Sot, më 1 korrik 2021, përkujtohet 195 vjetori i themelimit të teqesë së Bubësit të parë (teqe e baba Jeminit). Teqeja e Bubësit, ndodhet në lagjen Memadinaj të Bubësit të parë, Njësia Administrative Ballaban, Bashkia e Këlcyrës. Themeluesi i teqesë, në vitin 1826, është baba Dalipi, i ardhur nga Greqia. Ai ndihmoi në zgjerimin e pronave të teqesë. Gjithashtu dha kontribut në edukimin fetar dhe atdhetar në zonën e Dëshnicës-Përmet. Punoi gjithashtu me përkushtim në fshat dhe zonë për pajtimin, zgjidhjen e grindjeve dhe mërive. Pas vdekjes së baba Dalipit në vitin 1895, e drejtoi teqenë baba Jemini, i cili veshi dervish nga fisi i tij, dervish Qazimin. Klerikët e bënë këtë teqe, një vend pritje dhe përcjellje për çdo udhëtar dhe të varfër, duke dhënë mirësinë e dashurinë, vëllazërimin, predikimin e bektashizmit. Edhe mbas vitit 1918, që ndërroi jetë dervish Qazimi e drejtuan të afërmit e tij deri në vitin 1967. Pas vitit 1990, fisi Memadinaj dhe, falë kujdesit dhe ndihmës financiare të Vasil Macukës nga Gjirokastra dhe Entela Memajdini me banim në SHBA, u ringrit tyrbja e baba Dalipit dhe baba Jeminit, përkatësisht më 2008, nën kujdesin e Nuredin Memadinaj. Këtu organizohet pelegrinazhi i përvitshëm në çdo 1 korrik. Teqeja ishte dy katëshe, kishte mejdanin, ashefin me dhomat e nevojshme, pusin, hauret e bagëtive me mjedis të këndshme pemë frutore dhe livadhe. Tyrbja pranë saj, është e ringritur në formë simetrike tip kupolë me ballkon hyrës dhe është ndërtuar me mur guri të skalitur me rreshta të rregullt dhe simbolin e taxhit bektashian.
Përgatiti
Nuri Çuni