Sot, më 5 mars 2021, është ditëlindja e 145 e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Sali Niazi Dede. Kleriku Sali Niazi Dede (1876 – 1941) ka meritën e veçantë mbetet krenaria e gjithë shqiptarëve, që solli Qendrën Botërore të Bektashinjve nga Turqia në Shqipëri. “ … Është krenari për gjithë shqiptarët dhe vendin tonë që ky burrë, Sali Niazi Dede, e vendosi Qendrën Botërore në Shqipëri. Starja e Kolonjës, vendlindja e këtij kleriku, mendimtari dhe organizatori të shkëlqyer, ka qënë dhe do të mbetet jet e mot krenari, sepse njëra ndër familjet e shquara të saj, do të lindëte djem të tillë me vizione kaq të mëdha atdhetarë. Por, krenarë sigurisht do të jenë edhe dervishët dhe baballarët shqiptarë, ata që e pritën si ujët e pakët, që e rrethuan me dashuri dhe vëllazëri bektashiane dhe që së bashku shtruan piketa të reja në udhën e Pirit tonë të Ndritur, Haxhi Bektash Veliut”- pohon ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
…Sali Niazi Dede, u lind në Starje të Kolonjës më 5 mars të vitit 1876, kohë në të cilën (kapërcyej të shekujve 19 dhe 20), bektashizmi në Shqipëri kishte ardhur duke u zhvilluar së tepërmi. Madje, jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe në vende të tjerë ballkanikë, fqinj me ne, doktrina bektashiane po gjente shtrirje gjithnjë e më gjerë. Kjo, sa për shkak të përshtatjes të këtij besimi me realitet ballkanikë, aq edhe për frymën tolerante që përcillte. Mendohet se kjo ka qënë një ndër arësyet që vençarisht në jugun e Shqipërisë, bektashizmi të fitonte çdo ditë e më shumë terrene të rinj shpirtërorë. Ka qënë pikërisht ndikimi i teqeve të famshme të Qesarakës, Starjes, por edhe ato të Leskovikut dhe Kreshovës, që lanë gjurmë të thella në fëmijërinë e Sali Niaziut. Me imazhin e pastër dhe real të këtij bektashizmi, Sali Niazi, u gjend në moshën 8 vjeçare në Stamboll me familjen e tij, në kërkim të një jete më të mirë. Në moshën 13-vjeçare, ai ndoqi mësimet në Stamboll dhe Haxhi Bektash, së bashku me qindra nxënës të tjerë nga vise të Anadollit, Azisë e deri nga Irani dhe Iraku. Falë asaj trashëgimie shpirtërore shqiptare, në vitin 1897, vendosi të futet në rrugën plot mirësi bektashiane.
Në këtë kohë, ai është në vemendjen e ish-Kryegjyshit të kohës, Haxhi Fejzi Dedeit, i cili ishte me origjinë nga fshati Maricaj i Tepelenës. Pasi dorëzohet si dervish në rrugën e Hakut, ai përqafon jo vetëm mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamed, por edhe çelësat e diturisë mistike. Ai është i bindur se një harmoni e plotë midis studimeve, ritualeve dhe largimeve prej çdo gjëje të kësaj bote vdekatare, do të mund ta çonte në modelin e përkryer të klerikut bektashian. Në vitin 1908, Dede Fejziu e ngarkon Salih Niazin me detyrën e pajtimit të dedesë të Madh, me familjen Çelebi. Me këtë detyrë që ju ngarkua në dergjah, u kuptua se sa unifikues, pajtues dhe zgjidhës problemesh ishte. Zgjuarsia, largpamësia, lidhja me të drejtën dhe të vërtetën që e karakterizonte atë në çdo moment, ranë masivisht në sy dhe u vlerësuan. Dy dekada të një jete të pasur shpirtërore si edhe adhurime të pafund ndaj Krijuesit, i dhanë rezultatet e veta. Me largimin nga kjo jetë e ish-Kryegjyshit Bektashian, Haxhi Fejzi Dedei, këshilli i lartë gjyshnor, cakton Sali Niazi në postin e lartë të udhëheqjes të këtij besimi. Ky ishte nder jo vetëm për Sali Niazi, por për krejt shqiptarët. Me këtë rast, ne i treguam krejt botës bektashiane se jo vetëm ruanim të pastër këtë besim, por kishim edhe vlera të veçantë të edukimit, përmes të cilave lindnin e rritnin njerëz me tipare të tillë shpirtërorë. Me emërimin e tij në vitin 1913, në këtë post të lartë, Salih Niazi Dede, vazhdoi i sigurtë dhe krejt i dlirë, rrugëtimin e nisur nga dervishët dhe baballarët bektashinj. Sipas dokumentave të shumtë osmanë, emri i mirë i Salih Niazi shqiptarit, i kish kaluar me kohë kufijtë e perandorisë. Falë reformave të ndryshme dhe udhëzimeve për të ruajtur pastërtinë shpirtërore bektashiane, emri i Salih Niazi Dedeit, përcillej me respekt ndër milonat e besimtarëve në Egjipt, Siri, Iran, Irak, Azerbajxhan, Turkmenistan, Greqi, Rumani, Bullgari, Jugosllavi e deri në Azinë e Largme.
Me 17 dhjetor të vitit 1919, Mustafa Qemal Ataturku, i cili vizitoi teqenë e Haxhi Bektashit, mori mbështetjen morale dhe materiale të Salih Njazi Babait dhe Xhemaladin Çelebiut, për luftën çlirimtare. Salih Njazi Dedei u bë aq ndikues me përpjekjet e tij në pavarsinë e kombi turk, sa ishte edhe për prosperitetin e popullit të tijë.
Kur parlamenti turk, me vendim të veçantë, në dhjetor të vitit 1925, urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve në peradorinë osmane, Salih Niazi Dedei i hodhi sytë nga atdheu i tij, Shqipëria. Natyrisht, ai e dinte fort mirë se bektashizmi në trevat shqiptare kishte shekuj që ishte lindur dhe rritur, ndaj dhe transferimi aty i qendrës botërore të këtij besimi, do të shihej si një ogur i bardhë për shqiptarët, pamvarësisht se çfarë feje i përkisnin. Janë disa letërkëmbime midis tij dhe Mbretërisë Shqiptare në vitin 1929, të cilat nxjerrin në pah, jo vetëm dëshirën e këtij kleriku për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri, por edhe garancitë pa asnjë interes të Mbretit Zog, për ndihmën e nevojshme. Kjo padyshim, bëri që Sali Niazi Dede, duke u këshilluar edhe këshillat gjyshërore nëpër vende të ndryshme, të merrte vendimin për të zhvendosur qendrën botërore bektashiane nga Turqia, në Tiranë. Ky akt madhor, sot e kësaj dite, qëndron plot ndinjitet midis zgjidhjeve të ndryshme të shqiptarëve, përgjatë historisë së vet. Ai iku nga Ankaraja në janar të vitit 1930 dhe, mbrriti në Shqipëri, në teqenë e Turanit-Korçë më 28 janar 1930, sipas vendimit të Kongresit të tretë bektashianë mbajtur në teqenë e Turanit-Korçë. Këtu, ai, zhvilloi një veprimtariu të gjërë për çuarjen më tej të bektashizmit në Shqipëri, Ballkan dhe në botë.
Sali Niazi Dede, erdhi në Shqipëri me idenë e qartë për rritjen e besimit bektashian, pikërisht në jugperëndim të Evropës së krishterë. Sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, kleriku i shquar bektashian, përveç frymës tradicionale të besimit bektashian, provoi edhe atë të besimtarëve të tjerë e njerëzve të thjeshtë. Gjithë aktiviteti atdhetar i bektashinjve në vitet njëzetë të shekullit të kaluar, ka pasur mbështetjej e plotë të shtetit shqiptar dhe të mbretit Zog. Dekretimi i Hirësisë së Tij, Sali Njazi Dedei,t si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit u bë në mars të vitit 1930.
Për 11 vjet me radhë, Sali Niazi Dede, u vu në krye të punëve të vështira për organizimin sa më të mirë të besimit tonë, vençanërisht në trojet shqiptarë. Por kujdesi i tij u ndje deri larg, në teqetë bektashiane në Greqi, Bullgari, Rumani, Maqedoni, Serbi, Kosovë e Mal të Zi. Ai ishte në korrent të gjithë dinamikës bektashiane në Ballkan dhe me këshillat, porositë dhe urdhërat e tij, u përpoq të ruante me çdo kusht vlerat e këtij besimi, edhe pse bota po shkonte drejt një lufte të re botërore. Zemra e çdo besimtari, duhej të rrihte me dashurinë e madhe të atdheut. Duke parë me çfarë kujdesi fetar dhe intelektual, por edhe me çfarë dashurie shpirtërore ishin përgatitur kongreset dhe statutet bektashianë, ky klerik i devotshëm, ishte i pari në zbatimin konkret të kodeve zakonorë bektashiane. Janë me dhjetëra baballarë, të cilët linin teqetë e tyre dhe për javë të tëra, shkonin në Tiranë, duke marrë jo vetëm mësime fetare nga myrshidi i lartë i tyre, por duke dashur ta ndjekin pas atë, në urtësinë dhe thjeshtësinë emblematike. Roli i pazëvendësueshëm i këtij kleriku, është gjithashtu edhe në aspektin e ruajtjes të tradicionit brenda besimit. Por këtë tradicion, Salih Niazi Dede, e pa në përputhje të plotë me kohën që kalonte. Pavarësia në ide e veprime, edukimi i ndenjës së atdhetarisë, mëria e natyrshme ndaj pushtyesit, kanë çuar padyshim në ngjalljen e fuqive të verbëra ndaj Salih Niazi Dedeit. Ka disa baballarë shqiptarë që kanë treguar se në këto kushte, shumë prej tyre vinin në Tiranë, të rrethuar nga dashamirësit e tyre, vetëm e vetëm për të qënë fizikisht pranë këtij kleriku që po afrohej të 70 viteve jetë. Por Kryegjyshi e pati kuptuar dhe i përcillte këta për në teqe dhe, duke ndenjur në praninë e dy dervishëve besnik. Sigurisht ai jetonte me realitetin e egër. Dora vrastare që shtiu mbi Salih Niazi Deden në 28 nëntorin e vitit 1941, ka menduar se do të trembte krejt armatën e klerikëve bektashian. Në të vërtetë ndodhi e kundërta. Salih Njazi Dedej ra dëshmor për kryerjen e misionit të tij të shenjtë.
Komisioni Qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” e ka shpallur Sali Njazi Dede ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.218, datë 23.04.2010. Gjithashtu, Kryegjyshata Botërore Bektashiane është shpallur “Monument Kulture“ nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve me Urdhër Nr. 236, datë 17.05.2010. Edhe ata klerikë që erdhën pas tij, dëshmuan atdhetarinë dhe dlirësinë shpirtërore, po aq sa myrshidi i tyre, i rënë theror, duke mos u pajtuar me pushtuesin, me tiranitë dhe idetë që e vdisnin lirinë njerëzore. Deviza bektashiane “Pa atdhe nuk ka fe”, i ka trembur kurdoherë armiqtë e Shqipërisë. Salih Niazi Dede ka qënë dhe mbetet ideatori dhe ndërtuesi i godinës madhështore të bektashizmit në vendin tonë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Salih Niazi Dede. Ka marrë titullin “Dëshmor i Atdheut” nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë dhe nga Presidenca urdhrin “Nderi i Kombit”.
Sali Niazi Dede mbetet krenaria e gjithë shqiptarëve që solli Qendrën Botërore të Bektashinjve në Shqipëri. Ai ka qënë dhe mbetet modeli i klerikut me dije të mëdha, me urtësi dhe tolerancë. Ai ka qënë dhe mbetet reformatori i parë i këtij besimi në vendin tonë, duke e ngritur bektashizmin në nivele të lartë përfaqësimi në Ballkan dhe në botë. Mbetet i përjetshëm kujtimi i tij i paharruar për gjithë besimtarët e kudondodhur në botë.
Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj, pohon:
“ …Sali Niazi Dede, është krenari për gjithë shqiptarët dhe vendin tonë e më gjerë, pasi ky e vendosi Qendrën Botërore, nga Turqia, në Shqipëri. Starja e Kolonjës, vendlindja e këtij kleriku, mendimtari dhe organizatori të shkëlqyer, ka qënë dhe do të mbetet jet e mot krenari, sepse njëra ndër familjet e shquara të saj, do të lindëte djem të tillë me vizione kaq të mëdha atdhetarë. Por, krenarë sigurisht do të jenë edhe dervishët dhe baballarët shqiptarë, ata që e pritën si ujët e pakët, që e rrethuan me dashuri dhe vëllazëri bektashiane dhe që së bashku shtruan piketa të reja në udhën e Pirit tonë të Ndritur, Haxhi Bektash Veliut.”
Përgatitën: Nuri Çuni
Kujtim Boriçi