SOT, 12 VJETORI I NGRITJES SË TEQESË “DEDE RESHAT BARDHI ”, NË SARANDË

Teqeja e Reshat Dede Baba ndodhet në veri perëndim të qytetit Sarandë, njësia administrative Sarandë, Bashkia e Sarandës. Ndërtimin e saj e nisi  më  4 qershor 2009, Dede Reshat Bardhi, ish-Kryegjysh Botëror i Bektashinjve (1991-2011). Objekti filloi aty ku ishin gjurmët e vjetra të Sari Salltikut, në faqen kodrinës pranë detit. Punimet e ngritjes së teqesë nisën e vazhduan nën drejtimin e baba Sadik Ibrokodhelit. Kjo teqe është përball Korfuzit, atje ku ndaloi Sari Salltiku misionari i parë i islamit dhe bektashizmit, ku historia e tij në Shqipëri dhe Ballkan, është një histori e njohur.
Ditën e nisjes së punimeve, Dede Reshati u shpreh: “ Ndihem sinqerisht i lumtur dhe shumë i respektuar të vendos gurin e themelit në teqenë tonë të re në Sarandë!”. Pas një viti u bë përurimi i tyrbes dhe teqesë. Në këtë përurim, më 2 qershor 2010, mori pjesë Kryegjyshi Dede Reshat Bardhi, i cili, ndër të tjera tha: “ Ndjehem i lumtur që një vit më parë hodhëm themelet e tyrbes dhe të teqesë së Sarandës dhe sot, inaugurojmë teqen e mrekullueshme. Në këtë teqe, në këtë vend që e ka bekuar Zoti, jam i sigurt se do të ndriçoj kurdoherë  flaka e mësimeve të Haxhi Bektash Veliut.” Në tyrbe prehen eshtrat e  dy klerikëve të shquar, baba Islami dhe baba Bilali. Teqeja, në këto vite ka marrë formën e plotë me tyrben e bukur. Ajo ruan elementët bektashian me dhoma të bollshme, mejdanin, kafeoxhakun, kuzhinën etj. Ka edhe dhomën muzeale me objekte të shumta origjinale bektashiane, arritur nën kujdesin e baba Sadik Ibrokodhelit.