Sot, 381 vjetori i themelimit të teqesë “Baba Abdulla”, Melçan-Korçë.


Data 22 qershor, përkon me festën e përvitshme të themelimit të teqesë “Baba Abdulla” në Melçan-Korçë.
Që në orët e para të mëngjesit, sot, dita nisi me lutjet dhe përuljet kundrejt Krijuesit, duke i kënduar El-fatiha të rënëve të kësaj porte dhe vazhdoi me festimet në lëndinat plot lule dhe bimësi, në ambientet e jashtme të teqesë.
Teqja e Melçanit është një nga teqetë më të vjetra të Shqipërisë Jug-Lindore dhe ndoshta e vetmja teqe e fortifikuar e mbetur në këmbë. Ngrihet majë një kodre në zonën Perëndimore të kodrave në hyrje të Korçës dhe rrezë saj kalonte rruga e vjetër Kolonjë-Pogradec. Gjatë regjimit u perdor si repart ushtarak dhe kjo bëri që t’i mbijetonte kohës.
Melçani, ai fshat i hershëm i Ilirisë, në vitet ’70 të shek. XVII do të priste me bujarinë e vet tradicionale misionarët e parë bektashinj, ata dervish të përkryer që në çantat e tyre kishin libra të dijes më shumë se sa bukë për të mbajtur shpirtin, misionarë të Haxhi Bektash Veliut, siç dëshmohet sot nga dhjetra dokumente, kanë ardhur në ballkan pikërisht për të shpërndarë paqen dhe vëllazërimin të ndërthurur mrekullisht me besimin në Zot. Këta u respektuan dhe u dëgjuan prej ballkanasve dhe shqipëtarëve në përgjithësi, pikërisht sepse falën vëllazërinë ndaj çdo besimi fetar pa përjashtuar askënd dhe duke dashur gjithkënd.
Kjo teqe ka vlera të mëdha të zhvillimit të besimit, kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Objekti i kultit u rindërtua, pikërisht në themelet e teqesë së vjetër, pas rënies së regjimit komunist.
Sigurisht, prej ditës së themelimit të kësaj teqeje ,e deri më sot, janë dhjetra e dhjetra dervish e baballarë, që me sakrificat dhe përuljen e tyre shpirtërore, kontribuan në lëvizjet madhore të kombit tonë, në panteonin e lavdishëm të bektashizmit shqiptar dhe atij botëror, teqeja e Melçanit përmes veprës së baba Hysenit, baba Hajdarit, baba Qazimit, baba Zylfos si dhe dhjetra dervishëve e baballarëve të tjerë, sigurisht, që zë vendin e saj të merituar, në historiografinë tonë shqiptare.
Baba Abdullah Melçani, ishte i pari që 400 vjet të shkuara, mblodhi besimtarët bektashinj në teqenë e Melçanit, kryeqendra e zhvillimit kulturor dhe historik të Shqipërisë Juglindore.
400 vjet më pas, u vendos në Melçan të Korçës, guri i themelimit për ta. Mbi 80 vjet të shkuara, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, e vendosur këtu, transferohet përfundimisht nga Teqeja e Melçanit dhe vendoset në Tiranë, ku ndodhet dhe aktualisht.