Sot, 241 vjetori i themelimit të Teqesë së Zallit në Gjirokastër

Sot, është 241 vjetori i themelimit të Teqesë së Zallit në Gjirokastër, një institucion i njohur bektashian, në të cilën kanë shërbyer klerikë të dëgjuar dhe njëkohësisht, ka shërbyer dhe si shkollë e përgatitjes së dervishëve e baballarëve të shumtë.
Nëpërmjet misionarëve të parë që u dërguan në Shqipëri, ishin Baba Ali Horasanin, Krujë; Dylgjer Hysejni, baba Aliu në Elbasan, në Berat, Skrapar, Kolonjë, Përmet, Vlorë etj. Këtë fakt e vë në dukje edhe Evlia Çelebi, për teqetë e para në Vlorë, Gjirokastër, Pogradec, baba Arshiu në Gjirokastër dhe shumë të tjerë. Që të gjithë këta erdhën në Shqipëri ndërmjet shekullit XIV-të dhe XV-të. Këta misionarë punuan pa reshtur për të hedhur themelet e bektashizmit në Shqipëri, si edhe në vende të tjera. Gjirokastra njohu misionarin e parë baba Arshiu në shekullin e XVI-të.
Baba Arshiu ishte origjinë nga Anatolia. Ai ndërroi jetë më 1621. Tyrbja e tij ndodhet në lagjen Cfakë. Më pas, njëra pas tjetrës u ngritën teqeja e Asim babai, Shtufit dhe e Mesit. Gjirokastra ka pasur tri teqe të famshme dhe me histori të madhe.
 Historia e fillimit të teqesë së Zallit, lidhet me themeluesin e saj, Muhamet Asim Babai, që është nga udhërrëfyesit e shquar bektashinj dhe shkrimtar i kohës. Ai ishte prej racës profetike, prandaj ka titullin Sejjid. Ka lindur në Skutari të Stambollit dhe është nga të trungut të Hashim Babait. Atje ai quhej Bandërmalli Zade. Asim Babai mësoi në shkollën e Haxhi Bektashit në Turqi dhe mori një kulturë të gjerë. Ai njihte shumë mirë misticizmin. Mori gradën gjysh, nga teqeja e Haxhi Bektashit dhe u dërgua në Shqipëri më 1778, në Gjirokastër, për të përhapur bektashizmin në këtë qytet. Në fillim pati shumë kundërshtarë të bektashizmit, por me frymën e tij shenjtore dhe me kulturën që kishte, i bindi të gjithë kundërshtarët pas dy vjetëve. Në kohën kur themeloi teqenë e Zallit më 1780, ai rrinte në çadër. Ai rridhte nga fisi i familjes profetike bir pas biri, që nga Asim Babai e deri tek imam Musa Qazimi. Muhamet Asim babai, ka qenë dhe shkrimtar. Ai ka shkruar një libër në prozë me titullin “Jildizname”. Ka shkruar gjithashtu dhe një divan të vogël në dorëshkrim, ku janë vjershat e tij me frymë mistike. Teqeja e tij, u zhvillua shumë. Pas tij, në këtë teqe, erdhën në krye të saj baballarë me kulturë. Kjo teqe, në historinë e saj, u kthye në një qendër kulturore me rëndësi. Kishte një bibliotekë të pasur me libra klasike fetare, të shkruar në gjuhët tradicionale fetare, arabisht, persisht, turqisht dhe, në fund, ishte pajisur dhe me libra të këtij lloji në gjuhën shqipe, dhe në disa gjuhë evropiane, si italisht dhe frëngjisht. Në këtë teqe, erdhën njëri pas tjetrit baballarë të ndritur deri në vitin 1944 si: Baba Hasani me origjinë turke, baba Sulejmani nga Gjirokastra, dervish i Hasan Babait që është nga fisi i Briskut, në Gjirokastër. Baba Sulejmani, s’ka pasur trashëgimtarë nga fisi i tij dhe, 60 dynym ara që kishte në katundin Terihat të Dropullit, të trashëguara nga i ati, ia fali teqesë, e cila i zotëroi një kohë të gjatë. Këto prona, pastaj i shiti dhe me të hollat e tyre, bleu 80 dynym ara në fushën e Kordhocës, pranë katundit Lazarat, në emrin e tij, të cilat i zotëroi teqeja deri në fund. Baba Sulejmani, ndërroi jetë në vitin 1806. Pas tij, u dekretua ‘Baba’, nga teqeja e Haxhi Bektashit, dervishi i tij, baba Ali Gega, që njihej në atë teqe me emrin baba Ali Plaku. Baba Ali Plaku është i vëllai i Islam Gegës, nga fisi Gega në Gjirokastra. Ai ka qenë nga familje pasanike në ato kohë dhe, kur u vendos baba në teqe, e ndau pjesën e pasurisë, trashëguar nga i ati, me vëllanë e tij Islamin dhe, pjesën e tij, ia fali teqesë. Pasuria e tij përbëhej nga mera’, çaire dhe ara, në vendin Soreza (Kallo) të Gjirokastrës, afër katundit Këllez. Këto pasuri, i zotëronte teqeja deri në fund. Baba Ali Plaku, kishte lënë kujtim në teqe edhe musllukun (depon e ujit), që kish ndërtuar vetë. Ai i bëri mjaft shërbime bektashizmit për 24 vjet me radhë. Ndërroi jetë më 1830. Haxhi Jahja Babai, nuk qëndroi shumë në këtë teqe, vetëm 6 vjet. Kur vajti të vizitonte njerëzit e tij në Krujë, populli i atjeshëm e simpatizoi shumë dhe, për nder të tij, ndërtoi nga themeli një teqe të re, me emrin e tij, brenda në qytetin e Krujës dhe e mbajtën atje. Postin e tij në Gjirokastër, e zëvendësoi me dervishin e tij, Baba Ibrahimin, i cili qëndroi 9 vjet. Pas tij, erdhi Ali Haqi Babai, që është nga shkrimtarët dhe vjershëtorët e mëdhenj bektashinj. Ai është një nga klerikët më të shquar dhe më të ndritur të kohës së tij, si nga pikëpamja e kulturës dhe nga pikëpamja e prestigjit të madh që gëzonte. Biografia e tij është shumë interesante. Baba Aliu, pastaj e hapi shumë bektashizmin jo vetëm në Gjirokastër, (që në shumicë të madhe e banorëve, u bënë bektashi), por e zgjeroi edhe në rrethe si në Delvinë me fshatrat e saj, Libohovë, Nepravishtë, Tepelenë, Kurvelesh, Përmet e deri në Korçë dhe Elbasani. Në Vlorë, kishte Baba Qamilin, të vëllanë e tij, Alinë, dhe shumë myhibë nga Smokthina e Vlorës, si Shero Agai e të tjerë… Numri i anëtarëve të tij shpirtërorë, kapërcente 2000 vetët. Ai kishte veshur me dorën e tij, dyzet dervishë, dhe kishte dekretuar vetë dymbëdhjetë baballarë, të cilët janë:

-Baba Hyseni i Manastirit (Manastir),
-Baba Hyseni i Xhumasë (Xhumai Baba),
-Baba Hajdëri i Gjirokastrës (Gjirokastër),
-Baba Aliu i Elbasanit (Elbasan),
-Baba Abdullai i Katerinës (Selanik),
-Baba Ali Turani (Turan-Tepelenë),
-Baba Ismail Gllava (Berat)
-Baba Belul i Therepelit (Skrapar),
-Baba Mustafa Memaliani (Tepelenë),
-Baba Selman i Rabijes (Tepelenë),
-Baba Sejfulla Melani (Nepravishtë),
-Baba Selim Elbasani (Gjirokastër).

Selim Ruhi Babai është nga klerikët, dijetarët dhe vjershëtorët bektashinj të mbarimit të shekullit XIX. Ai ka lindur në qytetin e Elbasanit në vitin 1869. Këtu, në vendlindje, bëri studimet fillore, pastaj hyri në kolegjin fetar (medrese) atje, të cilin e mbaroi me sukses në moshën 16 vjeç. Në vitin, 1885, erdhi në Gjirokastër tek baba Aliu, me atin e tij, Xhemalin, dhe mori dorë. Aty vazhdoi dhe dy vjet të tjera kursin e posaçëm të kolegjit në Gjirokastër, ku u pajis mirë me kulturë, duke zotëruar mirë dhe të tri gjuhët klasike fetare, arabishten, turqishten dhe persishten. Ai mori dekretin kulturor (ixhazetnamenë) dhe, nuk u nda më pre tij, deri në vitin 1888. Pas tre vjetësh, më 1891, u dorëzua dervish nga dora e baba Aliut. Studimet i vazhdonte gjithnjë, duke sjellë vit për vit libra të reja nga Stambolli, të cilat i këndonte dhe i studionte bashkë me baba Alinë. Nuk kishte mbetur libër, s’kishte mbetur koment që nuk e kishte parë. Jo vetëm me subjekte fetare, por edhe me lëndë të tjera, si histori, gjeografi, literaturë, libra shkencorë, libra të historisë natyrale, filozofi e të tjera lëndë të këtij lloji. Ai ishte i përgatitur në çdo fushë, sa mund të konsiderohej më i kulturuari nga të gjithë klerikët e kohës së tij dhe më i ngrituri intelektualisht. Dijetarët e largët nga Libohova, Delvina, Korça e të tjerë vende, vinin në teqe dhe flinin atje ditë me radhë. Shumë herë, mbushnin dhe javën e nuk shqiteshin nga biseda e ëmbël e tij.
Kështu që, kur ndërroi jetë baba Aliu, në vitin 1907, sipas dekretimit dhe porosisë së tij, baba Selimi, zuri postin e tij dhe e kreu detyrën me dinjitet dhe zotësi të jashtëzakonshme për tridhjetë e shtatë vjet me radhë, ashtu si vetë Baba Aliu.

Klerikët që drejtuan teqenë e Zallit (sipas radhës):
– Asim Babai, 16 vjet
– Hasan baba Turku, 2 vjet
– Sulejman baba Gjirokastra, 8 vjet
– Ali baba Gega, 6 vjet
– Haxhi Jahja baba Kruja, 6 vjet
– Ibrahim Baba Turku, 9 vjet
– Hysen baba Elbasani, 16 vjet
-Haxhi Ali Haqi, 46 vjet
– Selim Ruhi baba, 37 vjet

Pas vitit 1944:   
-Gjysh Ibrahim Kuka
-Dervish Esat Rakip Lazarati 
-Dervish Shahin Rushit Hasim
– Dervish Riza Fejzo Buzi  
– Dervish Sherif Shaban Çanaj
– Dervish Hysen Rizas Gjini  
– Dervish Muhamet Kënellaj
-Baba Abedin Agaj    
– Dervish Shazuivar Mickaj
– Dervish Teki Dautaj  
-Baba Haxhi ….
-Baba Sadik Ibro
– Baba Abdyl Shehaj
– Baba Skënder Dervishi (aktualisht)

Përgatiti:
Nuri Çuni

Selim Ruhi Babai

Në 240 vjetorin e Teqes