Sot, 11-vjetori i kalimit nga jeta, i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi

Sot, u mbushën 11 vjet nga kalimi nga jeta, i Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi  më 2 prill të vitit 2011. Ky personalitet i lartë fetarë, kishte respektin e veçantë e komuniteteve fetarë, shtetërorë, nga diplomatët, politikanët shqiptarë, besimtarët bektashianë të kudondodhur në dhe mbarë populli. Ky rilindës i bektashizmit, 31 vjet më parë, më 22 mars 1991, ndezi  shkëndijën e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe teqeve e tyrbeve në Shqipëri aq  shumë e pritur nga të gjithë besimtarët. Ndalimi i fesë me ligj në vitin 1967 nga regjimi komunist, solli pasojat e saj për gjithë besimet fetare në vendin tonë. Shkatërrimi i fesë, përndjekja, burgimi, pushkatimi, u kthye i vetmi vend ateist në botë. Dede Reshati shprehej se “...është privilegj dhe nder i madh për një vend të vogël si Shqipëria, që të jetë Kryegjyshata Botërore e Bektashizmit. Zoti dhëntë dashuri bekim e vëllazëri ndërmjet besimtarëve.” Dede Reshati me përkushtimin dhe kontributin e shquar, ringriti nga themelet teqetë, tyrbet e shkatërruara, bëri organizimin strukturor dhe statutor të Kryegjyshatës dhe gjyshatave në Shqipëri, Ballkan dhe në botë. Ai  vazhdoi në traditën e mrekullueshme të bektashinjve, në rilindjen kombëtare, në çështjen e gjuhës shqipe, të kombit, paqes përfaqësuar nga personalitete e njerëz të mëdhenj që kanë bërë historinë e Shqipërisë si, Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, vëllezërit Frashëri, Naimi, Abdyli dhe Sami Frashëri, Çerçis dhe Bajo Topulli, Ismail Qemali, Arqif Pashë Elbasani etj. Në traditën historike, dervishët dhe baballarët ecën në rrugën e tarikatit bektashian në dlirësinë dhe dashurinë ndaj Krijuesit  me moton “Pa atdhe nuk ka fe”. Dede Reshati është shprehur se, “...35 %  e myslimanëve janë bektashinj dhe teqeja e parë në Shqipëri është krijuar nga dervishi i Haxhi Bektash Veliut (themeluesit të bektashizmit), Sari Salltiku në malin e Krujës në vitin 1325.”  Sari Salltiku, njeri i parë i bektashizmit në Shqipëri, kishte ndërtuar xhaminë e parë myslimane, mejtepin e parë dhe kishte ndërtuar edhe teqenë e parë. Qendra Botërore Bektashiane, erdhi në Shqipëri në 28 janar të vitit 1930 nga Kryegjyshi Sali Niazi Dede, i cili drejtoi  deri në vitin 1941.
Jetëshkrimi i shkurtër i Dede Reshat Bardhit
Reshat Bardhi ka lindur  më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit, në Veriun e Shqipërisë. Në  moshën 6 -7 vjeçare, fillon  të mësojë shkrim e këndim në gjuhën shqip dhe arabisht nga hoxha i fshatit, i cili rastësisht e kishte shtëpinë ngjitur me fisin  Bardhi. Hoxha, i cili, kishte kryer studime të larta fetare në Stamboll. Ky nguliti tek djaloshi i vëmendshëm edhe  shprehjet e para teorike si  edhe  ato të praktikimit  të riteve fetarë myslimanë. Në vitin 1944, kryefamiljari, Sinani merr rrugën dhe vendoset në rrethina të Tiranës, shumë pranë vendit ku sot ndodhet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Reshati vazhdon mësimet në shkollë ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit. Falë prirjeve fetare,ai hyn në biseda të gjata dhe të këndshme me dervishë dhe baballarë që ndodheshin në Kryegjyshatë.
Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror  të asaj kohe Ahmet Myftarit,.Ai bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit. Në gusht të vitit 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. Në vitin 1958, Kryegjyshi Ahmet Myftari, së bashku me dervish Reshat Bardhin, internon në fshatin Drizar të Mallakastrës, Prej 1958 deri 1967, dervish Reshati do të provonte një varg torturash, por nuk do të largohej nga udhëheqësi i vet shpirtëror dhe as nga praktikimi i riteve  fetarë bektashianë. Me rrënimin e objekteve të kulteve  fetarë në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi, vjen në Tiranë, ku deri në vitin 1991, ka punuar si punëtor krahu dhe jetonte tek vëllai i tij, Rexhep Bardhi dhe të afërmit. Këto shtëpi kanë shërbyer si teqe, në të cilat fshehurazi mbahej gjallë besimi në filozofinë dhe mistikën bektashiane.
Me ringritjen e besimit fetar në vitin 1991 ai riorganizon bektashizmin në Shqipëri  me gjithë strukturat e saj. Reshat Bardhi është shpallur Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, me titull “Dede”, në Kongresin e VI bektashian të vitit 1993. Në këtë post, ai e gjallëroi besimin bektashian, ringriti nga themelet objektet e kultit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë e, dha një shembull të shkëlqyer të tolerancës fetare.
Ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të lartë fetarë në Shqipëri e Botë dhe është takuar me shumë nga personalitetet më të lartë të kohës, fetarë e zyrtarë.
Theksojmë ndër ‘to se më 22 mars të vitit 1991, Dede Reshat Bardhi ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën dhe disa motra të urdhërit të saj nga Kolumia e Spanja.
DISA VLERËSIME PËR DEDE RESHAT BARDHIN
Haxhi Dede Edmond Brahimaj: “...Dede Reshat Bardhi është një udhëheqës shpirtëror  me përmasa ndërkombëtare i pajisur me vlera të larta fetare, fisnikërie, atdhetare, tolerance, mendjendritur, i gatshëm gjithmonë  për mirëkuptim e respekt ndaj mendimit ndryshe.”
Haxhi Selim Muça: “...Haxhi Dede Reshat Bardhi është shprehur gjithmonë se ‘Pa atdhe nuk ka fe’. Ky nderim nuk është një rastësi, sepse koha dhe historia e vendit tonë na mëson se në krye të detyrave të rëndësishme ndaj atdheut dhe kombit shqiptar, kanë qenë gjithmonë klerikët dhe njerëzit e fesë, të  cilët me besimin e tyre ndaj Zotit, ishin të frymëzuar dhe të gatshëm në shërbim të njerëzimit... “
Dritëro Agolli: “..Njoha një njeri që ngroh të tjerët jo me bombila gazi, por me një bombul që quhet zemër, njeri me urtësi popullore, i dashur dhe mikpritës i rrallë, që vetëm nxiste afrimin, jo largimin...”
Moikom Zeqo: “...E quaj veten me fat, që kam njohur nga afër Dede Reshat Bardhin, një nga figurat më emblematike të Bektashizmit. ...Gjithçka tek ai, ishte sa madhështore, mistike, aq edhe njerëzore...’
Edi Rama (në përurimin e Odeonit): “..Nuk e di nëse kjo është ‘udha’-për t’i përshtatur këtij momenti një fjalë kuptimplotë për urdhrin bektashi-që në intimitetin e ndërgjegjes së vet pat dashur të ndjekë arkitekti i vërtetë i kësaj mrekullie, i ndjeri dhe i paharruari Haxhi Dede Reshat Bardhi. ...Ju desh të kundronte për së largu vendosjen e popullit të tij në tokën e premtuar, po ashtu Dede Reshati e sheh sot të kryer amanetin e moçëm për ngritjen e kësaj faltoreje, e kësaj mrekullie, pa qënë fizikisht të jetë i mundur këtu mes gjithë admiruesve dhe miqve të tij...”
Sali Berisha: “...Nën udhëheqjen e Baba Reshatit, me vizionin, urtësinë, dlirësinë, përkushtimin ndaj Krijuesit e dashurinë për njerëzinë që e karakterizonte, bektashizmi shqiptar dhe Kryegjyshata Botërore u ringritën si feniksi mbi zjarrin e shpresës e besimit...
Imzot Rrok Mirdita: “..Dede Reshat Bardhi është një udhëheqës shpirtëror me përmasa ndërkombëtare i pajisur me vlera të larta fetare, fisnikërie, atdhetare, tolerance, mendjendritur, i gatshëm gjithmonë për mirëkuptim e respekt ndaj mendimit ndryshe...”
Anastas Janullatos:  “..Në një periudhë kritike historike për Shqipërinë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi, kontribuoi me vendosmëri në kultivimin e përjetimit të shëndoshë fetar, në forcimin e tolerancës fetare dhe të bashkë ekzistencës harmonike të komuniteteve fetare në Shqipëri si dhe në çdo vend të botës, ku ndodhen komunitetet e bektashinjve...”