SOT, 28-VJETORI I KALIMIT NGA JETA I BABA REXHEBIT

Sot, u mbushën 28 vjet, kur në teqenë e Detroidit në SHBA, kaloi nga kjo jetë, baba Rexhebi, klerik i njohur jo vetëm në Amerikë por në gjithë botën. Baba Rexhebi, u lind më 10 gusht të vitit 1901 dhe kaloi nga kjo jetë, më 10 gusht 1995. Jeta dhe vepra e këtij kleriku të madh me përmasa botërore kontribuoi, që bektashizmi të mbahet gjallë në botë, kur në Shqipëri me ligj u mbyllën institucionet fetare nga viti 1967 deri 1990. Baba Rexhebi përballoi me stoicizmin e vet karakteristik, vuajtjet e pafund të mërgimtarit, për të çelur atje të parën shtëpi të Haxhi Bektash Veliut, në Amerikë. Ky mision u arrit falë thesarit të harmonisë fetare ndër shqiptarët e Amerikës dhe sidomos të ndenjave kombëtare të At Fan Nolit. Ishte pikërisht ky dishepull i krishtërimit shqiptar, i cili mblodhi shqiptarët pa dallim feje dhe kontribuoi shpirtërisht dhe financiarisht për ngritjen e teqesë bektashiane.
Që nga maji i vitit 1954 dhe deri më sot, teqeja bektashiane e Detroitit që mban emrin e shenjtorit, baba Rexhebit, është shndërruar në një vatër të shkëlqyer të shqiptarizmit. Atje u rritën dhe edukuan mijëra besimtarë bektashianë, jo vetëm me dashurinë për Zotin, por edhe për Shqipërinë. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, përkujton këtë klerik të shquar. Ndonëse kanë kaluar 28 vite, ai përkujtohet nga gjithë besimtarët nga jugu në veri të Shqipërisë, nga Vlora dhe Gjirokastra, Kruja, Tetova dhe Gjakova, në Michigan dhe në shtetet e tjerë të mbarë botës.
“Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ju! Ehli-Bejti u plotësoftë çdo dëshirë në familjet tuaja të shtrenjta! Sot, 28 vite më parë, mbylli sytë në teqen bektashiane të Detroitit, në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shenjtori ynë, baba Rexheb Beqiri, i cili me vullnetin e tij e ktheu teqenë në një shënjtore të vërtetë, që jo vetëm praktikuan ritet dhe traditën bektashiane, por dijtën gjithashtu të ruanin të paprekur esencën e tarikatin, vëllazërinë brenda tyre, vëllazërinë me krejt racat, etnitë dhe dallimet fetare në vendin kampion të demokracisë.
Baba Rexhebi la pas një vepër të shkëlqyer. Ne përulemi sot me repektin më të thellë për këtë bektashi dhe shqiptar të madh…”-thuhet ndër të tjera në mesazhin e Dede Edmond Brahimaj.

Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ