Sot, 11 vjet nga zgjedhja në postin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, i Haxhi Dede Edmond Brahimajt

Zgjedhja në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (11 qershor 2011)

Sot, më 11 qershor 2022, mbushen plot 11 vite, kur Dede Edmond Brahimaj, u zgjodh në postin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Përkujtimi i kësaj date, është një ngjarje jo vetëm për miliona bektashinj kudo në botë, vëllezër të Tij klerikë bektashian, por dhe për mbarë miqtë e shumtë të gjithë globin. Zgjedhja e Dede Edmond Brahimajt, në këtë post të rëndësishëm, duke zëvendësuar myrshidin e Tij, ish-Kryegjyshin Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi, që u nda nga kjo jetë, puna plot dinamizëm e përkushtim, është vlerësuar në vijimësi, jo vetëm si udhëheqësi i besimtarëve bektashinj, por gjithë faktorëve të tjerë në Shqipëri, Europë e gjithë Botën, për rritjen zgjerimin e radhëve të besimtarëve bektashinj, devizës së këtij besimi të paqtë “Pa atdhe, nuk ka fe”, predikimin dhe angazhimin efektiv në forcimin e paqes universale, bashkëjetesën fetare dhe besimin pa lëkundur tek i Madhi Zot.
Me këtë përvjetor të zgjedhjes si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, urimet më të mira për Dede Mondin vijnë nga të gjitha anët e globit dhe miliona besimtarë e miq të tjerë: Shëndet mbarësi dhe suksese të mëtejshme në misionin Tuaj Fisnik, Dede Edmond Brahimaj!
Ja disa fragmente nga jetëshkrimi i Dede Edmond Brahimajt:
Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, ka lindur në Tiranë më 19 maj të vitit 1959, prej prindërish besimtarë të devotshëm të bektashizmit, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, vazhdon studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” , që i përfundoi me rezultate të larta. Në vazhdim, i jepet e drejta të ndjekë studimet e larta ushtarake, në Akademinë e Forcave Tokësore, sot “Akademia Skënderbej’. Nga viti 1982 dhe deri më vitin 1990, ka shërbyer në funksione të ndryshme ushtarake, në Burrel, Peshkopi dhe Librazhd. Me ringjalljen e besimit bektashian, në fund të viteve 90-të, së bashku me klerikë dhe besimtarë të tjerë, merr pjesë në Këshillin Organizativ të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Në fillim të vitit 1991, me kërkesën e tij lirohet nga funksioni ushtarak, duke marrë përsipër barrën për organizimin e Komunitetit Bektashian. Vlen të theksojmë se edhe në kushtet më të vështira, atëherë kur ushtrimi i besimit fetarë në Shqipëri u ndalua me nen të veçantë të Kushtetutës, shtëpia e prindërve të tij në Tiranë, ka shërbyer për mbajtjen gjallë të bektashizmit duke u rrezikuar shumë prej regjimit që nuk falte.
Më 2 janar të vitit 1992, merr dorë tek udhëheqësi i tij shpirtëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe Baba Barjam Mahmutaj, duke u inkuadruar kështu përfundimisht në rrugën e Pirit të ndritur, Haxhi Bektash Veliut. Më 16 maj të vitit 1996 konsakrohet me urdhrin “Dervish” dhe menjëherë, ngarkohet me detyrë në Teqenë e Turanit, në Gjyshatën Bektashiane Korçë,.
Puna e palodhur e tij për kontinutetin dhe ringritjen e besimit bektashian në Librazhd, Pogradec, Mokër, Korçë, Devoll dhe Kavajë, bëri që më 13 prill të vitit 1997, të dekretohet me titullin “Baba” dhe, pas kalimit nga kjo jetë e baba Bajram Mahmutaj, caktohet si zëvendës i parë i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Në këtë funksion të lartë, kontributi i tij ka qenë i çmuar sidomos në ideimin, përgatitjen dhe realizimin e tri kongreseve të radhës të bektashizmit. Madje në dy kongreset e fundit ( Tiranë 2000 dhe 2005) ka raportuar në cilësinë e përgjegjësit të Këshillit të Lartë Gjyshëror.
Në marsin e vitit 2006, me kalimin nga jeta të Baba Tahir Eminit, gjithashtu emërohet në funksionin e gjyshit të gjyshatës bektashiane në Maqedoni. Kontributi i tij në këtë gjyshatë, ka qenë sa në rrafshin e organizimit të komuniteteve të besimtarëve atje, ashtu edhe në aspektin e njohjes prej ndërkombëtarëve. Si në Korçë edhe në Tetovë, Haxhi Baba Edmond Brahimaj ka manifestuar cilësitë e spikatura të klerikut bektashian në aspektin doktrinor, moral dhe qytetar duke u shndërruar në faktorin të tolerancës fetare midis besimeve të tjera. Në vitin 2004, për kontributin e çmuar të tij, Këshilli i Qarkut të Korçës, e ka nderuar me titullin më të lartë, “Nderi i Qarkut të Korçës”.
Ai ka marrë shumë falënderime dhe konsiderata të larta prej qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë, shoqatave civile, gjithashtu trupi diplomatik i akredituar në Shkup, ka vlerësuar lart si njeri me të gjitha atributet e një prijësi fetar, posaçërisht për rolin e tij paqësor në ‘Harabati Baba’, teqe në Tetovë dhe mënyra e tij, si përballej me diskriminimin ligjor ndaj Komunitetit Bektashian, duke përdorur urtësinë, fjalën e ëmbël dhe zgjuarsinë.
Që nga viti 1992 e në vazhdim, Haxhi Baba Edmond Brahimaj ka marrë pjesë në trajnime të organizatave prestigjioze ndërkombëtare, kurse doktrinore, simpoziume dhe veprimtari të ndryshme me karakter fetar, human dhe social, ku edhe ka referuar, duke çuar aty zërin dhe eksperiencat e komuniteteve bektashiane të kudondodhura në botë. Kështu, më 1966 referoi në Teheran lidhur me tolerancën bektashiane në trevat e Ballkanit. Më 14 qershor 2003, në Konferencën Ndërkombëtare “Fetë dhe Civilizimet në mijëvjeçarin e ri” referon rreth sfidave të bektashizmit në të ardhmen. Në qershor 2004 me kuadër të trajnimeve të organizatës të Komuniteteve fetare tradicionale shqiptare, viziton shtëpinë e Bardhë në SHBA. Nga bordi i kësaj organizate ka merituar titullin “Ambasadori i Paqes”. Ka shkuar në SHBA nga Departamenti i Shtetit dhe nga ambasada amerikane në Shqipëri për një periudhë 21 ditore për diversitetin e fesë në SHBA. Ka marrë pjesë disa herë në festimet e 16 gushtit në Haxhi Bektash të Turqisë, ku është pritur nga drejtues të lartë të shtetit turk si edhe ata të Institutit “Haxhi Bektash Veliut”, pranë Universitetit të Gazit në Turqi. Gjithashtu, ai ka qenë i pranishëm dhe ka kontribuar me ligjëratat e tij në veprimtari analoge në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Ohër, Stamboll, Ankara, Afiyon, Shtutgart, Këln, dhe në Detroit të SHBA -ës. Është pjesëmarrës në pelegrinazhin Botërore për Haxhillëk në Mekë, në vitin 204, si dhe ka marrë pjesë në vizitat e vendeve të shenjta, në Jeruzalem në Izrael, në vitin 2007. Ka qenë gjithashtu i ftuar në Kongresin e 33-të Botëror për “Liritë Fetare” në Indi dhe ka ndezur pishtarin të këtij aktiviteti, së bashku me udhëheqësin e shquar fetar, Dalai Lama. Ka marrë pjesë në tri konferenca Botërore mbi fenë në Maqedoni, nga viti 2006-2011.
Dede Edmond Brahimaj ka përfunduar dhe studimet për jurist, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Maqedoninë e Veriut.
Me vendim ekstra datë 11.06.2011 (160, në protokoll, datë 04.07.2011) të Këshillit të Lartë Gjyshërorë të Kryegjyshatës Botërore, pas kalimit nga jeta e Haxhi Dede Reshat Bardhit më 11.06.2011, zgjidhet në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Këto vite si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ka punuar me përkushtim duke vazhduar rrugën e Dede Reshatit Bardhit, traditën bektashiane në marrëdhënie institucionale brenda dhe jashtë vendit. Ka pasur këto vitet e fundit një axhendë të ngjeshur në veprimtaritë e ndryshme ndërkombëtare nëpër botë, ku nga më kryesoret janë: Takimi me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës për çështjet fetare në vitin 2012; takimi me personalitete të lartë të Turqisë, Kryeministrin Erdogan, Presidetin turkdhe përfaqësues të lartë të Komunitetit Mysliman të Turqisë në vitin 2013; pjesëmarrës në Konferencën për 100-vjetorin e Shoqërisë “Vatra” në vitin 2013; takim me personalitete të Shtëpisë së Bardhë në SHBA, me sekretarin e Shetit, Xhon Kerri më 2013; pjesëmarrës në Konferencën Botërore për Paqe në Pejë të Kosovës, viti 2013; vizitë në vendet e shenjta të Irakut, në qytetet Nexhef, Qerbela, Kufe, Bagdat, në prill 2014; ka masrr pjesë në Samitin për paqen në Seul, në shtator 2014’
Është takuan me Papa Françesku në Tiranë 21 shator 2014 si dhe në Romë më 2016;
Ka marr pjesë në veprimtarinë ndërkombëtare për një paqe mes popujve 9-12 tetor, Palermo-Itali, 2014 etj...
Ka marrë tituj nderi:
-“Ambasador i Paqes”, 2004
-“Nderi i Qarkut të Korçës”, 2004.
- “Qytetar Nderi” i Komunës Zerqan-Bulqizë., 10 qershor 2014
-“Qytetar Nderi” i Komunës Martanesh-Bulqizë., 29qershor 2014
-“Qytetar Nderi” i Komunës Bogovë-Skrapar, 22 gusht 2014
-“Qytetar Nderi” i Komunës Frashër-Përmet, 25 maj 2014.
-“Personalitet i shquar i Labërisë, Shoqata “Labëria”,shkurt 2015
-“Qytetar Nderi” i Qarkut te Fierit, mars 2015.
-“Qytetar Nderi i Qarkut te Beratit, maj 2015.
-Urdhëri “ Kalorsi i Skenderbeut” 7 shtator 2015 nga Presidenti i Republikës.
-Dr. Honorus Causa, Misioni OKB, shator 2016
-Nderi i Bashkisë Bulqizë, tetor 2016
-Mirënjohje nga Presidenti Obama SHBA, janar 2017.
-Çmimin e Arit” Ikona e Paqes” Shoqata e Kombeve të Bashkuara, “G.O.D Aëards” tetor 2017.
-“Qytetar Nderi” i Skraparit, Bashkia Skrapar, janar 2018.
-“Qytetar Nderi” i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare”Vëllezërit Frashëri”-Përmet, maj 2018.
-Medalje “Gjergj Kastriot Skënderbeu” nga Qeveria e Kosovës 17 korrik 1919.
-Çmimin “Unaza e Tolerancës të Paqes“ 18 nëntor 2021, Keln-Gjermani.(Akademia u jep personaliteteve që bëjnë fushatë për dialogun ndërkufitar për paqen dhe kundër racizmit etj...

Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI

Në ceremoninë e 10 vjetorit të zgjedhjes në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve (11 qershor 2021)

11 qershor 2011