SOT, 158-VJETORI I THEMELIMIT TË TEQESË SË BACKËS-SKRAPAR


Teqeja e Backës, ndodhet në juglindje të Skraparit, në fshatin Backë, kufi me Korçën. Fshati Backë, Njësia  Administrative Potom, Bashkia e Skraparit. Mbishkrimi osmanisht, jep të dhëna se është ndërtuar në vitet 1869 – 1870 nga baba Fetahu i dëgjuar. Ka të dhëna se teqeja  e vjetër, ka qënë  para vitit 1800, rrinte dervish Brahimi nga lagja e Koromanve të Backës. Ka histori dhe veprimtari patriotike e atdhetare, gjatë gjithë hisorisë së rilindjes kombëtare, e deri më sot. Ishte vatër e abetares dhe gjuhës shqipe, e librave të Naimit. Djegur në vitin 1914, Riparuar më 1918.
Teqeja përbën njërën nga komplekset interesante, përfaqësuese të arkitekturës monumentale në Shqipëri. Sepse, në të kombinohen të gjitha mjeshtëritë dhe elementët konstruktive si kolonat, arkadat, kupolat dhe relievet e gdhendura, me kompozicione figurale zoomorfe e floreale, të cilat, i shohim edhe në teqetë e tjera dhe në banesat karakteristike, të hershme në Shqipërinë e Jugut. Në hyrjen e portës në krahun e majtë specialistët me porosi të baba Fetahut, kanë skalitur shqiponjën dykrerëshe.

Kanë shërbyer klerikët: dervish Brahim Koromani, baba Fetahu, dervish Veli Pajaziti nga Ermenji i Tomorricës, (1869-1902),  baba Mestani 1926. Në vitin 1940 shërbyen në këtë teqe klerikët: baba Sali Kajmak, dervish Veli Agush, dervish Demir Orhan, dervish Rexhep Adem, dervish Feim Adem, dervish Bedri Hebip.

Në vitin 1955, baba Muço Panariti, dervish Hasan Hysi. Më pas vazhduan baba Ahmet Prishta, në vitin 1961 dervish Hajrua. Pasuan të tjerë klreikë, baba Neshat Koromani 1963-1967.
U mbyll si institucion fetar në vitin 1967, nga shteti monist. U rihap në vitin 1998. Nga pakujdesia u rrënua një pjesë e mirë e teqesë. Ndihmuan në ringritjen e disa dhomave vëllezrit Ibro. Më pas, nën kujdesin e Gjyshatës Skrapar, u bë një rikostruksion i plotë, duke ringjallur këtë monument të rrallë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, në vitin 2019. Gjithashtu, në qershor të viit 2020, u vendos busti në bronz, i baba Fetahut. Organizohet pelegrinazh i përvitshëm. Shpallur nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës me Vendim nr. 1886, dt. 10. 06. 1973, Monument Kulture.