Sot, 193 vjetori i themelimit të teqesë së Turanit – Korçë


Përkujtimi i 193 vjetorit të teqesë Turanit Korçë, sot është një ngjarje e rëndësishme për gjithë bektashizmin shqiptar dhe në botë, se baballarët dhe dervishët e kësaj teqeje lanë gjurmë në veprimtarinë e tyre jo vetëm për Korçën, por për gjithë Shqipërinë dhe më gjërë. Ne vitet `30, në këtë teqe filloi veprimtarinë Kryegjyshata Botërore Bektashiane, me Kryegjysh Sali Niazi Dede. Kjo teqe ka një histori të shkëlqyer.
Themeluar nga Salih Baba Elbasani. Kanë shërbyer shumë baballarë të tjerë si baba Seferi, baba Ademi, baba Hajdari, dervish Filja, baba Seit Leskoviku, baba Pajua, dervish Hyseni. Teqeja ka luajtur një rol aktiv në rilindjen kombëtare e deri në çlirim. Këtu u mbajt kongresi i III i bektashinjve në vitin 1929. I cili mori vendime të rëndësishme dhe sjellja e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri. Më 28 janar 1930 erdhi Kryegjyshi Botërori Bektashinjve Sali Niazi Dede e drejtoi nga teqeja e Turanit deri 7 gusht 1930 e më pas shkoi në teqenë e Melçanit. Por do veojme se në zbatim te vendimeve te Kongresit III Bektashian 1929 në teqenë e Turanit –Korçë, Sali Niazi Dede, erdhi në Shqipëri me ide të qartë për rritjen e besimit bektashian, këtu në jugperëndim të Evropës së krishterë. Kjo sfidë do të kalonte vetëm e vetëm përmes mësimeve të Haxhi Bektash Veliut. Ai sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, kleriku i shquar bektashian, provoi përveç frymës tradicionale të besimit bektashian edhe atë të besimtarëve të thjeshtë. Në letrën që i dërgon myrshidit të tij, baba Ali Naxhi Bajkalit, në ato ditë të fundit të janarit 1930, pasi përshkrun udhëtimin e ardhjes në Shqipëri nga Saranda në Korçë midis të tjerave shkruan: … “Shkuarja në Turan me njëzetë e pesë makina do të mbetet një kujtim i paharruar dhe shumë i vyer për mua. Do të qëndrojmë disa ditë këtu dhe do të shkojmë në Tiranë për të marrë fermanin e Kryegjyshit”.  Vendosja  e tij në teqenë e Turanit Korçë, i cili  filloi veprimtarinë intensive  për forcimin e bektashizmit në Shqipëri ishte i një rendësie të veçantë, sepse u bë Institucioni i parë bektashianë botëror në Shqipëri. Kjo u shoqërua me takime të Mbretit Zog në muajin shkurt dhe  dekretimi i tij  si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve në mars po të atij viti. Qeveria e Zogut duke respektuar vullnetin e klerikëve  bektashian me dekret të veçantë e emëroi në mars 1930 Sali Niazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Kjo duket edhe në një dokument arkivor në të cilën  shkruhet: …”  Ju, njoftohet se, si mbas shkresës Nr.323 datë 20.3.1930, të Ministrisë së Oborrit Mbretëror, Nalt-Madhënia e Tij Mbreti pati mirësinë me urdhënue dekretimin e emrimit të Hirësisë së Tij, Salih Niazi Dedes, Kryegjysh Bektashian”.
Më 4  prill të vitit 1930 organizon mbledhjen e Këshillit Gjyshnor duke marë parasysh nevojat e mëdha të organizimit dhe dërgon  një Qarkore qendrave Gjyshërore dhe Prindërore bektashianë të Shqipërisë. Në shtatë pika shkruhet mbi paraqitjen në Kryegjyshatë të titullarve  të gjyshatave dhe emrat e dervishëve dhe baballarëve në teqetë e tyre me hollësi, të zbatojnë urdhërat e Kryegjyshit, emërimi i këshillit lokal të  çdo gjyshate, për administrimin sa më mirë të pasurisë të teqesë, disiplina shembullore sipas mësimeve të Haxhi Bektash Veliut etj. Gjithashtu u përgatit edhe një Deklaratë e Këshillit Gjyshnor Bektashian për gjithë besimtarët bektashinj të popullit të Shqipërisë. Ku theksohet se: “Ky besim kurdoherë ka ecur mbi udhën e drejt të Perëndisë dhe ka predikuar:  drejtësi, dashuri, urtësi, liri, disiplinë. …Besimi bektashian ka me u përpjek për me shërue çdo farë plage morale ose shpirtërore që ka sjellë dhimbje të mëdha në trupin e kombit prej të cilit sot po nderohet.” Historia e teqesë Turanit është e lavdishme. Vazhduan drjetimin shumë klerikë të nderuar në vite të kësaj teqeje.
Në këtë teqe, në vitin 1943 u vra baba Zylfo nga komunistët. Teqeja ka qenë qendër e gjyshatës së Korçës (Korçë, Kolonjës, Bilisht, Pogradec).
Klerikët që drejtuan teqenë: Baba Sali baba Hajdar Qencka, baba Zylfo Vërleni 1940 vrarë në vitin 1943 dhe dervish Nevrus Hoçisht, dervish Hajder Melcan, dervish Bektash Ishtip. Në vitet 1950-1955, gjysh Sabri Kalaja, dervish Tahir Gërxhani, dervish Bektash Nashkollari, dervish Samit Zboqi, dervish Shaqir Gërxhani. Baba Abdulla Çela 1963. Gjysh Ramadan Metaj 1963-1965. Teqe e madhe me mur guri me rreshta të rregullt. Ndërtesë dy katëshe në formë drejtkëndëshi me dhomat e nevojshme, oborr i madh i rrethuar me mure të lartë. Në afërsi të saj janë tyrbet njëra në formë drejtkëndëshi me hyrje portiku mbuluar me çati me tjegulla, kurse tyrbja tjetër simetrik dynjake me portik hyrës tip kupolë i japin një pamje të bukur në mjedisin rreth teqesë. U mbyll nga shteti monist në vitin 1967. U rihap në vitin 1992. Rindërtuar plotësisht në vitin 2000 nga baba Mondi  Mbas viteve 1990 drejtuan klerikët: dervish Barjam Çerçiz Ahmataj  dervish Xhelal Resuli, dervish Sali Peti, Baba Mondi, drejton gjyshatën sot sekretari Nuri Muçollari.

Përgatitën:   Nuri Çuni
                         Kujtim Boriçi

Ardhja e Sali Niazi Dede në Turanë viti 1930