Dita e sotme, 17 shkurti, është një ditë e veçantë për komunitetin bektashian të Maqedonisë Veriore dhe për gjithë bektashinjtë ku jetojnë dhe punojnë. Sot, mbushen 16 vjet që iku nga kjo jetë kleriku i njohur, baba Tahir Emini, i cili ka lënë gjurmë devocioni e përkushtimi, në udhën e ndritur të besimit tonë të paqtë. Përkujtimi i kësaj date, është një vlerësim për këtë kontribut të dhënë, jo vetëm si klerik, por dhe si mësimdhënës, duke mësues e edukuar breza ët tërë me dashurinë jetësore për gjuhën e bukur shqipe..
…Baba Tahir Emini, lindi në fshatin Rrasë të Dushës, në Tetovë, në vitin 1941. Ai u edukua që në fëmijërinë e hershme me baladat e trimërisë shqiptare, shembullit të prindërve të tij, të cilët e mëkuan me dashurinë për Zotin dhe atdheun. Mësimet e para i mori në Rrasë, për të ndjekur më pas studimet pedagogjike në Tetovë dhe Shkup. Ai, kishte një ëndërr të hershme, t’u mësonte bashkatdhetarëve të tijë gjuhën e bukur shqipe. Janë me dhjetëra shkolla ku dha mësim. Janë me dhjetëra vite, ku ndonëse obskurantizmi sllav përpiqej të rrënonte besimin mëmëdhetar të shqiptarit, ai nuk u lodh dhe nuk u dha asnjë herë. Baba Tahir Emini, një periudhë të gjatë, ka punuar si arsimtar në fshatin Zhelinë të Tetovës, si dhe më vonë si drejtor shkolle në fshatin Grupçin.
Që herët, ai pati hyrë në lidhje të fshehta me njësi të jetës hyjnore duke na kujtuar të gjithëve parimin e madh bektashian që me sytë e kokës shikon krijesat, ndërsa me ato të zemrës, shikojnë Krijuesin. Në fillim të viteve 90, atëherë kur zemrat e besimtarëve bektashian po mbusheshin me shpresë, baba Tahir Emini, së bashku me baba Tajar Gashin, mblodhi rreth dritës së bektashizmit me dhjetëra e qindra myhibanë dhe zahirë, besimtarë dhe të afërm të tyre, duke ecur në gjurmët e ndritura të baba Qazim Bakallit. Ai kapërceu pragun e mbyllur të teqe së Harabati-Babait, duke lënë pas vite të tëra të djerrinës shpirtërore. Ky kapërcim epokal, do vinte sigurisht përmes dhimbjesh të mëdha fizike dhe shpirtërore. Fjala e tij e ëmbël, bujaria dhe mirësia, mblidhnin rreth mureve shekullorë të teqesë me qindra besimtarë. Dhe pikërisht, në këto momente, me ringritjen e bektashizmit edhe në shtetin amë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi do të tregonte kujdesin e madh, atëror. Periudha që nga viti 1994 e deri në ditën e shkurtit të vitit 2006, kur zemra e baba Tahir Eminit pushoi së rrahuri, është periudha e një bashkëpunimi të ngushtë, vëllazëror, shpirtëror dhe institucional të Selisë së shenjtë në Tiranë. Tahir Emini, i dha shpirt e frymë teqesë së Harabati-Babait, duke e shndërruar atë në tempull fetar për çdo besimtar të vërtetë. Baba Tahiri, ishte një njeri fisnik, i urtë dhe atdhetarë i madh. Tërë jetën e tij ia kushtoi besimit mistik fetar islam dhe përhapjes së ideve të Kuranit të shenjtë si dhe të porosive të atdhetarëve të mëdhenj shqiptar me përkatësi fetare bektashiane. Bashkëpunimi me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, e puna e tij me përkushtim për bektashizmin, bëri që në vitin 1994, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, ta emëroj Kryetar të Komunitetit Bektashian të Maqedonisë. Në këtë teqe, ai shërbeu me devotshmëri për 11 vjet.
Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI