Gazetari i mirënjohur Ferdinand Samarxhi, “Nderi i Kombit”: U rrëfej takimin e Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj, me Papa Françeskun në Vatikan, mesazhet dhe intervistën e rrallë me atin e Shenjtë, që theu rregullat e protokollit zyrtar
Nga Nuri ÇUNI
Sekretar i Përgjitshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane
Sot, më 11 maj 2022, kur mbushen plot 6 vite nga takimi në Vatikan, i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Dede Edmond Brahimajt, me Papën e Romës, gazetari i njohur, Ferdinand Samarxhiu, që ishte moderator i takimit dhe gazetari që theu protokollin e Vatikanit, duke i marr intervistë Atit të Shenjtë, mes emocioneve që siç thotë ai ‘nuk kanë vdekje kurrë’, rrëfen për “Telegraf”, disa detaje interesante nga ai takim dhe mesazhet që dha. “…Kam qenë me fat që isha gazetari i vetëm televiziv nga Shqipëria që isha pjesëmarrës (bashkë me operatorin), moderova atë dhe arrita që me mikrofon, ti marr intervistë Atit të Shenjtë, rast pa precedent ky sipas protokollit, por që u prania nga mikpritësi. Ishte fat për mua prania në këtë pritje vëllazërore, Kryegjyshi Botëror Bektashian-Papa i Romës… Vlerësimet dhe mesazhet që dhanë dy liderët, janë aktuale dhe për sot e në vijimësi. Kam shumë mbresa e detaje të atyre dy ditëve në Vatikan (megjithëse kisha qenë dhe herë tjetër e kisha takuar Papën paraardhës), kam shkruar diçka, por me kënaqësi po rendis disa kujtime për ju, sot që është 6-vjetori i këtij takimi”
Përgatitja dhe emocionet para takimit
Siç e kam thënë, ishte një vizitë dy ditore historike, me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një Papë priste në Selinë e Vatikanit një lider fetar shqiptar. Nuk mund ta harroj atë ditë, emocionet e papërsëritshëm të saj. 11 maj, ora 09:00, do të mbetet orë e përjetimit të një takimi historik me përmasa dhe konture që do të rriten gjithnjë e më shumë, çdo ditë e më tepër në horizont. Vizioni i atij takimi do të ndriçojë dhe do të bëhet më domethënës në vijimësi për paqen, dashurinë, për besimin, për rrugën e Zotit, për kombin, për shoqërinë e sotme njerëzore. Unë kisha vajtur dhe më parë në Vatikan, por duke qenë se në këtë takim, isha njëkohësisht moderator i tij dhe i vetmi gazetar shqiptar televiziv, që kisha privilegjin të futesha në këtë takim me operator, të filmoja. Ndërsa këmbëngulja ime për të marr dhe një intervistë Papës, (gjë e cila ishte jashtë protokollit), gatishmëria e Papës dhe realizimi i saj, ishte një gjë e rrallë e privilegj. Dua të kujtoj me këtu se, unë isha përgatitur mirë për këtë takim (fat dhe ëndërr për çdo gazetar), ku kameraman kisha të mirënjohurin e TVSH, Naum Laskun, pra atë që kishte filmuar Papa Gjon Palin dhe Papa Françeskun. E falënderoj me zemër atë.
Takimi i Papës me Dede Mondin
Ora 09:00 e 11 majit 2016, na gjeti në pikun e emocioneve të pritjes së Papës. Ati i Shenjtë futet në derë, na shikon e buzëqesh, teksa ne, përulemi me nderim dhe respekt. Gjatë ecjes, pohoi se ‘Pres një mik të mirë nga Shqipëria!’. Në respekt të Dede Edmond Brahimajt dhe delegacionit shqiptar, Ati i Shenjtë nuk shkoi tek froni i tij ku sipas protokollit strikt, rri gjithnjë, por mori karrigen e Tij, e tërhoqi, (edhe pse të tjerët kërkuan ta ndihmojnë me urgjencë) dhe u afrua e u ul pranë Kryegjyshit Botëror, për të treguar një afërsi vëllazërore të një takimi tejet të përzemërt. Pas prezantimit të delegacionit nga Kryegjyshi Botëror, Papa dëgjoi Kardinalin Turanë, Kryetarin e Këshillit Papnor të dialogut Ndërfetar të botës, i cili i tregoi Papës për rolin e komunitetit bektashian, si një faktor i madh, aktiv, në harmoninë, tolerancën dhe mirëkuptimin fetar, rolit dhe angazhimit të bektashizmit për paqen dhe bashkëjetesën vëllazërore mes njerëzve në shoqëri. Kam fiksuar mirë se në këtë moment, Papa, i prekur thellë, nga ardhja e takimi me mikun e shtrenjtë, një vëlla i thjeshtë i Dedeit tonë, të së njëjtës familje të Zotit, u ul me karrigen pranë Tij, dhe si vëllai me vëllanë, fare pranë me njëri-tjetrin, kujtoi mbresat e pashlyeshme që ruaj – tha Ati i Shenjtë, – në mendje dhe në zemër, nga takimi me popullin shqiptar. Kujtoj rininë-tha Ati i Shenjtë- si vlerë e një kombi për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë. Në të kaluarën,- tha Ati i Shenjtë,- kemi bërë luftëra mes besimeve, duhet të pendohemi për to, por nuk është lufta rruga në të cilën duhet të ecim. Rruga që duhet të përshkojmë është ajo e dashurisë, e paqes, e dialogut dhe e mirëkuptimit midis feve, vendeve, popujve e shoqërisë së sotme njerëzore. Papa theksoi gjithashtu, vlerat e bashkëjetesës vëllazërore, ndërmjet besimeve që ekzistojnë në Shqipëri, si një shembull e thesar i çmuar i kombit shqiptar, vlera këto që duhet të kultivohen e çohen përpara me përkushtim e bindje. Ati i Shenjtë kujtoi takimin e Tij me krerët e komuniteteve fetare në Tiranë, e inkurajoi këtë harmoni vëllazërore, dhe kjo të përhapet si një dritë e pashuar gjithmonë.
Bisedë vëllazërore e dy liderëve
Sjellja e veçantë, respekti që tregoi Papa që në hyrje, gjatë bisedës dhe fjalët e ngrohta që shprehu, mënyra e komunikimit tejet vëllazëror me Kryegjyshin Botëror, na i shkriu ‘akujt’ e emocioneve, duke krijuar një mjedis të papërsëritshëm miqësor. Dede Edmond Brahimaj, duke falënderuar Atin e Shenjtë, për pritjen që i rezervoi, për ngrohtësinë që i afroi dhe për fjalët e përzemërta që përçoi për kombin tonë, i tha ndër të tjera: “…Ju jemi mirënjohës për gjithë jetën për atë çka po bëni për bijtë e kombit tonë, për shenjtërimin e Nënë Terezës, për lumturimin e 38 Martirëve që u persekutuan në mënyrë çnjerëzore nga regjimi ateist komunist. Ne dhe gjithë bota, duhet t’u jemi mirënjohës për mesazhin e madh që Ju përcollët, për gjithë njerëzit e vuajtur, emigrantët myslimanë, që kërkuat që shtetet jo vetëm të hapnin kufijtë, por të hapnin dhe dyert e shpirtit për ta. Po ashtu, Kryegjyshi e falënderoi Papën për punën që po bën për të shmangur luftërat në emër të Zotit e të fesë, e për t’i afruar popujt e fetë mes tyre, si një familje e vetme njerëzore. “Pikërisht këto vlera, ne i manifestuam, me pjesëmarrjen tonë në Paris, pas atentateve terroriste. Ne jemi bashkuar të gjithë vëllezërit myslimanë në Ballkan e më gjerë, në luftë kundër rrymave të ndryshme radikale terroriste. …Ne duhet të jemi gjithmonë në krahun tuaj, në krah të mesazheve të mëdha tuaja të paqes. Ne ju shohim gjithmonë ju si flamurtarë të dashurisë e paqes për popujt dhe fetë e ndryshme. Pa u ndjejë, koha ecte, duke kaluar ndjeshëm limitin e kohës së caktuar në protokoll, për këtë takim. Në fund të tij, të dy liderët, të emocionuar nga ngrohtësia e vëllazërisë së tyre, në një moment mbetën dhe, veç përqafimi ishte ai që do ta mbyllte atë ngrohtësi, atë dashuri, atë veneracion që përshkoi bisedën e paharruar historike, një bashkim shpirtëror.
‘Shkelja’ e protokollit dhe intervista ime me Papën
E kam thënë e shkruar diku, rastin fatlum, (falë kryeneçësisë sime) për çdo gazetar të botës, dhënia e intervistës nga Papa, gjë që ishte kategorikisht nga protokolli, që e cila, në fund më lumturoi me praninë dhe falënderimet e Atit të Shenjtë. Por po përsëris diçka…
Edhe pse e dija dhe e njihja mirë protokollin, edhe pse m’u dha një shans për tu takuar me Papën e Romës, dhe unë duhej ta zbatoja me rreptësinë më të madhe, i entuziazmuar se ç’ka kishte ndodhur në atë sallë, që ishin thyer rregullat e protokollit qindravjeçar, duke parë ngrohtësinë, ofrimin, dashurinë që unë në moment i quajta: bashkim i madh shpirtëror, mora guximin dhe iu drejtova Atit të Shenjtë me mikrofon dhe i thashë: ‘Ati i Shenjtë, një bekim për popullin tim shqiptar!’. Dhe Ati i Shenjtë, pohoi edhe një herë me atë dashuri e atë bekim të madh, për popullin tonë, që Shqipëria të ecë përpara, që kombi shqiptar gjithnjë e më shumë ta shohë veten nga e ardhmja më e mirë, që paqja dhe dashuria të mbizotërojnë mes tyre, si shqiponja në flamurin e kombit tonë. Kisha fituar gjithë botën, kisha marrë me vete gjënë më të shenjtë për vendin tim, për kombin tim, bekimin e Atit të Shenjtë! Kjo mua më lumturoi dhe do ta kujtoj gjithë jetën time, në zemrën time.
Sapo takimi përfundoi, Radio Vatikani e përcolli menjëherë në të gjitha gjuhët e botës. Ekranet e Shqipërisë filluan të informojnë dhe të buçasin, “Takim i rrallë historik!”. Por surprizat në Vatikan, vazhduan më tej. Kryegjyshi Botëror u ftua në Radio Vatikanin nga drejtori i saj, nga shqiptari Dom David Xhuxha.
Mesazhe që janë gjithmonë udhërrëfim
Takimi në Vatikan, i Kryegjyshit Botëror Bektashian, me Papën e Romës, biseda dhe mesazhet e këtij takimi, janë aktualë sot e në çdo kohë. Veçanërisht, në këto dit e kohë të trazuara që po kalojmë sot, ku jetë të pafajshme humbasin çdo ditë në luftën në Ukrainë, kun ë shumë vende ka konflikte të mprehta dhe njerëzimi po përjeton vështirësi sociale.
Përgatiti faqet: Kujtim BORIÇI