Sot, 27-vjetori i kalimit nga jeta i baba Rexhebit

Sot, mbushen 27 vjet, kur në teqenë e Detroidit në SHBA, ndërroi jetë, baba Rexhepi, klerik i njohur dhe drejtues i këtij institucioni bektashian. Baba Rexhebi, u lind më 10 gusht të vitit 1901 dhe kaloi nga kjo jetë, më 10 gusht 1995. Këtë ditë, në Selinë e Shenjtë Bektashiane, në Teqenë e Detroidit në SHBA , si dhe në gjyshatat Brenda Shqipërisë e jashtë saj, bëhen aktivitete përkujtimore.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj,  nëpërmjet një mesazhi, përkujton këtë klerik të shquar.
“Të nderuar vëllezër, klerikë, myhibanë dhe besimtarë bektashianë në botë! Të nderuar miq dhe të afërm shpirtëror dhe biologjik të baba Rexhebit! Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ju! Ehli-Bejti u plotësoftë çdo dëshirë në familjet tuaja të shtrenjta! Sot ne përkujtojmë 27-vjetorin e ndarjes nga jeta të vëllait tonë, klerikut të shquar dhe mistikut bektashian, baba Rexhebi. Ai hapi të parëm teqe në Detroid, SHBA, me ndihmën  e pakursyer të Fan Nolit.  Baba Rexhebi la pas një vepër të shkëlqyer. Le ta  përcjellim më tej! Le të përulemi me repektin më të thellë për këtë bektashi dhe shqiptar të madh...”-thuhet ndër të tjera në mesazhin e Dede Edmond Brahimaj.
PARATHËNIE E LIBRIT “MISTICIZMA ISLAME, E BABA
REXHEBIT, SHKRUAR NË DETROID MIÇIGAM, 29 QERSHOR 1967
Bektashizma është e njohur në të gjithë botën. Ka përshkuar të gjitha vendet myslimane të botës dhe ka lënë gjurmë të paharrueshme kudo. Ka pasur suksese e disfata gjatë gjithë shekujve të jetës së saj. Prandaj gjithë bota është interesuar dhe është bërë kurioze për të, aq sa janë shkruar mjaft libra në favor dhe kundër saj. Kështu u bë një gjë legjendare dhe mbeti e pavdekur.
Dhe në Shqipëri u ngjall një kureshtje e madhe për Bektashizmën, sidomos në këto kohët e fundit të Pavarësisë Shqiptare. Të gjithë donin të dinin diçka mbi Bektashizmën. Mjerisht librat që janë shkruar në gjuhën shqipe mbi Bektashizmën janë shumë të paka. Prandaj dëshira e madhe e popullit, për të njohur Bektashizmën dhe filozofinë e saj, ka mbetur kurdoherë e pa plotësuar.
Kemi pasur gjithnjë mendimin që të shkruajmë diçka mbi këtë subjekt , për t’u dhënë një ide të plotë shqiptarëve mbi Bektashizmën, por ka mbetur me sot me nesër, kurdoherë e pa plotësuar nga rrethant e kohëve të ndryshme. Me rastin që u çel Teqeja Bektashiane këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 1954, u munduam, në bashkëpunim me komisionin e teqesë, që të nxirrnim për këtë qëllim një të përkohshme me titullin “Zëri i Bektashizmës” dhe nxorëm katër numra prej saj. Por buxheti i vogël i teqesë na pengoi ta vazhdonim akoma.
Libri që shkroi i dashuri ynë, fëmija e udhës së Haxhi Bektashit, Xhevat Kallajxhiu, u botua nga teqeja më 1964, me rastin e dhjetëvjetorit të themelimit të saj, zgjoi më tepër mendimet dhe ndezi akoma më shumë zjarrin e dëshirës për të kërkuar hollësira më të gjera mbi bektashizmën. Për këtë arsye, të shtyrë edhe nga shumë dashamirës të Bektashizmës, këtë radhë iu përveshëm punës për të shkruar këtë libër, me qëllim që të plotësonim këtë dëshirë të vjetër.
Menduam se, që të jetë një gjë e plotësuar, duhet të japim dhe shpjegime mbi rrënjën dhe burimin e Bektashizmës, që është misticizma islame. Për këtë arsye këtij libri i vumë titullin “Misticizma Islame dhe Bektashizma”. Natyrisht do të ishte e vështirë një ndërmarrje e këtillë, sidomos në kushtet tona, që jemi të izoluar nga Shqipëria dhe s’kemi ato burime që patëm atje. Por lumtërisht së voni na ranë në dorë dy libra të kësaj kategorie, njëra e profesorit të Universitetit të Stambollit, Mehmet Ali Ajniut, e titulluar “Tesavvuf Tarihi” (Historia e Misticizmës ) dhe tjetra e Omer Rizait, e titulluar “Islamiyetin gelistir digi tesavvuf” (Misticizma e ngritur në Islamizmë). Nga këto libra kemi përfituar shumë. I kemi pëlqyer dhe kemi marrë mjaft lëndë prej tyre, që na kanë shërbyer për pjesën e parë të librit tonë. Kemi kënduar gjithashtu dhe libra të tjera mbi këtë subjekt si “Marifetname” (Njohurira)  e Ibrahim Hakiut; “Turk Edebiyatinde ilk mutesavvifler” (Mistikët e parë në letërsinë turke) e Qoprili Mehmet Fouadit; “Shehi Ekberi niçun severim” (Pse e dua Shehi Eqberin) përsëri e profesorit Mehmet Ali Ajni, dhe shumë vepra të tjera të këtij lloji. Për pjesën e dytë të librit tonë kemi kënduar librin “Ask Risalesi” të dr. Bedri Noyanit; librin “Miratul-meka sid fi defil meka sid” (Pasqyra e qëllimeve për zhdukjen e keqkuptimeve ngatërrestare) të Ahmet Rifatit; librin “Bektasi Sairleri” (Vjeshëtorët Bektashinj) të Sadedin Nuzhet Ergunit; librin “Fevaidul Fukara” (Dobitë e Varfavet) të Haxi Bektashit; librin “Bektasi Nefesleri” (Nefese Bektashijane) të Ziya Sakirit; librin “Pir Sultan Abdal” (Pir Sulltan Abdalli) të profesorit Gulpunarli, dhe shumë libra dhe divanë si ato të Nesimiut, Kajgusezit, Fuzuliut, etj. Nuk pretendojmë kurrë se kemi bërë një gjë të madhe, por besojmë se me këtë mënyrë japim një ide pak a shumë të plotë për ata që interesohen nga këndonjësit shqiptarë. Dhe kujtojmë se është e para herë që shkruhen në gjuhën shqipe libra të këtij lloji. Me këtë mënyrë, ne çelim rrugën që të dalin edhe të tjerë për të shkruar libra mbi këtë subjekt, që kështu të pasurohet edhe gjuha jonë amtare me libra të këtij lloji, siç kanë të gjitha gjuhët e botës së qytetëruar. Natyrisht filozofia mistike është shumë e hollë, prandaj duhet kënduar me ngadalë dhe kujdes. Veçanërisht, për të kuptuar mirë shpirtin e vjershave, këndonjësi lypset t’u referohet shpjegimeve që kemi dhënë ndër to, për të gjitha ato vjersha që janë të mbyllura. Duke shpresuar që gjejmë klimë të mirë, gjë e cila do të na inkurajonte të shkruanim libra të tjera në këtë fushë, më të zgjeruara dhe më të dobishme për këndonjësit shqiptarë, po e mbyllim bisedën, duke lypur përkrahjen tuaj dhe duke iu lutur Zotit të Madh të na nxjerrë me sukses. Amin!

Detroit, Mich.
Më 29 Qershor 1967