ne krenohemi me të. Firmëtarët tanë të pavarësisë dhe themeluesit e shtetit shqiptar u kujdesën me largëpamësi që shteti shqiptar të ngrihej mbi të gjitha besimet dhe në rradhë të parë mbi unitetin kombëtar."