Sot, 106 vjetori i lindjes së Dede Ahmetit, ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian

Sot, më 22 shkurt 2022, komuniteti bektashian, përkujton 106 vjetorin e lindjes së Dede Ahmetit, ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian.
Ahmet Ahmataj lindi në Brataj të Vlorës, më 22 shkurt të vitit 1916. Në vendlindje, në periudhën 1924-1929, ai kreu shkollën qytetëse. Gjatë viteve 1930 - 1937 ka bërë punë të ndryshme në familje dhe tek të tjerët. Gjatë kësaj kohe, i lindi dëshira për tu njohur me bektashizmin, ndërkohë shkoi në disa teqe ku pa  dhe mësoi për jetën e  klerikëve  dhe doktrinën bektashiane. Pa mbushur akoma moshën për ushtar, shkoi në  teqenë e Plashnikut në Berat për tu veshur dervish.
Më 25 mars të vitit 1937 shkon ushtar në rrethin e Dibrës dhe, pasi lirohet, vishet dervish në teqenë e Bllacës të Baba Xhemalit. Aty qëndroi deri në vitin 1939. Pas kësaj, deri në vitin 1942, shërbeu dhe në disa teqe të tjera si në atë të Baba Muharremit në Elbasan, në Turan të Tepelenës, në Vlorë etj. Nga viti  1942 deri në maj të vitit 1944, luftoi në radhët e  ushtrisë nacionalçlirimtare për dëbimin e armiqëve të vendit, i inkuadruar në Brigën e 18 - të, në batalionet partizane të Martaneshit, të Pezës, Kavajës dhe të Elbasanit. Në vitin 1943 u internua në Porto - Romano të Durrësit. Pas lirimit nga burgu, kaloi në çetën  partizane të Shijakut ku dhe plagoset rëndë. Në këtë gjendje të rëndë, ai u kërkon shokëve që ta asgjësojnë për të mos rënë në dorë të armikut.
Me çlirimin e vendit, gjatë vitit 1945, shërbeu si baba në teqenë e Baba Hamitit në Elbasan dhe më vonë shkon  ne teqenë e Kuzum Babait në Vlorë, ku shërbeu deri në vitin 1948. Po në këtë vit u emërua në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve në Tiranë. Ai shërbeu në këtë post deri në vitin 1958.
Me në krye Kryegjyshin Dede Ahmetin, bektashizmi në Shqipëri, u zhvillua edhe më shumë. U hapën disa teqe të reja në Vlorë, Durrës, Berat, Shkodër, si  dhe veshi 7 - 8 dervishë, përktheu shumë literaturë bektashiane etj. Në  vitin 1954 dervishët që veshi, ia morën ushtar dhe u mbyll teqeja e Kuzum Babait në Vlorë, me pretekstim se duhej si pikë strategjike ushtarake.
Dede Ahmeti ishte një klerik me tipare të rralla bektashiane. Ai eci në gjurmë të Haxhi Bektash Veliut dhe Ballëm Sulltanit, duke predikuar urtësinë, dashurinë e njeriut  për njeriun, virtytin, dashurinë e pakufishme për atdheun. Cicërima e tij e ëmbël bektashiane preku mijra zemra njerëzish, besimtarësh, dashamirës  në të katër anët e vendit e të botës. Duke mbetur pasqyrë e gjallë krenarije, oratorije e dashurie për udhën e Haxhi Bektash Veliut.
Në gusht të vitit 1958, deri  në vitin 1967, Dede Ahmeti internohet në  Drizar të Mallakastrës së bashku me dervishin e tij besnik  Reshat Brdhin. Teqeja e Drizarit ka qenë e pa banuar, por puna e tij së bashku me dervish Reshatin, i dha dritë kësaj teqeje. Megjithëse ndodhej larg ajo mblodhi me qindra njerëz, besimtar dashamirës. Nga viti 1967 deri në vitin 1980, kur zemra e tij pushoi së rrahuri njohu vetëm presekucion nga diktatura e egër, por çiraku i Haxhi Bektash Veliut mbeti i gjallë në zemrën e tij, besimtarët, tek i biri i vetëm shpirtëror që e ndoqi në çdo hap të jetës së tij e të veprës së vet, Reshat Bardhi, që më vonë, u bë dhe Kryegjysh Botëror i Bektashinjve.
Dede Ahmet Ahmataj ishte një  klerik i rrallë një klerik i devotshëm predikimi i tij do të dëgjohet gjithmonë në jetë të jetëve.

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI

Nderime për dede Ahmetin - Në Kryegjyshatë dhe Vlorë
Në Krujë dhe Brataj, Vlorë