Arshi Bazaj ka lindur në fshatin Shkozë të Vlorës më 1910. Ka kryer katër klasë fillore në fshatin e lindjes dhe më pas, është marrë me blegtori. Që nga mosha 7-vjeçare, prindërit e çojnë shpesh në teqe, tek baba Bektash Aliaj, ku ra në kontakt dhe u rrit kështu me frymën bektashiane. Kur mbush gjashtëmbëdhjetë vjeç, ai merr dorë si myhib dhe vijon të punojë e jetojë në teqenë e Golimbasit.
Në vitin 1926 konsakrohet dervish prej baba Bektash Aliajt dhe, falë traditave bektashiane, ndërmerr për disa muaj rresht pelegrinazh për në Haxhi Bektash të Turqisë, duke vizituar njëkohësisht edhe teqe të tjera bektashiane. Kthehet sërish në Golimbas dhe në mënyrë të veçantë, në muajit e ashures, vizitonte teqe të famshme si ajo e Bllacës në Dibër, e Shememi-Babait në Krujë, Teqenë e Madhe të Elbasanit, atë të Melçanit në Korçë dhe të baba Selimit në Gjirokastër. Shkëmbimet e vizitave dhe muhabetet me baballarë dhe dervishë bektashianë të asaj kohe, kanë qenë njëherazi shkolla të udhëtimit shpirtëror në këtë tarikat.
Në gushtin e vitit 1939, dervish Arshiu, me bekimin e baba Bektash Aliajt, u bashkëngjitet forcave nacionaliste të udhëhequra nga Hysni Lepenica, në betejat kundër okupatorit italian, në Qarkun Vlorës.
Ndërkaq, rritja e fuqisë politike dhe ushtarake të Nacional-Çlirimtarëve, po shoqërohej me qëndrime të ashpra ndaj nacionalistëve, qofshin këta dhe klerikë, siç ishte dervish Arshi Bazaj. Me pretekstin se “duhej të jepte llogari në komandën partizane të Vlorës”, dy-tri komunistë ilegalë trokasin një mbrëmje në teqenë e Golimbasit. Por baba Bektash Aliaj refuzon ta dërgoj dervishin atje, duke iu thënë se çdo njeri, nga komanda partizane e Vlorës, ishte i mirëpritur në teqe. Dy muaj më pas, duke parë ç’po ndodhte me shumë luftëtarë nacionalistë, baba Bektashi i jep dervishit të tij bekimin dhe e dërgon në teqenë e Koshtanit, në Tepelenë.
Por edhe në Koshtan, në verën e vitit 1945, dervishin e kërkojnë sërish dhe kjo ka qenë arsyeja që së bashku me disa nacionalistë të tjerë, ky arratiset në Greqi. Qëndron për gati dy vjet në kampin e refugjatëve në Llavrios e, më tej, dërgohet në Itali. Në vitin 1953, me kërkesë të teqesë bektashiane të Mukatamit në Egjipt, shkon atje dhe, një vit më pas, janë nacionalistët shqiptarë të vendosur në SHBA që e morën atje.
Prej vitit 1954 dhe deri sa mbylli sytë në dhjetorin e vitit 2015, baba Arshi Bazaj, ishte dhe mbeti jo vetëm besnik i baba Rexhebit (themelues i teqesë së parë bektashiane në Detroid-Miçigan), por edhe kleriku i urtë, djalë i Vlorës, që shpërndan paqe dhe dashuri tek të gjithë brezat e shqiptarëve të Amerikës.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Arshi Bazaj,
emblemë dlirësie në udhën tonë!
Sot, është 5-vjetori i ndarjes nga jeta, i klerikut baba Arshi Bazaj, të cilin, ne, bektashinjtë në mbarë botën, e kujtojmë me respekt për kontributin që ka dhënë. ….Nuk ka as më të voglin dyshim, që në rolin e madh fetar dhe kombëtar të teqesë bektashiane në Detroit, është plazmuar jeta dhe vepra e shenjtorit baba Rexhebit. Por brenda veprës së tij, janë ndërthurur në mënyrën më të harmonishme urtësia proverbiale e baba Bajram Gjakovës, simetria e organizimit të riteve tona, prej dervish Lutfiut të ardhur nga Egjipti, si dhe energjia e pashterur mendore dhe fizike e dervish Arshi Bazajt nga Vlora. Ky bashkëpunim i dervishëve dhe baballarëve bektashinj të ardhur nga disa vise shqiptare, është një nga shembujt e shumtë dhe mjaft domethënës i vëllazërisë së sinqertë që ka ekzistuar dhe ekziston ende sot, në mesin tonë, të klerikëve që i jemi larguar përgjithmonë ngrohtësisë të familjes biologjike, për të qenë në vendin që na takon, në familjen e Haxhi Bektash Veliut.
…Kohë më parë, ndërsa përgatitesha të udhëtoja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si përfaqësues i lartë fetar, i Selisë së Shenjtë Bektashiane, u takova me myrshidin tim Haxhi Dede Reshat Bardhi. Përpara dhe pas çdo udhëtimi, ne nxënësit e tij shpirtërorë duhej të flisnim me të për gjithçka. Kryeshenjti Bardhi më foli gjerë e gjatë për rolin dhe vendin që zinte teqeja e baba Rexhebit në historinë e bektashizmit botëror, duke e mbyllur me këtë fjalë: “Biri im! Më vjen keq që kushtet dhe koha nuk të kanë lejuar të njiheshe me baba Rexhebin. Ndonëse mijëra kilometra larg nesh, ai ka qenë aq afër sidomos në vitit 1967-1990. Pavarësisht brengave tona për ndalimin e fesë, pavarësisht ndjekjeve, persekutimeve dhe burgimeve tona, ideja se kandili i Haxhi Bektashit rrinte ndezur në Amerikë, na ka shërbyer si melhem për plagët tona.
Pasi baba Rexhebi u largua nga kjo botë e përkohshme, teqeja vazhdon t’i mbajë gjallë traditat tona më të mira. Ke fatin e madh të takohesh dhe të bisedosh me baba Arshi Bazajn, i cili jetën e vet e ka vënë plotësisht në të mirë të udhës sonë“. Me këto fjalë të mrekullueshme u nisa për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas një vizite në mjediset e Kongresit, në Uashington, së bashku me përfaqësues të lartë të komuniteteve tradicionale fetarë të Shqipërisë, iu drejtuam teqesë sonë në Detroit. …. Kafe-oxhaku mori një pamje më të bukur..
Gjatë viteve në vijim, kam pasur vërtet fatin e madh jo vetëm ta takoj por edhe të ulem shtruar “vençe” siç kishte dëshirë të thotë baba Arshiu. Më ka folur për vështirësitë e para në çeljen e teqesë, për besimtarët që kanë ndihmuar me shpirt dhe me para, për dituritë e thella që shfaqte baba Rexhebi, për pranimin në dyer të teqesë të çdo shqiptari në hall, pavarësisht besimit që i përkiste. Në pamje të parë, ndërsa dëgjon të duket se vlera e këtyre bisedave mund të dihet në kontekstin historik. Por nëse e dëgjon me vëmendje, nëse ke njohuritë e duhura bektashiane, nëse njeh hadithe profetikë dhe di shpjegimin e tyre, atëhere bindesh për lumin e thellë të dijeve të baba Arshiut. Ai që në këto biseda, sheh vetëm ato stërkala të bardha të lumit që lagin gurët e brigjeve, mjerisht nuk ka kuptuar asgjë prej domethënieve të mëdha të këtij shejtori.
Teqeja e baba Rexhebit, sikundër teqetë bektashiane në gjithë botën, me dimensionin human të shfaqur në çdo kohë, me doktrinën e pastrimit të përjetshëm të shpirtit, prej gjërave të vdekshme të kësaj bote, bashkon çdo ditë e më shumë besimtarë të rinj në besimin ndaj Krijuesit. Dhe jo vetëm simbolikisht por në këtë betejë kaq domethënëse, baba Arshi Bazaj mbetet, një shërbestar plot vitalitet shpirtëror dhe fizik.
Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI