Sot, 13-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Sot është një ngjarje e shënuar në historinë e Kosovës dhe kombit shqiptar, 13 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ky përvjetor kujtohet në një situatë kur Kosova sapo përfundoi zgjedhjet parlamentare, e këto dit, pritet krijimi i qeverisë së re dhe shpresohet që pasohet me zhvillime të reja për prosperitetin e vendit dhe ecjen e sigurt të tij drejt familjes së madhe evropiane.
Në këtë përvjetor, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u ka dërguar një mesazh të veçantë krerëve më të lartë të Kosovës.
Kjo ngjarje madhore e trembëdhjetë viteve më parë, ka lënë gjurmë të pashlyer për brezat e sotëm dhe ato që do vijnë, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë kombin shqiptar.
…Më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ndër të tjera, në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, thuhet:”Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik 2010, Gjykata konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, qytetarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar. Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria. Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Keshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikes Federale të Jugosllavisë. Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Marçi Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes vendimit këshillëdhënës se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Shpallja e pavarësisë ishte bërë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, si dhe nga Presidenti i Kosovës në takimin e mbajtur në Prishtinë, kryeqytetit të Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008. Kjo u miratua nga një kuorum unanim, me 109 anëtarë. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit. Terminologjia e deklaratës thotë se Pavarësia e Kosovës është e kufizuar në parimet e përcaktuara nga plani i Ahtisaarit. Ajo ia ndalon Kosovës të bashkohet me çfardo vendi tjetër, ofron vetëm kapacitete të kufizuara ushtarake, thotë se Kosova do të jetë nën mbikqyrje ndërkombëtare dhe parashikon mbrojtjen e minoriteteve etnike. Versioni origjinal i papirusit të deklaratës është nënshkruar nga delegatët po atë ditë. Teksti i deklaratës në gjuhën shqipe është i vetmi tekst autentik.