Kryegjyshi Botëror Bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Dede Ahmeti ka qenë e mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror!
Sa më shumë ikin ditët, javët, muajt e vitet e jetës fizike në këtë tokë, aq më shumë ndriçojnë në mendjet dhe zemrat e besimtarëve, kontributi i çmuar dhe admirimi për klerikët bektashianë që kanë lënë gjurmë në udhën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut. Ata ishin dhe mbeten shenjtorë që rrezatojnë mirësi, paqe, dashuri e shpresë tek Krijuesi. Kështu ndodh dhje me Dede Ahmet Myftarin, ish-Kryegjyshin Botëror Bektashian. Pikërisht sot, më 10 korrik, mbushen plot 39 vjet që ai u nda fizikisht nga kjo jetë. Mirënjohja për këtë klerik me emër lidhet me kontributin që ai ka dhënë për bektashizmin, sidomos në rreth një dekadë që ishte Kryegjysh Botëror i Bektashizmit dhe me pasurinë e çmuar që ai ka lënë në historinë 800 vjeçare të bektashizmit. Njëkohësisht, Dede Ahmeti, është shembulli më i mirë i aksiomës së njohur bektashiane “Pa atdhe, nuk ka fe”, pasi në vitet e vështira të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai jo vetëm dënoi publikisht pushtimin e vendit, por ishte në ballë të lëvizjes popullore për nevojën e çlirimit me armë në dorë. Dhe kjo mirënjohje, sot shënohet jo vetëm në teqetë ku jetoi e punoi dede Ahmeti, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, por edhe në të gjitha institucionet bektashiane kudo që janë në mbarë botën. “Dede Ahmeti ka dhënë një kontribut të çmuar për për bektashizmin, për miliona besimtarët tanë në gjithë botën. Sa më shumë kalon kohë fizike, aq më shumë vlerësohet dhe do të vlerësohet ndër breza kontributi i tij i çmuar. Ai ishte një klerik i përkushtuar që nuk ndjente lodhje në Udhën e Hakut, dinte të falte mirësi, dashuri e besim në Zot, kontribuoi maksimalisht për përhapjen e besimit bektashian dhe ngritjen e institucioneve si dhe nuk kurseu mbështetjen dhe kontributin konkret për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Tek shembulli i dede Ahmetit, është mëshiruar më së miri mësimi bektashian për dashurinë e pakufishme tek Zoti, të lidhur ngushtë me dashurinë për atdheun. Edhe sot në këtë vitin e 39-të të mungesës fizike, ne e kemi pranë dede Ahmetin dhe do e kemi gjithmonë, me dritën e mirësisë që përcjell, me mesazhet për paqe, dashuri e vëllazëri. Ne sot, që nga mëngjesi, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane presim vizita për këtë eveniment, por dhe disa aktivitete si ekspozita, një film dokumentar etj kushtuar këtij personaliteti bektashian. Po kështu, ai do të përkujtohet dhe në të gjitha gjyshatat, teqetë e komunitete bektashiane në Shqipëri e shumë vende të botës ku punojnë e jetojnë besimtarët tanë”- pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Pak nga jetëshkrimi i Dede Ahmetit
Dede Ahmet Myftari u lind më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës dhe ndërroi jetë më 10 korrik të vitit 1980. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit ndërsa të tjerat, në qytetin e Vlorës. Ai, trashëgoi prej prindërve, dashurinë për dije dhe për atdhe. Në periudhën 1924-1929, mbaroi shkollën qytetase në Vlorë, ndërsa në vitin 1936, shkoi të kryej shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Dibër. Këtu u njoh me baba Zenel Dumen, ndjeu së brendshmi dashurinë dhe besimin te i Madhi Zot, mori njohuri për bektashizmin dhe islamin në përgjithësi. Mori dorë në teqenë e Bllacës në vitet 1937-1939 dhe u konsakrua dervish në po këtë teqe, nga baba Zeneli. Në moshën 22 vjeç, vishet dervish. Në qershorin e vitit 1939, ashtu sikundër dhjetëra klerikë të tjerë bektashianë, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian zinte vend në zemrat e luftëtarëve. Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmet Myftarit, bie në sy të autoriteteve italianë. E thërrasin dhe i thonë duhet të heshtë, duhet shkoj në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!” Në ditët e para të majit 1943 e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të Porto-Romanos. Me kapitullimin e forcave italiane e lë kampin e Porto-Romanos dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë. Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e komandantit të qarkut në Martanesh dhe përpara tij çelen dyert e karrierës ushtarake. Provat i kish dhënë, aty në vijën e parë, në zjarrin e betejave. Madje në një prej këtyre betejave u plagos rëndë. Shokët e morën në supe e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën. Gjithsesi brenda zëmrës së Ahmet Myftarit, gjallonte ëndrra e dervishit, besa që pat dhënë dikur, në mejdan të teqesë së Bllacës. Me shkrimin e tij të bukur, falënderon komandën e lartë për besimin që i kish dhënë dhe në maj 1945, paraqitet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, duke mbajtur plot dashuri në supe harkanë e dervishit bektashi.
Kryegjysh Botëror Bektashian
Pasi Ahmet Myftari merr titullin ‘Baba’, në tri vitet në vazhdim, punon me përkushtim si klerik në teqenë e ‘Baba Hamitit’ në Elbasan dhe më pas në teqenë e ‘Kuzum Babait’ në Vlorë. Në 2 qershor 1948, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Për dhjetë vite me radhë, në krye të Selisë së Shenjtë dede Ahmet Myftari përveç ruajtjes të pastër të doktrinës bektashiane, mundësoi arsimin fetar duke bërë me dije edhe dervishin e teqesë më të largët. Në këto vite i dha hov bektashizmit dhe u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Organizoi një varg lidhjesh të komunitetit bektashian shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën. Vitet e qëndrimit të dede Ahmet Myftarit, në këtë post të rëndësishëm, janë vite të gjallërimit të mëtejshëm të besimit bektashian, vite të respektimit të tri erqanëve tradicional, duke larguar njëherë e përgjithmonë këtë besim të mrekullueshëm, nga kurthet dhe prapësitë e thurura prej partisë-shtet. Në këto vite, portat e teqeve u çelën për mijëra dashamirës dhe myhib, u institucionalizua arsimi fetar, u nxorën prej arkivave dhjetëra libra për bektashizmin dhe u përkthyen këta në gjuhën shqipe duke ndriçuar mistikën e thellë të këtij besimi.
Intelektual dhe qëndrestar
Heqja dorë nga ofiqet dhe privilegjet shtetërore dhe përkushtimi Udhës së Haxhi Bektash Veliut, shpejt do të sillte përplasjet e para me regjimin komunist të pasluftës në Shqipëri. Këto përplasje, që do të kulmonin në vitin 1967 me ndalimin me ligj të besimit fetar e shkatërrimi të institucioneve fetare, do të sillnin vuajtje të tjera për klerikun bektashian.
Në konferencën ndërkombëtare “Apel Paqes!” në Tiranë në vitin 1952, dede Ahmet Myftari shpalosi mendimet në referatin ku Perëndia zinte vendin e merituar. Kjo gjë nuk mund t’i pëlqente partisë-shtet e cila thuri rrjetën e merimangës dhe me ndihmën e segmenteve të caktuar të sigurimit famëkeq të shtetit, bëri që dede Ahmet Myftari të linte postin e rëndësishëm dhe të kalonte privacionet në vitet e rënda të internimit së bashku dhe dervish Reshatin, në Drizar të Mallakstrës. Privacionet dhe torturat u bënë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Por edhe në këto kushte, të dy këta shenjtorë, rrëfyen shpirtin e madh dhe të paepur, rrëfyen vendosmërinë e palëkundur për ta mbajtur të pastër burimin e besimit bektashian. Një meritë e padiskutueshme gjithashtu e dede Ahmetit, është fakti që frymën e tij, shenjtërinë e tij të panjollosur, ai e përcolli plot dashuri në personalitetin e dervish Reshat Bardhit”. Në këto kushte, Ahmet Dede, ndërron jetë më 10 korrik të vitit 1980, me brengës e tyrsnisë zyrtare mbi fenë, por me besimin e palëkundur asnjëherë se shpejt do të vinte dita e bekuar. Siç edhe erdhi pas ndryshimeve politike të vitit 1990 në Shqipëri, ku nisi puna për ringritjen e bektashizmit dhe ngritjen e objekteve bektashiane të rrënuara…
Vlerësime për dede Ahmetin
Ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe Kryegjyshi aktual, Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, e kanë vlerësuar vazhdimisht me konsiderate të larta, rolin e Dede Ahmet Myftarit si atdhetar e si klerik, duke organizuar dhe sesione e aktivitete të shumta për këtë klerik të njohur. Dede Reshat Bardhi thotë për myrshidin e tij, Dede Ahmetin: “E njoha Dede Ahmetin kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë Haxhi Bektash Veliu. Me urtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, Dede Ahmeti për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kurajë dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e tij. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes përrallesh, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Tek kjo teqe kanë ardhur me mijra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria. Vinin të rraskapitur, vinin të trishtuar, vinin si nata. Po iknin të çlodhur, iknin të gëzuar, iknin si mëngjesi i bukur. Dede Ahmeti u jepte shpirt dhe dritë nga shpirti dhe drita e tij”. Vlerësim për dede Ahmetin ka bërë dhe Kryegjyshi Botëror aktual, dede Edmond Brahimaj: “Dede Ahmeti ka dhënë një kontribut të çmuar për bektashizmin, gjë e cila do vlerësohet e do shërbej ndër breza. Ai ishte një klerik i përkushtuar që ndjente lodhje në Udhën e Hakut, dinte të falte mirësi, dashuri e besim në Zot, kontribuoi maksimalisht për përhapjen e besimit bektashian dhe ngritjen e institucioneve si dhe nuk kurseu mbështetjen dhe kontributin konkret për çlirimin e vendit nga pushtuesit ”- pohon Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Sot bustet e Ahmet Myftar Dedesë hijeshojnë sheshet, në qytetin e Vlorës dhe vendlindjen e tij në fshatin Brataj. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës dhe Komunës Brataj, Personalitet i shquar i Labërisë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emetuar në emisionin e pullave Ahmet Myftar Dede. Janë botuar broshura, libra për jetën dhe veprën e e tij, përgatitur filma dokumentarë dhe kalendarë. Ai mbetet një figurë e shquar për bektashizmin në Shqipëri dhe në botë”.
Përgatitën: Kujtim BORIÇI, Nuri ÇUNI
Njoftim
Me rastin e përkujtimit të 39 vjetorit të kalimit nga jeta të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian Dede Ahmet Myftarit, ditën e mërkurë, datë 10 korrik 2019, nga ora 10:00, bëhen vizita në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë.
Jeni të mirëpritur!
Kryegjyshi Botëror Bektashian
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj