Kremtohet sot, më datë 4 tetor 2021, 131 vjetori i teqesë së baba Aliut Turan-Tepelenë, me një pjesëmarrje të gjerë dhe me një veprimtari të harmonishme.
Teqeja e bekuar e Turanit, e themeluar qysh herët, në shekujt 16 dhe 17, mundi të mbajë në këmbë prej dervishëve, baballarëve dhe besimtarëve të kësaj treve, për të cilët, filozofia e Haxhi Bektash Veliut, ishte më shumë se një kontekst fetar. Duke shpërndarë dritën e besimit dhe vëllazërinë e shqiptarëve nën sundimin otoman, kjo teqe i kapërceu me kohë brigjet e kësaj feje, duke bërë që besimtarët të ishin të pranishëm nga gjithë Jugu i Shqipërisë.
Kujtohet sot, kontributi i spikatur i baba Ahmet Turanit, i cili, i rritur me frymën kombëtare të klerikëve paraardhës, qysh në rininë e hershme të tij, frymëzoi vëllazërinë e tarikatit bektashian. Është i njohur fakti që teqeja e Turanit, në periudhën e lëvizjes autonomiste shqiptare, jo vetëm priti dhe mbrojti atdhetarët e Jugut të Shqipërisë, por edhe u shndërrua në një vatër të mësimit të gjuhës shqipe. Emri i kësaj teqeje, sikundër dhe i teqesë së Koshtanit, përmenden në një varg dokumentesh osmanë, si qendra të edukimit të brezave me ndjenjat e kulluara kombëtare.
E dhunuar dhe e shkatërruar nga shtetarët otomanë në vitin 1826, e djegur e plaçkitur prej andartëve grekë në vitet 1913-1914, teqeja e Turanit sërish u ngrit në këmbë, falë devocionit të baba Ahmedit dhe dervishëve të tij, duke luajtur një rol të dorës së parë, në vitet 1915 1930. Por sigurisht, ajo nuk do të mund të ringrihej pa dashurinë e qindra muhibanëve dhe mijëra dashamirësve të teqesë, të cilët nuk mund ta ndanin atë nga shpirti i tyre.
Në dyert dhe oborrin e kësaj teqeje, në kafeoxhakun dhe mejdanët e saj të ringritur disa herë, kanë lënë gjurmët e tyre të pashlyera klerikët: baba Sejdin Canaj, baba Refat Kuta, baba Bilal Beqiraj, baba Bajram Gapaj, baba Ahmet Goxhaj, dervish Demir Shahinaj, dervish Luto Memaliaj dhe dhjetëra klerikë të tjerë, të cilët ditën jo vetëm ruajnë të gjallë kujtimet e mrekullueshme të kësaj teqeje, por i pasuruan traditat me elementë akoma më të vyer morale dhe fetarë.
Një kontribut të vyer ka dhënë edhe dervish Mikel Oneja, i cili në shumë pak vite, nxorri në dritë teqenë e Turanit. Duke u mbështetur në mësimet e myrshidit të tij, dede Reshat Bardhit, por edhe në traditat e mrekullueshme të Turanit dhe Tepelenës, dervish Mikeli po rrit këtë teqe dita-ditës, duke gjallëruar në radhë të parë, besimin në zemrat e çdo besimtari.